Futboll Sport

Dalipi i jep përgjigje Starovës, nuk harron as tendencën e medias

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, foli nga një konferencë për shtyp ditën e sotme. Ai u paraqit para gazetarëve në zyrat e klubit të kuq. Tekniku i të kuqve flet për rëndësinë e këtij takimi, “armiqtë” në media, që sipas tij kanë tendenca të caktuara, ndërkohë që pranon vetë se raporti i tij me Starovën nuk është më i mëparshmi, edhe pse këmbëngul se do të jenë miq, pasi kanë vite që punojnë. Më poshtë prononcimi i tij për mediat.
Si është atmosfera pas humbjes me Skënderbeun dhe pas reagimit të klubit në lidhje me pozicionin tuaj dhe lojtarëve pa kontratë?
Kjo situatë ka qenë dhe para ndeshjes me Skënderbeun. Kemi punuar me lojtarët për ta mbajtur skuadrën të karikuar dhe të vëmendshme gjatë seancave stërvitore. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe si i tillë dhe rezultati. Të gjithë e panë se ne u munduam maksimalisht shumë dhe provuam shumë për të fituar, sidomos në pjesën e parë. Kemi punuar nga ana psikologjike, që unë së bashku me lojtarët, kur të futemi në fushë, të mendojmë vetëm për futbollin e luajtur dhe t’i lëmë mënjanë gjërat e tjera. Pjesa e parë shkoi mirë, por dëmtimi i Lucas-it më dha disavantazh të madh.
Gjatë kësaj jave ka patur sërish tendenca të tilla, që nuk i shërbejnë skuadrës. Por gëzoj mbështetjen maksimale të presidentit. Ka qenë një javë shumë serioze para ndeshjes me Lushnjen, një transfertë shumë e vështirë, pavarësisht se skuadra e Lushnjes luan futboll, edhe pse ka dalë nga objektivat. Nga eksperienca si lojtar, kam mësuar se takime të tilla duhet të përgatiten me më shumë seriozitet se sfidat ku lojtarët karikohen vetë. Respekt maksimal për Lushnjen, pasi ka treguar që di të fitojë dhe jashtë fushe. Mbaj mend një transfertë kundër Kukësit. Ata i kanë të gjitha mundësitë, por ne kemi objektiva më madhore. Ne shkojmë për të marrë 3 pikët. Do jetë ndeshje shumë e vështirë, por duam 3 pikët.
– Flisni për tendenca mediatike, por ku i shihni këto tendenca. Trajneri Mario Tokic ishte në stadium, pse duhet të flisni për tendenca, kur flitet për një realitet?
E morët përgjigjen nga presidenti. Ai mund të jetë në stadium për arsyet e veta. E rëndësishme është që unë deri në fund të sezonit kam besimin e presidentit dhe lojtarëve. Punoj shumë i qetë, pavarësisht se ajo humbje më mërziti. Por e tregova para gjithë medieve se do të vazhdoj punën time i qetë.
Të tilla gjëra na karikojnë dhe mua dhe skuadrën më shumë, na bëjnë më të fortë.
– Sërish nuk e kuptova pjesën e tendencës, flisni sikur po sulmohet vetëm Partizani dhe Dalipi…
– Nuk ka vend për debat. Nuk do të bëjmë replika. Kam një ndeshje shumë më të rëndësishme për të menduar dhe këtë e anashkaloj. Besoj se e keni marrë përgjigjen. Fundi i sezonit është i vështirë, pasi lojtarët duhet të mbahen gjithmonë të karikuar. Në javët e fundit, dashje pa dashje, intensiteti dhe rezistenca e lojtarëve bie. Deri tani skuadra po funksionon mirë, jam shumë i kënaqur me atë që po tregon. Kjo gjë më bind se do të japim gjithçka për të arritur objektivin tonë të Evropës. Dua të fokusohem te kjo gjë. Gjërat e tjera të ia lëmë kohës.
– A është mbyllur kapitulli juaj si trajner i dytë?
– Ka filluar një kapitull i ri për mua. Do të mendoj gjithmonë për më mirë. U afirmova si trajner i parë te Partizani dhe kjo do të thotë shumë për karrierën time. Dua të vazhdoj si trajner i parë. Nuk mund të emërohesh si trajner i parë i Partizanit, nëse nuk arrin objektivin e Evropës.
– Jeni i befasuar nga deklaratat e Starovës, që ishte i mërzitur dhe i befasuar për mënyrën si e keni drejtuar skuadrën kur ishte i dënuar?
– Nuk i shoh shkrimet në gazeta, pasi jam i fokusuar te skuadra. Nuk besoj se një intervistë apo një deklaratë mund të thyejë marrëdhënien time me trajnerin Starova. Kemi punuar 3 vite me njëri-tjetrin. Do jemi gjithmonë miq dhe jemi profesionistë. Do të vazhdojmë të jemi, pavarësisht se kemi disa hatërmbetje. Starova do të gëzoj respektin tim maksimal.
– Mendoni se do të ishte fatale nëse do të merrnit një barazim me Lushnjën?
– Nuk mund të hamendësojmë. Ne nuk futemi për barazim, por për të marrë maksimumin. Skuadra duhet të mendoj vetëm gjëra pozitive, pastaj shohim se çfarë ndodh. E rëndësishme është që të bëjmë çfarë bëjmë në stërvitje. Nëse nuk arrihet objektivi, atëherë është problem për të gjithë.

Related posts

U PARALIZUA 20 VITE MË PARË/ Andi Lila i dhuron një shtëpi të re futbollistit legjendar

Delo.autor

BËRI NJË SHAKA ME TË NË “TIKTOK”/ Lukaku gati të marrë vendimin drastik ndaj Romës

Delo.autor

Manchester City kalon në fazën tjetër të FA Cup, eliminohet Stoke City i Shaqirit

Q.Autor

Leave a Comment