Luftëtari, një nga surprizat më të këndshme në dy edicionet e fundit, është kthyer tashmë në një të panjohur të madhe. Gjirokastritët kanë ndryshuar timonierin, por mbi të gjitha kanë humbur lojtarët më të mirë, ose më saktë simbolet e tyre në fushën e lojës.
Kristal Abazaj do të vijojë karrierën tek Anderlecht, Dejvi Bregu është pjesë e Skënderbeut, ndërkohë që të paktën për Europën do të mungojë edhe fantazisti Eduart Rroca. Suksesi i gjirokastritëve është lidhur ngushtë me këta 3 futbollistë, për cilësitë që kanë treguar në fushë, si dhe mënyrën se si kuptoheshin me njëri-tjetrin.
Nuk ka diskutime që një skuadër përbëhet nga 11 futbollistë në fushë, plus alternativat, me Luftëtarin që tregoi më së miri se grupi ishte çelësi i suksesit në këto dy sezone.
Megjithatë Abazaj, Bregu dhe Rroca qëndronin mbi të tjerët falë klasit që zotërojnë, duke çuar në peshë publikun gjirokastrit, dy të parët përfundimisht nuk janë më pjesë e skuadrës, ndërkohë që dëmtimi i Rrocës vendos në rrezik pjesëmarrjen e tij në Europa League.
Në këtë mënyrë pikëpyetjet, por edhe interesi për të parë Luftëtarin është tepër i madh, pasi pritshmëritë ndaj tyre janë të larta, me skuadrën që pretendon minimalisht të kalojë një tur, por dhe të përsërisë ecurinë e edicionit të shkuar në kampionat.
