Futboll Sport

Futi në sherr Shqipërinë e Kosovën, talenti zgjedh kombëtare tjetër?

Në të trija ndeshjet e zhvilluara Kosova nuk ishte pranuar akoma në UEFA apo FIFA dhe, si rezultat i kësaj, prioriteti kryesor i lojtarëve shqiptarë ishte të luanin me kombëtaren kuqezi. Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA në maj të 2016-s ishte fillimi i një beteje të ashpër për të siguruar talentet shqiptare nëpër botë, që kryesisht janë me origjinë nga Kosova. Në fakt, Kosova pretendon se ka të drejtën të zgjedhë e para, pasi shumë prej tyre kanë lindur në Kosovë. Shqipëria nga ana tjetër kërkon të vazhdojë rrugën e përhershme, duke ftuar çdo lojtar që ndihet shqiptar.


Përplasja e parë e madhe midis dy federatave respektive do të vinte për shkak të Milot Rashicës. Lojtari ka qenë titullar me kombëtaren U-21 të Shqipërisë, gjithashtu pjesë e listës paraprake të Euro 2016, por i zhgënjyer nga fakti që nuk u thirr në listën finale të skuadrës që mori pjesë në Evropianin e Francës vendosi të luante për Kosovën. Shqipëria nga ana tjetër arriti të bindte disa talente si Liridon Latifi, Eros Grezda, Enis Gavazaj e Ylber Ramadani. Lojtari i fundit që shkaktoi probleme midis dy kombëtareve ishte Edon Zhegrova.


Por kohët e fundit një tjetër lojtar është bërë “mollë sherri” midis dy kombëtareve. Po flasim për Lirim Kastratin, 19-vjeçarin që luan aktualisht me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci. Djaloshi ka lindur në Kosovë, por është rritur në akademinë e Shkëndijës në Tiranë. Fillimisht u grumbullua me përfaqësuesen U-19, por nuk shfaqi aftësitë që të gjithë shpresonin. Që këtu filloi interesimi i Kosovës, dhe për 8 muaj lojtari është ndjekur sistematikisht nga vëzhguesit kosovarë, por ai kërkonte të luante vetëm me ngjyrat kuqezi, duke u vetëofruar. Më vonë kalon të Kombëtarja u-21 dhe me anë të paraqitjeve të mira, tërheq vëmendjen e vëzhguesve kroatë, që e transferojnë te Lokomotiva ku po tregon një formë të shkëlqyer. Por në momentin që ishte duke u vëzhguar nga FSHF, Kosova e grumbullon tek U-21, duke akuzuar Shqipërinë se ishte përpjekur ta “grabiste”. Në pamje të parë duket i njëjti skenar, por mesa duket përfundimi mund të jetë ndryshe këtë herë.


Burime të besueshme pranë lojtarit kanë konfirmuar ekskluzivisht për “Eduasportin.com”, se Kastrati ka aplikuar për marrjen e nënshtetësisë kroate, dhe diçka e tillë nuk e lejon të marrë pasaportën e tretë, atë shqiptare, duke e bërë të pamundur për momentin aktivizimin me Shqipërinë. Lojtari mund të justifikohet me faktin që kjo mund t’i shërbejë për të luajtur më lehtë në kampionatin kroat dhe në vendet e BE-së, por mesa kemi kuptuar kroatët nuk janë aq racistë, sa që të detyrojnë të kesh një pasaportë kroatë, në mënyrë që të luash. Nuk do të ishte çudi që Kastrati shumë shpejt të bëhet pjesë e përfaqësueses së Kroacisë, duke lënë me gisht në gojë Shqipërinë dhe Kosovën. Të humbasësh një talent në këtë mënyrë, kur në të kaluarën dëshironte vetëm ngjyrat kuqezi, të bën të mendosh se janë të tjerët që e kanë shtyrë djaloshin drejt zgjedhjes së një rruge të tretë.

Related posts

ZYRTARE/ Një nga më të mirët e FIFA-s dhe UEFA-s, gjyqtari spanjoll rezulton pozitiv me Covid-19

Delo.autor

Kapiteni i Francës ngre në “qiell” trofeun, festa zhvillohet nën shi

Isa.Autor

YLLI I JUVENUSIT DO MARCELON/ Gati goditja e radhës falë mesazheve të CR7

Delo.autor

Leave a Comment