Champions League Futboll

Analiza/ 10 arsye për të shpjeguar eliminimin qesharak të Barcelonës

Barcelona i tha lamtumirë Ligës së Kampionëve të këtij edicioni në çerekfinale. E bëri këtë në mënyrën më të keqe të mundshme. Ajo është befasuar nga një skuadër e vogël, krahasuar me të, të cilën e kishte mundur pastër, 4-1, në ndeshjen e parë të këtij raundi, në “Camp Nou”. Rezultati 3-0 në “Olimpico” ndoshta ishte i tepruar, për atë që shihej në fushën e blertë, megjithatë, nuk ka ndonjë justifikim të mundshëm për skuadrën e Valverde, e cila synonte të fitonte Champions-in, si pjesë e “tripletës” së mundshme sezonale, dhe që në radhët e veta ka lojtarin më të mirë në botë. Ka shumë faktorë që kanë precipituar në këtë rënie të fuqishme të katalanasve në Europë. Për ta analizuar atë, duhet të kthehemi në verën e kaluar, ku është edhe fillimi i këtij “tregimi”.

Largimi i Neymar
Ishte një goditje në “thembrën e Akilit” të Barcelonës. Askush nuk e priste diçka të tillë dhe largimi i sulmuesit brazilian drejt PSG-së e kapi tërësisht në befasi skuadrën, sepse nuk ishte në gjendje dhe nuk pati kohë fizike të reagonte. Mungesa e tij ishte e rëndësishme, sepse braziliani ishte një kundërpeshë e përkryer ndaj Messit, sidomos në ditën kur argjentinasi nuk shfaqej si duhej.

Katastrofa e merkatos verore
I shkatërruar nga largimi i brazilianit Neymar, sekretariati teknik i Barcelonës zgjodhi si zgjidhje zëvendësimi e tij me Dembélé, një lojtar 20-vjeçar, që i mungonte përvoja. Koha e tregoi se francezi nuk e ka të lehtë të përshtatet me skuadrën e të tij të re, aq më tepër kur bëhet fjalë për filozofinë e veçantë të lojës blaugrana. Megjithëse u tentuan disa nënshkrimeve të tjera verën e kaluar, si Coutinho, Íñigo Martínez, Ander Herrera, apo Di María, klubi nuk ishte i aftë t’i sillte ata në “Camp Nou” asokohe, duke e lënë skuadrën të çalë dhe pa forcë.

Objektivi i gabuar në merkaton e dimrit
Barcelona kishte mundësinë për të ndrequr gabimet në merkaton e dimrit (janarin e këtij vit). Situata ishte e përsosur, pasi skuadra tashmë kishte një ndryshim të mirë në La Liga dhe u kualifikua për në fazat me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve. Edhe pse klubi tashmë e kishte zbuluar se kishte nevojë për përforcime në Champions, vendosi të nënshkruante me Coutinho, yllin brazilian, që nuk mund të luante në Europë me Barcelonën këtë sezon (kishte luajtur më parë me Liverpool). Dhe Yerry Mina, “firma” tjetër e dimrit, nuk ka debutuar në Champions. Shpenzimi ishte 131 milionë euro.

Valverde nuk racionalizoi forcat
Pavarësisht nga fakti se në La Liga ka kryesuar gjithë sezonin, trajneri Valverde nuk iu ka dhënë fare pushim yjeve, në funksion të garës madhore kontinentale. Barcelona e ka pasur në “xhep” për muaj me radhë La Liga-n, por trajneri i saj ka pasur shumë frikë të humbasë dhe ka luajtur pothuajse gjithmonë me më të mirët, përfshirë edhe yjet. Nuk i ka kursyer këta të fundit edhe në ndeshjet, në të cilat është shfaqur superioriteti i Barcelonës. Minutat e tepërta në këmbët e Messi, Suarez, Iniesta, Rakitic, Busquets, Piqué dhe Alba kanë bërë që këta lojtarë të jenë të lodhur në pjesën e fundit të sezonit. Humbja 3-0 në “Olimpico” ishte dëshmia më e qartë e kësaj gjëje.

