Futboll

Thyen tersin, goli i Çanit i jep fitoren Partizanit

Është mbyllur mbërmjen e sotme java e 26-të e Kampionatit Shqiptar të Kategorisë Superiore, me superndeshjen Partizani-Flamurtari, përfunduar me fitoren e ngushtë të të kuqve me rezultatin 1-0. Një fitore që mban firmën e sulmuesit Edgar Çani. Ish-futbollisti i përfaqësueses së Shqipërisë, pikërisht në ndeshjen e tij të pestë me të kuqtë në këtë sezon, ka shënuar golin e parë me skuadrën e Partizanit. Pas kësaj fitore, skuadra e Partizanit ngjitet në vendin e katërt, në kuotën e 39 pikëve, duke parakaluar Flamurtarin dhe Luftëtarin, për tu futur seriozisht në garë për një vend në Kupat e Europës. Nga ana tjetër, skuadra e Flamurtarit mbetet në rënie të lirë. Vlonjatët pas humbjes së sotme shënojnë plot 6 ndeshje pa fitore, me katër humbje dhe dy barazime.

Një pjesë e parë për tu harruar, me vetëm tre raste për të përmendur. Janë miqtë nga Vlora ata që lëshojnë sinjalin e parë në të 26’, kur Hoxhaj pasi ndal një top në zonë, rrëzohet gjatë dyluftimit me Kotobellin, por për arbitrin gjithçka ishte e rregullt, madje ka ndëshkuar lojtarin e Flamurtarit për simulim. Në të 39’ janë sërish kuqezinjtë ata që rrezikojnë me Zuka, por topi i goditur prej tij përfundon në pjesën e jashtme të shtyllës së portës së kuqe. Është Alves ai që në të  42’ ka shansin më të mirë për të shënuar, kur pas një shërbimi nga e djathta, vetëm pak metra larg portës së Hoxhës, ka goditur gjatë rënies, por topi ka përfunduar jashtë kuadratit.

Pjesa e dytë ka folur më shumë në favor të skuadrës së Partizanit, e cila në të 55’ ka kaluar në avantazh. Ishte i aktivizuari si zëvendësues, Edgar Çani ai që me të fituar duelin në ajër, ka dërguar topin në rrjetë pas një topi perfekt të krosuar nga e majta. Është sërish Çani ai që pak minuta më vonë dërgon sërish topin në portën e vlonjatëve, por për arbitrin ishte në pozicion jashtë loje. Edhe minutat në vijim kanë folur vetëm në favor të Partizanit, ndonëse të kuqtë nuk kanë arritur të konkretizojnë me gol rastet e krijuara.

Partizani-Flamurtari 1-0

Shënues: Çani 55’

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Gojkovic, Belica, Kotobelli, Batha, Mala, Trashi, Asani, Bardhi, Progni.

Trajner: Klevis Dalipi

Flamurtari: Sali, Deliaj, Pollozhani, Veliu, Musta, Sidibe, Useini, Juffo, Hoxhaj, Danilo Alves, Bushic.

Trajner: Shpëtim Duro

Arbitër: Andi Koçi

Related posts

GARA PËR “KËPUCËN E ARTË”/ 10 golashënuesit më të mirë në Evropë

Delo.autor

PAS DISFATËS NDAJ TIRANËS/ Flet trajneri Cungu: Zhgënjimi i madh erdhi për shkak të…

Delo.autor

ËSHTË I HUAZUAR NGA PARTIZANI/ Ja kur do të prezantohet Jasir Asani tek klubi i ri në Suedi

Delo.autor

Leave a Comment