Rusia është një vend magjepsës e miqësor dhe Kupa e Botës duhet të shndërrohet në dritare mikpritjeje drejt kombit më të madh të planetit.
Këshillat që jepen edhe në nivel zyrtar nisin nga vlefshmëria e pasaportës e deri tek FAN-ID: leja speciale e vlefshme për mbajtësit e biletave të kampionatit. Ajo mund të përdoret edhe si vizë më shumë hyrje dalje në Rusi, ku mbajtësit e këtij dokumenti mund të kalojnë kufirin nga 4 qershori deri në 15 korrik, por deri në 25 pastaj, duhet të jenë larguar.
Në të kaluarën, disa shtetas britanikë janë kthyer mbrapsht nga Rusia sepse nuk kishin firmosur pasaportat e tyre, edhe ky një detaj në dukje i parëndësishëm, por jo për rusët. Pasaportën mbajeni me vetë gjithë kohën, thotë gazeta; policia ruse ka autoritetin t’i ndalojë njerëzit në rrugë kurdoqoftë e t’i kërkojë dokumente identifikimi.
Nuk ka kufizime për sa i takon marrjes se kompjuterëve personalë laptop, vetëm se zyrtarët në kufi kanë të drejtën të kërkojnë inspektimin e çdo pajisjeje elektronike. Po patët me vete kodeine, analgjezike apo psikostimulante, iu duhet dhe një letër e mjekut që provon nevojën për një mjekim të tillë.
Dhe me pikantja: kurrë mos pranoni të shkoni në një bar apo klub me një person të cilin sapo e keni njohur. Ndodh rëndom që udhëtarët në raste të tilla i drogojnë e i grabisin. Kujdes edhe me shërbimin eskortë, vazhdon “The Independent”, sepse nuk kanë qenë të paktë ata që kanë rënë pre e mashtrimit.