Futboll Seria A Sport

KOMENTON NË PRAG TË RINISJES SË KAMPIONATIT/ Pioli: Milani në rritje, jemi në garë për titullin

Pas atij “Lidolm”, Stefano Pioli është nderuar me një tjetër çmim (USSI) në qytetin e Parmës, ku edhe ka lindur. Pas ceremonisë, trajneri i Milanit ka dhënë një intervistë gjatë së cilës ka folur për situatën e skuadrës dhe objektivat në sezonin në vijim.

I druheni fizikut me Fiorentinën?

Shumë do të varet nga gjendja e djemve që kanë luajtur me kombëtaret. Do të bëjmë disa vlerësime dhe do të vendosim. Ndaj Interit e nisëm mirë, ishim agresivë dhe e menaxhuam mirë trysninë e rivalit. Në atë ndeshje luajtëm me dy fantazistë (Kruniç dhe Diaz), një zgjidhje që mund të përsëritet për t’u mbuluar më tepër në rast vështirësie.

Në fushë ishte edhe një ish-fantazist i Milanit.

Me Çalhan u përshëndetëm normalisht në fund të asaj ndeshjeje. Nuk ka asnjë problem apo mëri mes nesh.

Shtatë pikë diferencë ndaj Interit, nuk janë pak apo jo?

Është një avantazh i rëndësishëm, por mbetet i vogël. Deri në fund të sezonit do të jemi 3- 4 ekipe në garë për titullin. Diferencën do ta bëjnë pikët, por më shumë do të ndikojnë ato të fituara në ndeshjet direkte.

Në fundjavë ju pret një ndeshje me peshë.

Fiorentina, Sasuolo, Udineze dhe Xhenoa janë të gjitha skuadra që meritojnë respekt e ndeshje në të cilat nevojiten pikë. Nesër (sot) do të grumbullohemi që djemtë të jenë në formë të mirë pas këtyre ndeshjeve me kombëtaret.

Sa ndikon forma në cilësinë e lojës?

Fiziku duhet, por ka peshë të madhe edhe mendësia siç ndodhi kundër Interit në momentin që patëm më tepër vështirësi. Kur përballemi me ekipe të nivelit tonë, diferencën e bëjnë detajet. Sivjet po bëjmë më mirë se vitin e kaluar, por duhet ende shumë punë për të ruajtur këtë nivel për afate të gjata. Jemi një grup në rritje, por edhe i fortë.

Nuk jeni mundur ende. A është ky një tregues për ambiciet e Milanit për titull?

Sigurisht, ky fakt shton vetëdijen në ato që janë mundësitë tona, por në Itali ka shumë skuadra niveli dhe lufta është e ashpër. Deri më tani skuadra më është dukur e guximshme, por është shumë herët për të dalë në konkluzione.

Sa shanse keni për titullin?

Synimi është që çdo ndeshje ta luajmë për ta fituar. Ka shumë skuadra që kanë shanse, por ne kemi besim te vetja. Ky duhet të jetë mentaliteti me të cilin duhet të zbresim gjithmonë në fushë.

Related posts

Verratti “TREMB” PSG/ Mesfushori italian shumë pranë gjigantit të Serie A!

Isa.Autor

LARGIMI I TRAJNERIT DEDE/ Tre emra të njohur në tavolinën e Halilit, ja kandidatët për stolin e Tiranës…

Delo.autor

Bonucci “alramon” Milanin/ Mbrojtësi italian ka gjasa të largohet…

Sadik.Autor

Leave a Comment