Futboll

Angli-Itali, dikur Di Biagio e Southgate sfidoheshin në fushë

Italia do të përballet ditën e martë në një miqësore tjetër luksi, pas Argjentinës, këtë herë me Anglinë në “Wembley”. Por, siç vërejnë mediet italiane, kjo sfidë, që si rrallëherë zhvillohet mes një kombëtareje që përgatitet për Botërorin e radhës në Rusi, ndërsa tjetra ka nisur revolucionin pas mospjesëmarrjes zhgënjyese në një turne kaq madhor, ka një të veçantë.

 

Në pankinat respektive qëndrojnë Gareth Southgate dhe Luigi Di Biagio, edhe pse ky i fundit, ndryshe nga i pari, e di prej fillimit se do të jetë trajner i përkohshëm. Pikërisht këtu vlen të hapen faqet e historisë.

Në formacionet e ndeshjes Angli-Itali të 27 marsit të vitit 2002, plot 16 vite më parë, ku në Leeds të mbretërisë ishullore do të siglohej fitorja e fundit e “të kaltërve” kundrejt “tre luanëve”, do të ishin të pranishëm edhe trajnerët aktualë të të dyja kombëtareve, Southgate e Di Biagio.

Asnjëri prej tyre nuk do të luante nga fillimi e deri në fund të ndeshjes. Southgate do të zëvendësohej pas pushimit midis pjesëve, ndërsa Di Biagio do të nxirrej nga fusha në minutën e 57 nga trajneri i asaj kohe, Trapattoni. Italia asokohe përgatitej për aventurën e Botërorit të Japonisë dhe Koresë së Jugut, aventurë që u mbyll shumë shpejt në 1/8-at e finave, falë gabimeve të “të kaltërve”, por edhe gafave të arbitrit Moreno.

Italia do të fitonte në miqësoren e Leedsit – ndeshja u luajt atje pasi mitiku “Wembley” ishte mbyllur në vitin 2000 për të nisur punimet ristrukturuese, – falë një dygolëshi të Vincenzo Montellës. Anglezët, gjithsesi, do tëkalonin në avantazh në minutën e 63-të me anë të Fowler, pas një topi të humbur nga Nesta, por Montella do të barazonte shifrat pas vetëm 4 minutash. Ndërsa goli i avantazhit do të shënohej në kohën shtesë, përmes një goditjeje nga 11-metërshi, të cilën nuk mund ta gabonte “aeroplani”.

Në portën e Italisë, atë ndeshje ishte Gigi Buffon, e thënë ndryshe i vetmi lojtar që i ka mbijetuar viteve dhe qëndron aktiv edhe sot e kësaj dite. Nga anglezët e asaj epoke, vetëm Joe Cole, 36 vjeç, luan ende me Tampa Bay Rowdies.

Një tjetër detaj që bie në sy është fakti se shumë prej lojtarëve italianë të asaj kohe, sot i gjejmë trajnerë. Përveç Gattusos, asokohe lojtar i Milanit ndërsa sot trajner i kuqezinjve, ishte edhe Cannavaro, i cili sot drejton Guangzhou Evergrande; Nesta, ish i Miamit; Materazzi, ish i Chennaiyin; Iuliano, herën e fundit te Partizani i Tiranës; Panucci, aktualisht trajner i Shqipërisë; Di Biagio, sot teknik i përkohshëm i Italisë; Zambrotta, ndihmës te Jiangsu Suning; e i fundit Montella, sot trajner i Sevillas.

Meqë po flasim për trajnerë, Trapattoni i Italisë së atyre viteve e ka mbyllur tashmë karrierën dhe sapo ka festuar 80-vjetorin e linjes, ndërsa Sven Goran Erikson, që mbushi 70 vjeç në shkurt, eksperiencën e fundit si trajner e pati në vitin 2017 në Kinë, me ekipin e Shenzhenit.

Related posts

E PABESUESHME/ DILEMA e madhe e portës së REALIT, Lopetegui do të startojë me…

Isa.Autor

Lotar Mateus tregon prapaskenat: Ja pse Bajerni nuk bleu Ronaldon

Isa.Autor

Sindrit Guri hedh të zezën mbi të bardhë, zyrtarisht ”belg”

Sadik.Autor

Leave a Comment