Pak prej tyre ishin ata që prisnin që Roma dhe Liverpool të ishin në gjendje të bënin surpriza në Champions, ndërsa tani këto dy skuadra janë “çiftuar” në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, pasi eliminuan respektivisht Barçën dhe Manchester City.
Sfida tjetër mes Real Madridit dhe Bayern Munich përball dy kandidatët e mëdhenj për titullin: “Unë shpresoj se do të kualifikohet Bayerni, – tha Pep Guardiola. – Bavarezët kanë fatin që meritojnë dhe mund të arrijnë finalen”.
Zhgënjimi nga eliminimi i “qytetarëve” vazhdon ende në Manchester, edhe pse Pep nuk ka shumë qortime për ekipin e tij. Për performancën e Mateu Lahoz, megjithatë, po: “Ende po diskutohet nëse ishte apo jo penalltia që kualifikoi Real Madridin. Në këtë kompeticion vendimet e arbitrave dhe detajet e vogla kushtojnë, – këmbënguli tekniku katalanas, i cili nuk dorëzohet, por po bëhet gati për të provuar përsëri. – Sezonin e ardhshëm do të kthehemi më të fortë”.
Për dëbimin nga fusha me karton të kuq, Guardiola ende nuk e kupton se çfarë ndodhi: “Gjyqtari më tha se mund të protestonte në dhomën e zhveshjes, por jo në fushë. Nuk e di nëse kjo diferencë është e mjaftueshme për kartonin e kuq. Do të vazhdoj të kritikoj sjelljen, që ndonjëherë kanë disa gjyqtarë”.
Pasi u “shua” në Ligën e Kampionëve, tani Manchester City është fare pranë sigurimit të titullit kampion në Premier League. “Ne duhet të mos dekurajohemi, sepse kemi mundësinë për të fituar Premier League, që është titulli më i rëndësishëm i sezonit, – shton Guardiola. – Nëse nuk fitojmë me Tottenham, do të jetë më e lehtë për ta mbyllur gjithçka kundër Swansea”.