Golat e këtij kampionati kanë patur një shpërndarje të gjerë, pasi nuk janë më thjesht pronë e sulmueseve apo e mefushorëve me tipare sulmuese. Në 16 javët e para, Skënderbeu që ka dhe sulmin më të mirë mban rekordin edhe përsa u përket futbollistëve që kanë shënuar, pasi ka realizuar me 10 lojtarë të ndryshëm. Janë 2 mbrojtës, 6 mesfushorë dhe 2 sulmues te korçarët që kanë gjetur rrugën e rrjetës.
Së bashku me Teutën, kryeuesit mbajnë rekordin përsa i përket golave të ardhur nga reparti i mesfushës, pasi janë dy formacionet e vetme që kanë shënuar me 6 futbollistë të këtij reparti. Flamurtari mban rekordin për golat e ardhur nga reparti i avancuar, pasi janë plot 5 sulmues që kanë shënuar në këto 16 javë të para, praktikisht të gjithë lojtarët e sulmit. Kamza dhe Teuta mbajnë rekordin negativ përsa u përket golave të realizuar nga mbrojtja, pasi të dyja skuadrat nuk kanë shënuar ende me lojtarët e repartit të prapavijës.
Pavarësisht se mban vendin e fundit në renditje, Lushnja mund të krenohet me faktin se ka mbrojtjen më shumë golashënues, me plot 3 të tillë, duke lënë pas Skënderbeun dhe Kukësin me nga dy mbrojtës golashënues. Kamza tregon që është një skuadër cinike, pasi ka cuar te goli 5 lojtarë të ndryshëm, 1 mesfushor dhe 4 sulmues, duke shfrytëzuar në maksimum potencialin që zotëron në repartin e avancuar.