Në prag të derbit kundër Tiranës, te Partizani situata nuk është aspak e mirë sa u takon dëmtimeve. Sulmuesi Tedi Cara ka pësuar tërheqje dhe prania e tij në fushë është shumë në dyshim. Ndërsa për Ergys Kaçen, mund të themi se e ka humbur derbin përballë Tiranës.
Mesfushori pësoi një dëmtim rreth dy javë më parë dhe kundër Kukësit sakrifikoi dhe luajti i dëmtuar, duke shtrënguar dhëmbët për rreth 60 minuta. Megjithatë, nuk pritet që të rrezikohet sërish me gjendjen e mesfushorit dhe stafi teknik është këshilluar nga stafi mjekësor që Kaçe të mos aktivizohet në derbi dhe t’i jepet kohë riaftësimi.
Sa i takon sulmuesit brazilian, Lukas Kardozo, me shumë gjasa e ka mbyllur vitin pas dëmtimit në klavikulë. Kardozo u dëmtua në takimin kundër Kukësit, duke nxjerrë shpatullën dhe do t’i nënshtrohet një operacioni.
Dëmtimi duket serioz për brazilian dhe koha e rikuperimit është rritur shumë, çka mund të bëjë që Lukas të mos aktivizohet më për vitin 2021. Në repartin e sulmit, trajneri Ilir Daja ka tashmë vetëm dy alternativa, Stenio Zhunior dhe Andrija Filipoviç, ndërsa i riu Marinaj është zëvendësuesi i vetëm.