Kategoria Superiore Shqipëri

Olsi Rama: Starova do jetë edhe për ndeshjen me Vllazninë, Moggi nuk largohet

 Në ceremoninë e diplomimit të drejtorëve sportivë, mes atyre që u zyrtarizuan si njerëzit e menaxhimit të klubeve shqiptare nga FSHF-ja, ishte edhe Drejtori i Partizanit, Olsi Rama. Edhe pse ‘de Facto’ i ka marrë frerët e klubit disa javë më parë, Rama tashmë është edhe zyrtarisht pjesë e sistemit dhe këtë e pranon edhe ai vetë.“Kjo është liçenca, zyrtarizimi është bërë që më përpara”, u shpreh vëllai i Kryeministrit të vendit.

Sigurisht që një nga çështjet më të nxehta në kampin e kuq është rikthimi i Sulejman Starovës pas dorëheqjes së tij në përfundim të disfatës së Gjirokastrës, por Rama nuk është i qartë në përgjigje kur pyetet nëse “Bobi” është njeriu që do të ndihmojë për të kaluar këtë moment, apo trajneri tek i cili është ndërtuar strategjia afatgjatë e klubit.

“Ishte vendimi i të gjithë drejtuesve për të krijuar vazhdimësi të punës. Ishte një sinjal për t’i treguar skuadrës që ka një plan dhe fatin e trajnerëve e vendosin drejtuesit. Starova ka qenë përherë pjesë e klubit dhe do të jetë në krye të stolit edhe për ndeshjen me Vllazninë”.

Merkatoja e Partizanit parashikon forcimin e skuadrës në disa reparte, por drejtori i përgjithshëm i klubit është ketagorik kur pyetet për të ardhmen e atyre që mund të konsiderohen senatorë.

“Nuk largohet asnjeri. Merkatoja bëhet për t’u përmirësuar. Senatorët do të vijojnë të jenë pjesë e Partizanit. Merkatoja e Janarit është merkato riparimesh”, u shpreh Drejtori Sportiv i ‘të kuqve’.

Përsa i përket çështjes së titullit të dy sezoneve më parë, për të cilin Partizani ka pretendime se i takon, Rama preferon të bëjë një koment diplomatik duke e lënë topin në këmbët e institucioneve përgjegjëse, që në këtë rast është KAS.

“Unë e thashë që kemi bërë një kërkesë për të qenë brenda afateve ligjore, për të njohur të drejtën e Partizanit. Ne presim vendimin e KAS-it, nuk ka asnjë problem”, tha Olsi Rama.

Marrja e drejtimit të klubit eklipson një emër që erdhi me shumë bujë, Luciano Moggin, por Rama e shikon italianin si pjesë të rëndësishme të projektit të kuq.

“Moggi do të vazhdojë të jetë pjesë e Partizanit dhe emërimi im nuk e përjashton atë”, deklaroi Drejtori Sportiv i Partizanit.

Related posts

TIRANA-APOLONIA/ Kampionët e Superiores do të kërkojnë me çdo kusht 3 pikët (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

PARTIZANI-VLLAZNIA/ “Demat e Kuq” do të kërkojnë fitoren për të rihapur kampionatin (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

“PRESIM ROBERTO BAGGION, DE BIASI DO TË…”/ Lila i thotë të gjitha për ndeshjen e 10 janarit

Delo.autor

Leave a Comment