Futboll Seria A

Dy muaj me 10 ndeshje pa fitore, rrezikohet pozita e Spallettit

Interi i Luciano Spallettit nuk fiton që prej 2 dhjetorit të 2017-ës, teksa me barazimin e mbrëmshëm ndaj Crotones ka regjistruar edhe ndeshjen e 10 radhazi, mes kampionatit dhe Kupës, që nuk arrin të triumfojë.

Deri pas ndeshjes me Chievon, zikaltrit numëronin 39 pikë në 15 ndeshje dhe kryesonin renditjen, ndërsa në 8 ndeshjet e radhës, kanë marrë vetëm 6 pikë, çka e bën të pashpjegueshme rënien drastike.

Katër barazime 1-1 radhazi, janë shumë për një skuadër si Interi, që tani vuan të gjejë golin dhe për më tepër, nuk është më e pathyeshme. Pikërisht për këtë arsye, në javën e fundit ka përfunduar në bankën e të akuzuarve edhe vetë trajneri Spalletti, që në pjesën e parë të sezonit konsiderohej si ‘ylli’ që ndriçoi ambientin zikaltër.

Në sfidën ndaj Crotones, tekniku zikaltër preferoi sërish dyshen Candreva-Perisic në krahët e sulmit, me italianin që është shndërruar në një lojtar kaotik dhe kroatin, që prej javësh ka humbur freskinë fizike dhe duket sikur luan pa dëshirë në fushë.

Nga ana tjetër, kritikat ndaj Spallettit bëhen edhe më evidente, me zgjidhjen për të lënë në stol Joao Cancelon, të vetmen notë pozitive të Interin të këtyre dy muajve, por edhe blerjen më të re, Rafinhan, që aq sa luajti, tregoi se është i vetmi që mund të orientojë manovrën sulmuese të zikaltërve, përcjell SS.

E ardhmja e Spallettit është në fije peri (Getty Images)

Tifozëve duket se ju humbi durimi dhe kjo u pa qartë nga vërshëllimat e pafundme në përfundim të takimit, ndërsa senator si Perisic, Miranda, etj., i lanë vendin djaloshit Karamoh, por edhe Cancelos që të përballen me mediat.

Javën e ardhshme, në “San Siro” do të zbresë Bologna dhe Spalletti duhet t’i bëjë llogaritë mirë, pasi një tjetër rezultat negative mund të ketë pasoja të menjëhershme, për të ardhmen e tij në stolin zikaltër.

30 minutat e fundit të sfidës me Crotonen treguan se Cancelo meriton më shumë se kushdo, të luajë titullar, ndërsa Rafinha dhe Karamoh, për momentin kanë shumë më tepër dëshirë dhe energji sesa dyshja kroate Perisic-Brozovic.

Luciano Spalletti duhet t’i lexojë mirë këto sinjale dhe të ndërhyjë për të freskuar formacionin dhe shkundur skuadrën, para se të mos ketë më mundësi ta bëjë këtë. Deri atëherë, zikaltërve nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse të luten që Roma dhe Lazio të marrin rezultate negative këtë fundjavë.

Related posts

Icardi shënon edhe një tjetër gol të çmendur

Q.Autor

VLLAZNIA-SKËNDERBEU/ Daja synon fitoren për të hyrë në Europë (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

“KY NUK ËSHTË FUTBOLL”/ Gatuso: 1000 tifozë nuk ndryshojnë asgjë

Delo.autor

Leave a Comment