Barazimi i fundit me Skënderbeun ishte paksa i dhimbshëm për Teutën që u ndëshkua vetëm në fund nga ana e korçarëve. Gjithsesi të barazosh përballë skuadrës më të fortë të Superiores mund të shërbejë së tepërmi për moralin e ekipit dhe këtë javë me Lushnjën, Teuta mund të ketë shansin që të kthehet te fitorja pas katër ndeshjesh. Logjikisht kjo duhet të jetë ndeshja më e lehtë në letër për Teutën, por në fakt këtë kampionat nuk ka rezultuar aspak kështu me Lushnjën që i ka marrë 4 pikë durrsakëve, të cilat në këto momente peshojnë jo pak në renditjen e përgjithshme.
Por tanimë ka ardhur momenti që durrsakët të mos lëshojnë më pikë sidomos ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejtë. Fitorja e Teutës do t’i jepte mundësinë “djemve të detit” që të afrohen me Vllazninë, duke marrë në konsideratë dhe kalendarin e shkodranëve që luajnë në Kukës. Në 3 javët e fundit me Partizanin, Kukësin dhe Skënderbeun, Teuta mendohej se do të mbetej me zero pikë, por në fakt ekipi i Begejas ka marrë 2 barazime dhe mund të kishte dalë me pikë dhe nga Kukësi me pak kujdes duke treguar se në momente të vështira Teuta ka ditur të reagojë.
Nga tani e mbrapa për durrsakët çdo ndeshje do të jetë pothuajse si një finale, përfshirë dhe kjo me Lushnjen, që në pamje të parë mund të duket finalja më e thjeshtë për t’u fituar, por lagunarët kanë treguar se pa presionin e rezultateve luajnë mirë futboll dhe mund të hapin jo pak probleme, dhe katër pikët e marra në ndeshjet direkte ndaj Teutës janë një lloj treguesi. Ndaj për të mbijetuar në Superiore, Teuta këtë herë nuk duhet të hedhë më hapa fals, sepse më pas rruga drejt shpëtimit do të bëhej dhe më e vështirë seç është.