Gjermania, kampion e Botës, në fuqi do të nisë mbrojtjen e kurorës me ndeshjen kundër Meksikës, e vlefshme për Grupin F, që do të luhet në “Luzhniki Stadium”, të dielën pasdite.
Ekipi i Joachim Low ka fituar vetëm një ndeshje që kur është kualifikuar për në “Rusi 2018”, duke mos lënë asnjë pikë rrugës. Suksesi i tyre i vetëm në përgatitje ka ardhur ndaj Arabisë Saudite, 2-1.
Krahas lënies jashtë ekipit të Leroy Sane, futbollistit të ri më të mirë të Premier League me fanellën e Manchester City, te Gjermania ka pasur disa polemika edhe për një fotografi të Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, çka ka sjellë edhe vërshëllimat e tifozët.
Gjermania synon të bëhet skuadra e parë pas 56 vitesh që e mbron titullin botëror. Skuadra e Low ka fituar 4-1 ndaj Meksikës në ndeshjen e fundit mes këtyre dy ekipeve, e vlefshme për Kupën e Konfederatave, që u zhvillua vitin e kaluar në Rusi.
Meksika do të marrë pjesë për herë të shtatë radhazi në Kupën e Botës dhe pas humbjeve në miqësoret ndaj Danimarkës dhe Kroacisë, erdhi barazimi ndaj Uellsit, teksa trajneri Juan Carlos Osorio përdori të 23 futbollistët e grumbulluar. Suedia dhe Koreja e Jugut janë ekipet e tjera në Grupin F.
Te Gjermania pritet të luajë Boateng, i rikthyer pas një dëmtimi që pësoi me Bayern dhe portieri titullar do të jetë Manuel Neuer, për të cilin miqësorja e humbur 2-1 ndaj Austrisë më 2 qershor ishte ndeshje e parë që nga muaji shtator i vitit të kaluar.
Kjo do të jetë përballja e katërt në një Kupë të Botës mes Gjermanisë dhe Meksikës. Gjermania ka dy fitore dhe një barazim 0-0 në vitin 1986, ku gjithsesi fitoi me penallti.
Në total, këto dy kombëtare janë ndeshur 11 herë dhe Meksika ka fituar vetëm në herë, në miqësoren e zhvilluar në tetor 1985.
Gjermania ka fituar secilën prej shtatë ndeshjeve të para që ka luajtur në shtatë Botërorët e fundit, duke shënuar plot 20 gola, ndërsa Meksika nuk humbet prej pesë ndeshjesh në ndeshjen e parë të Botërorit, që kur e mposhti Norvegjia në “SHBA ‘94”.
Gjermania ka shkuar të paktën deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në katër edicionet e fundit, ecuria më e mirë e të gjitha kohërave dhe që nga viti 1990 gjithmonë ka dalë në vendin e parë të grupit.
Meksika është eliminuar në 1/8-t e finaleve në gjashtë botërorët e fundit dhe ka humbur vetëm dy nga 17 ndeshjet e fundit të luajtur në fazën me grupe, duke fituar 8 prej tyre.
Formacionet e mundshme:
Gjermania: Neuer, Kimmich, Boateng, Hummels, Hector, Khedira, Kroos, Muller, Ozil, Reus, Werner
Meksika: Ochoa, Layun, Moreno, Ayala, Gallardo, Guardado, Herrera, Jonathan dos Santos, Vela, Chicharito, Lozano