Futboll

Spalletti përgatit strategjinë për të mposhtur Milanin në derbi

Vetëm 3 ditë para derbit të Madonninës, duket se Luciano Spalletti i ka të qarta idetë se si do të përballojë Milanin.

Nga stërvitja e fundit, duket se trajneri zikaltër e ka ndarë mendjen për formacionin dhe strategjinë që do të ndjekë, për të marrë 3 pikët ndaj kuqezinjve, ndërsa dilemat tashmë janë shumë të vogla.

Kështu nga fillimi do të luajnë: Handanoviç; Cancelo, Skriniar, Miranda, D’Ambrosio; Gagliardini, Vecino, Borja Valero; Candreva, Perisiç, Icardi.

Pra, Spalletti ka ndërmend ta nisë takimin me një rreshtim 4-3-3, për t’iu përgjigjur formacionit të Gattusos, por që shndërrohet edhe në 4-2-3-1, me avancimin e Borja Valeros në momente të caktuara.

Synimi i Spallettit është që të shfrytëzojë lodhjen te kundërshtari, që vjen pas 210 minutave shumë impenjative në kryeqytet, fillimisht ndaj Romës dhe më pas ndaj Lazios.

Duke qenë se Milani është pritës dhe do të ketë pjesën dërrmuese të tifozërisë, pritet që ta nisë ndeshjen me shumë entuziazëm dhe tekniku zikaltër do të synojë që të ulë ritmin e takimit dhe të mbajë larg kundërshtarin sa më gjatë të mundet, me shpresën se me kalimin e minutave, ata do të ndjejnë lodhjen e akumuluar.

Më pas, në 30 minutat e fundit pritet të ketë hapësira për dy lojtarë shumë të shpejtë dhe teknikë, si Rafinha dhe Karamoh, të cilët mund të bëjnë vërtetë diferencën dhe të shfrytëzojnë në maksimum lodhjen e kundërshtarit.

Gjithashtu, në varësi të ecurisë së lojës, si zëvendësues mund të aktivizohen edhe Eder ose Brozoviç.

Nga ana tjetër, Gattuso pritet të ndryshojë vërtetë shumë pak, pasi është ky formacioni fitues në këto muaj të parë të 2018-ës dhe vështirë se stoli mund të jetë në lartësinë e titullarëve.

 

Related posts

Ylli i Juventusit mendon largimin

Q.Autor

E PABESUESHME/ KORRUPSION dhe lidhje me KRIMIN, ARRESTOHET kreu i federatës së…(FOTO)

Isa.Autor

VLLAZNIA-TIRANA/ Ja kush do gjykojë ndeshjen në Shkodër

Delo.autor

Leave a Comment