Faza e tretë nisi ashtu siç pritej. Gjyqtarët duket se do të jenë sërish përcaktues në një masë të madhe për sa i përket ndeshjeve dhe objektivave të klubeve. Lezhiani Edvin Hoxha bëri një arbitrim skandaloz në ndeshjen mes Apolonisë dhe Bylisit.
Një karton i kuq i padhënë për ballshiotët, një penallti e pastër e paakorduar për Apoloninë dhe në fund një 11-metërsh shumë i dyshimtë për Bylisin. Gjyqtari Hoxha ishte deciziv në përcaktimin e rezultatit të ndeshjes në Fier, ku pamjet filmike janë shumë të qarta. Për sa i përket ndeshjes së fushë, fierakët tregojnë sërish se nuk tolerojnë askënd.
Lezhjanët që këtë sezon luftojnë për mbijetesë, mundën Turbinën 4-3. Një sfidë ku miqtë edhe pse kaluan të parët në avantazh, nuk arritën ta ruanin avantazhin. Një përmbysje e Shënkollit që ngjitet në krye të Grupit të “play-out”-it duke iu larguar vendeve të fundit. Shkumbini mund Ilirinë me golin e Llucës dhe merr disi frymë lirisht.
Në Grupin A, Kastrioti është ndalur në transfertën e Lezhës në një barazim pa gola. Megjithatë, krutanët vazhdojnë të jenë në krye të shkëputur dhe gjasat janë që të mos rrezikojnë asgjë deri në fund. Nga ana tjetër, Besëlidhja humbi shansin e fundit për të shkurtuar diferencën me Kastriotin e kreut dhe për të shpresuar deri në fund për ngjitjen.
Në përballjen tjetër, Erzeni nuk fal në fushën e vet duke mundur Egnatian 3-1 dhe i merr vendin e dytë. Blerja më e bujshme e janarit, Mustafa Xhixhiua vazhdon të shënojë dhe japë asiste pasi është përshtatur shumë mirë me skuadrën shijakase.
Erzeni ngjitet në vendin e dytë në grup, shtatë pikë më pak se Kastrioti. Për shijakasit është shumë e vështirë që të rikuperojnë këtë diferencë në shtatë ndeshje, megjithatë do të tentojnë. Në grupin e “play-out”-it parashikohet një “luftë” e vërtetë deri në fund.
Nga vendi i parë deri në të fundit, diferenca mes skuadrave është vetëm katër pikë. Besa duket se po gjen formën e duhur në këtë fazë të fundit dhe finale të kampionatit. Kavajasit morën të shtunën fitoren e tretë radhazi duke mundur Tërbunin. Pas shumë vuajtjesh dhe rastesh të humbura, ishte Dikson që shënoi dhe i dha fitoren Besës. Kavajasit janë në krye të grupit, ndërsa besohet shumë te mbijetesa. Burreli që e nisi sezonin në mënyrën më të keqe të mundshme, tashmë nën drejtimin e Julian Ahmatajt dhe me shumë ndryshime të bëra në merkaton e janarit, po kalon një formë të mirë. Matjanët fituan 2-1 ndaj Korabit dhe ngjiten në vendin e dytë. Majkëll Peçi, një zbulim i Burrelit, shënoi një prej golave, duke treguar se është shumë i nevojshëm.