Vetmia e Leo Messit
Argjentinasi ka qenë vendimtar në këtë sezon. Nëse nuk ishte për të, skuadra katalanase me siguri nuk do të ishte lidere në La Liga dhe nuk do të kishte mbërritur në finalen e Kupës së Mbretit, por Leo thjesht nuk mundet. Problemi, siç ndodhi të martën në Romë, është se, kur ai nuk është në një ditë të mirë, askush tjetër nuk duket. Suarez ka qenë në hije në disa ndeshje të sezonit, por kohët e fundit nuk ishte aq mirë, veçanërisht në Europë. Sulmuesi uruguajan, megjithatë, nuk ishte problemi. Mungesa e golave ​​nga lojtarët e vijës së dytë ka qenë defekt i dukshëm, me 18 ndeshje pa shënuar, përveç rastit të Coutinho, i cili në Europë nuk mund të luajë.

Transferimet pa peshë
Pasi kaloi 320 milionë euro shpenzime mes merkatos së verës dhe dimrit, transferimet e Barcelonës nuk kanë pasur peshë në skuadër. Coutinho nuk mund të luajë në Europë. Dembele deri më sot ka qenë një fiasko. Paulinho zgjati tre muaj dhe ka munguar që nga janari. Semedo është zëvendësuesi i Sergi Roberto në krah. Yerry Mina nuk ekziston për Valverde dhe Deulofeu, tashmë është larguar nga klubi. Menaxhim mjaft i keq i sekretariatit teknik.

Pak besim i Valverde në stol
Valverde ka qenë shumë konservator. Ai ka luajtur gjithçka me titullarët. Fillimisht menaxhimi i tij ishte i shkëlqyeshëm, për të rimarrë besimin e futbollistëve si Iniesta, Rakitic dhe Alba, por pasi e konsolidoi këtë, nuk ka qenë në gjendje të japë alternativa ndaj lojtarëve të stolit, apo akademisë. Dhe nëse e ka bërë këtë, si në rastin e André Gomes apo Paulinho, ata nuk ia kanë shpërblyer. Alcácer, Denis Suárez, Vermaelen dhe Yerry Mina janë llogaritur vetëm në raste nevojash ekstreme.

Lojtarët nuk mësojnë nga gabimet
Çfarë ndodhi me katalanasit në “Oli”pico” të Romës ishte një histori e ngjashme me atë që lojtarët e Barcelonës kishin përjetuar sezonin e kaluar kundër PSG-së në Paris dhe ndaj Juventusit në Torino, ballafaqime në të cilat ata u mposhtën me një përplasje. Europa të mëson se nuk mund t’i jepni një avantazh minimal kundërshtarit. Ashtu si sezonin e kaluar në Paris dhe Torino, Barcelona nuk u paraqit me intensitetin e duhur. Ndoshta kishte një tejkalim besimi në vetvete ga epërsia 4-1 e ndeshjes së parë, çka në këtë rast ishte fatal. Mungesa e qëndrueshmërisë së Barcelonës në “skenarët” e mëdhenj është shqetësuese.

Përkeqësimet e papritura
Janë dy lojtarë, performanca e të cilëve ka rënë në një mënyrë alarmante: Umtiti dhe Paulinho. I pari prej tyre ishte një lojtar kyç, në qendër të mbrojtjes. Pjesa e tij e parë e sezonit ishte e jashtëzakonshme. Megjithatë, pasi lëndimit, qendërmbrojtësi nuk ka qenë i njëjti. I gjithë procesi i rinovimit të tij e ka ngatërruar psikologjikisht francezin. Ai ka mbushur një muaj, në të cilin po bën gabime njëri pas tjetrit, ndërsa kërkon më shumë miliona si pagë. Edhe Paulinho e filloi shumë mirë, por po bëhet lojtari (i papeshë), që të gjithë kishin frikë në fillim, kur mbetën të habitur nga 40 milionë eurot e shpenzuara për të. Që nga janari ai mungon.

Mungesa e vetëkritikës
Leo Messi dhe rezultatet po i mbulonin këto mangësi. Skuadra filloi të tregonte simptoma të lodhjes, por nuk donte të paralajmërohej. Valverde minimizoi ndeshjen katastrofike në Sevilla, në të cilën duhej të përdorte një Messi nga stoli, më të cilin të “nxirrte gështenjat nga zjarri”. Trajneri tha se ndeshja e parë kundër Romës ishte e mirë, ndërkohë që, realisht, të tijtë përsëri treguan boshllëqe.

Related posts

Neymar: Presim një ndeshje të mrekullueshme, Madridi më motivon

Q.Autor

NË PRAG TË NDESHJES CHAMPIONS NDAJ AJAXIT/ Ja ylli që nuk do jetë gati për çerekfinalen

Delo.autor

SPRINT MË SHUMË SE 70 METRA/ Fantazisti shqiptar shkëlqen me dopietë në Angli (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment