Futboll La Liga

Prapaskena, Reali i Madridit tentoi të futej mes Coutinhos dhe Barçës

Ditët e fundit të Philippe Coutinho kanë qenë ndër më intensivet e jetës së brazilianit 25-vjeçar por nuk bëhet fjalë për impenjimet e tij me Liverpoolin në fushën e blertë. Faza finale e bisedimeve mes Barcelonës dhe klubit anglez e përfshiu tërësisht edhe sulmuesin që vendosi veton për t’u bashkuar me çdo kusht me skuadrën katalanase.

Sipas asaj që raporton “Mundodeportivo”, ka pasur një tentativë nga ana e Realit të Madridit për t’i prishur negociatat falë forcës së parasë, por lojtari e kishte bërë zgjedhjen e tij prej shumë kohësh. Plot 200 milionë Euro mendohet se ofroi Florentino Perez dhe sigurisht që Liverpooli u josh nga kjo ofertë por dëshira e lojtarit ndau përfundimisht hesapet dhe tashmë ai është plotësisht një lojtar i skuadrës blaugrana.

Një tjetër prapaskenë interesante e ditëve të fundit është edhe ajo e nevojës së “The Reds” për të arkëtuar sa më shumë sepse financat e Liverpoolit nuk po kalojnë një moment të mirë, të rënduara ndjeshëm edhe nga blerja e mbrojtësit Van Dijk për 85 milionë Euro. Në fakt, Liverpool ishte gati për të pranuar ofertën fillestare prej 110 milionë Eurosh dhe 40 bonuset, por publikimi i kopanisë Nike ku paralajmëroi transferimin, i ktheu bisedimet në pikën zero.

Klubi i kuq e konsideroi këtë veprim si një thikë pas shpine që për më tepër prishte imazhin e Liverpoolit, duke refuzuar në këtë mënyrë edhe ofertën e Barcelonës. Hapin e radhës e hodhi vetë lojtari që u shpreh i gatshëm për ta paguar vetë ai diferencën që i ndante dy presidentët edhe pse në këtë rast bëhej fjalë për 30 milionë Euro. Gjithsesi, Liverpooli e ndezi dritën jeshile vetëm mëngjesin e së Shtunës edhe pse tentoi deri në fund ta mbante lojtarin deri në fundin e sezonit për ta transferuar në verë në Barcelonë.

Ndërkohë për këtë çështje ka ardhur edhe reagimi i paevitueshëm i njeriut të fundit që dëshironte ta humbiste një lojtar të tillë. Trajneri i klubit anglez, Jurgen Klopp thekson se klubi bëri gjithçka që braziliani të qëndronte por ishte e pamundur të refuzonte ofertën e katalanasve.

Ai e pranon se edhe vetë lojtari kishte këmbëngulur disa herë për t’u larguar dhe në këtë situatë nuk mund ta bënte shumë për ta penguar. “Tashmë nuk është më një sekret që Coutinho e ka dashur transferimin që në korrik kur Barcelona shfaqi interes për herë të parë.

Philippe ishte këmbëngulës me mua dhe pronarët e klubit, madje edhe me shokët e skuadrës. Kjo lëvizje ishte e destinuar për t’u bërë. Pavarësisht kësaj ne e mbajtëm lojtarin në merkaton e verës duke shpresuar që ai do të ndryshonte mendim me kalimin e muajve. I siguroj tifozët se bëmë gjithçka për ta bindur”, theksoi trajneri gjerman në konferencën për shtyp. Në fund, ai i fton tifozët të shikojnë përpara edhe pse e kanë shumë të vështirë ta pranojnë largimin e yllit brazilian.

Related posts

ZHVILLIMET FINANCIARE/ Milan zyrtarizon marrëveshjen multimilionere me sponsora gjigant

Delo.autor

ZBULON DEFEKTET E SULMUESIT BENZEMA/ Domenech: Thoshte jam më i miri, e dua topin në këmbë…

Delo.autor

Partizani me marsh të pestë, shqetëson vetëm 1 lojtar

Sadik.Autor

Leave a Comment