Gjermania ka përmbysur rezultatin me një lojtar me pak duke shënuar golin e fitores në sekondat e fundit të kohës shtesë. Ishte një ndeshje fantastike nga kampionët e botës të cilët dhanë gjithçka për të marrë fitoren dhe në fund ia kanë arritur falë magjisë së Toni Kroos. Dukej sikur gjermanët ishin pranë eliminimit por tani gjithçka është në lojë dhe kampionët rikthehen në garë.
Ishin gjermanët ata që dominuan lojën nga minuta e parë e deri kur Boateng doli me të kuq në të 82’. Aksione të shumta por me finalizim të pasaktë. Ndërkohë Suedia sa herë që del në kundërsulm mund të shënojë gol, dhe vetëm fati e ndihmoi Gjermaninë në dy situata përpara se të shënonte Toivonen një gol që padyshim mund të quhet një nga më të bukurit e kompeticionit.