Futboll

Gilman Lika: Koha të mbajmë pistoleta, ju tregoj tmerrin me Gjokën

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, ishte ai që ndihmoi i pari trajnerin Ernest Gjoka në momentin kur u sulmua nga një person ende i paidentifikuar. Dje, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori tregon tmerrin e përjetuar të enjten pas stërvitjes, si dhe atë që i ka thënë drejtorit të Policisë. “Ka ardhur koha që të dalim në stërvitje dhe ndeshje me pistoleta”, – rrëfen ndër të tjera Lika për bisedën që ka bërë me krerët e Policisë vendore.

Gilman, a mund të na shpjegoni çfarë ndodhi?

Sapo kishim përfunduar stërvitjen dhe në momentin që isha duke u larguar, u ndava edhe me trajnerin Gjoka. I thashë ‘natën e mirë’ dhe u nisa për të ikur nga ambienti stërvitor. Mirëpo, në moment shoh një person që afrohet si me vrull në drejtim të trajnerit. Mendova se s’do kishte punë, por ai iu afrua nga mbrapa dhe e goditi me grusht, ndërsa në dorë kishte një thikë të madhe dhe tentoi ta therte.

Si reaguat ju?

Unë menjëherë reagova dhe u mundova që ta largoj agresorin, në mënyrë që trajneri të mos dëmtohej. Për fat të mirë, edhe disa njerëz të tjerë erdhën dhe ndërhynë duke bërë që ky person të largohet. Në fakt, edhe vetë Gjoka e shtyu, duke reaguar mirë dhe shpëtuar nga thika. Agresori u rrëzua pas reagimit të trajnerit dhe duke parë situatën, menjëherë iku me shpejtësi. Të jem i sinqertë, nuk ia pamë fytyrën. Gjithsesi, më pas denoncuam në Polici. Kaq, nuk më kujtohen gjëra të tjera, pasi u traumatizuam.

lushnja vllaznia sefa lika jorgji

Çfarë deklaruat në polici?

Unë në polici kam deklaruar atë që kam parë dhe atë që ka ndodhur realisht. Pas deponimit u takuam edhe me drejtorin e Policisë së Shkodrës. I thashë atij se kështu si ka ardhur puna, duhet të dalim me pistoleta në stërvitje dhe në ndeshje sepse nuk po na lënë rrugë tjetër.

Si ndihesh pas kësaj ngjarjeje?

Unë në fakt, por edhe të gjithë shokët e ekipit, ndihemi të trishtuar. Ju them me bindje se më mirë të më kishte goditur mua agresori sesa trajnerin. Profesor Ernesti është jabanxhi dhe ne miqtë në Shkodër i presim mirë, ndaj nuk na shkon aspak ajo që ka ndodhur. Jemi të mërzitur, prandaj më mirë të më kishte goditur mua.

A ndikon kjo situatë te lojtarët?

Shumë keq normalisht sepse tashmë s’kemi ku të përqendrohemi më parë, te stërvitja, ndeshja apo të mendojmë për agresorët dhe ata që duan të na godasin. Me atë që ndodhi nuk është goditur vetëm trajneri, por është goditur futbolli në tërësi. Është diçka e turpshme realisht, për të gjithë Shkodrën. Është një turp për të gjithë ne dhe këtu fus edhe veten time brenda. Të tjerët nuk e dinë se kush e ka bërë, përse e ka bërë dhe se çfarë ka ndodhur në detaje. Të gjithë thonë që ka ndodhur në Shkodër dhe është më se e mjaftueshme.

E keni një ide përse ndodhi kjo ngjarje?

Se përse ndodhi, nuk mund të japim një shpjegim. Tani kemi dalë në stërvitje për të gjetur qetësi. Është e vështirë, duke pasur parasysh stresin që kemi përjetuar dhe është e vështirë të rikuperojmë atë që kemi përjetuar. Është një siklet i madh. Ne duhet ta kemi mendjen te ndryshimi i situatës sportive, flas për rezultatet, por tani duhet ta kemi mendjen te këto ngjarje të shëmtuara. Nuk po gjejmë rehatinë dhe qetësinë e duhur. Nuk duhet të ndodhte ai sulm ndaj trajnerit Gjoka.

Related posts

ZYRTARE/ Lokomotiva e Zagrebit “fiksohet” me shqiptarët, firmos me sulmuesin 20-vjeçar

Delo.autor

Messi shfaqet pas Botërorit, zbarkon në Barcelonë me familjen e tij (FOTO)

Isa.Autor

Botërori dhe rekordi i Islandës që askush nuk do ta thyejë

Sadik.Autor

Leave a Comment