Aleksis Sançez po tregon se nëse i jepet hapësira e duhur, mund të bëjë diferencën për Interin. Kiliani ka vendosu SuperKupën e Italisë me golin e tij në minutën e 121-të, duke hyrë në histori për zikaltërit, por edhe për futbollin italian. Ky ishte goli më i vonshëm i shënuar ndonjëherë në një finale të tillë, por mjaftoi për t’i dhënë një trofe të rëndësishëm skuadrës së tij.
Sançez nuk e fshehu entuziazmin që më në fund po tregohej vendimtar te Interi, edhe pse kishte qenë për shumë kohë në plan të dytë, ndërsa nuk kurseu thumbimet ndaj Antonio Kontes.
“Nuk kam qenë asnjëherë keq, thjesht nuk luaja. Kam thënë gjithmonë se jam si një luan në kafaz. Sa më shumë luaj, aq më mirë ndjehem, por është trajneri që vendos. Konte më thoshte që askush nuk ishte si unë dhe do të më aktivizonte 15 minutat e fundit pasi bëja diferncën. Por unë i përgjigjesha që më bënte të vuaja dhe se duhej të më aktivizonte më shpejt”, tha sulmuesi pas sfidës ndaj Juventus.