Futboll Sport

Heynckes: Besimi mund të lëvizë edhe malet, të përsëritim vitin 2013!

Trajneri i Bayern Munich e sheh ekipin e tij në një mënyrë të ngjashme me atë kur ata eliminuan Real Madridin në vitin 2013, edhe pse nuk evidenton një favorit të qartë.

Arbitri: “Unë nuk kujdesem për këtë. Duhet të them se gjatë gjithë karrierës sime si trajner jam sjellë me respekt ndaj gjyqtarëve. Në pjesën më të madhe kam pasur gjykim objektiv, mendoj se kështu do të ndodhë edhe nesër. Eshtë një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve dhe zakonisht janë gjyqtarët më të mirë. Pra, kam besim të plotë tek arbitri nesër. E njoh mirë Kuipers dhe dua të them se jam shumë i qetë”.

Penalltia kundër Juventusit: “E pashë atë në televizor dhe kam formuar mendimin tim. Mund të jetë një vendim i gabuar, por nuk mund ta përballosh një ndeshje me ato mendime. Kredoja ime nuk është për të shkuar deri atje, në minutat shtesë. Gjithçka është në duart tona, prandaj nuk shqetësohem për arbitrin. Vetë arbitrat, gjithashtu, dëshirojnë të tregojnë se e meritojnë të gjykojnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.

Ndeshja dhe Ronaldo: “Siç kam thënë edhe më parë, është një gjysmëfinale e Champions-it, ku marrin pjesë katër skuadrat më të mira. Nesër do të jetë një lojë shumë e rëndësishme, si sonte në Liverpool. Respektoj çdo ekip dhe çdo lojtar, prandaj edhe Cristiano Ronaldon. Deri më tani ai ka pasur një karrierë unike. Por, Liga e Kampionëve fitohet nga skuadra që është më homogjene dhe luan futboll optimal. Nuk duhet të harrojmë se edhe ne kemi një lojtar si Lewandowski, i cili ka shënuar 39 gola zyrtarë në këtë sezon”.

Ronaldo apo Lewandowski: “Kjo është një pyetje që nuk ka vëmendjen e asnjërës skuadër, besoj. Kjo mund t’ju intrigojë juve, gazetarëve, por nuk është çështje e rëndësishme për të dyja klubet. Bayern Munich është shumë i kënaqur me Lewandowski. Ka shënuar një numër të madh golash, është një lojtar shumë pozitiv, i cili bën gjithçka për futbollin dhe qëndron në formë”.

Zidane: “Unë jam përballur me shokët e mi të mëdhenj, si Arrigo Sacchi, Marcelo Lippi… Kam pasur përballë thuajse të gjithë trajnerët e mëdhenj. Më duhet të them se jam një tifoz i madh i “Zizou”, fillimisht si lojtar dhe tani si trajner. Rezultatet dhe puna tregopnë se Zidane është një trajner model. Kanë qenë gjithmonë duele të mëdha mes Bayern Munich dhe Real Madrid. Nesër, miliona njerëz do ta shohin lojën në televizion, me pasion, me gëzim dhe me trishtim. Unë jam një person i qetë dhe i matur, ndaj duhet të them se e pranoj ndeshjen ashtu siç është, pa emocione të mëdha. Gëzimi dhe emocionet do të shihen gjatë lojës. Në të dyja skuadrat ka lojtarë të klasit botëror, të dyja palët luajnë futboll tërheqës. Do të jetë një ndeshje e hapur, për mua nuk ka favorit. Personalisht, kam një ndjenjë të mirë. Është një gjysmëfinale mes dy skuadrave, që kanë një traditë të gjatë në Champions. Nuk ka favorit. Ju mund të thoni se Real Madridi është dy herë radhazi itues i Ligës së Kampionëve dhe ndoshta ka një avantazh, por edhe ne jemi shumë mirë. Ne po luajmë një sezon të jashtëzakonshëm, por duam ta kurorëzojmë me arritjen në finalen e Ligës së Kampionëve”.

James: “Kur kam ardhur te Bayern Munich më 7 tetor, James ishte pak i zhytur, nuk ishte në gjendje të mirë, nuk ndihej mirë. Kam biseduar shumë me të dhe gradualisht. Ka fituar besim tashmë dhe është integruar si duhet. Natyrisht, ndjehet më i lirë në fushën e lojës. Më duhet të them se tifozët tanë janë të hipnotizuar, kur shohin si po luan James. Ai ka pasur një evolucion të madh, ka fantazi dhe vizion”.

Pa Vidal: “Skuadrat që kanë arritur në gjysmëfinale mund të bëjnë edhe me ndonjë mungesë. Fatkeqësisht, ne na u dëmtua Vidal. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe mbetet i tillë. Por, skuadrat e mëdha mund t’i kompensojnë kësi humbjesh. Eshtë e dhimshme për të, pikërisht sepse me Juventusin luajti një finale dhe nuk mundi ta fitojë atë. Vërtet, kjo është e dhimbshme për një lojtar të klasit botëror. Skuadra do të luftojë edhe për Arturo, kështu që ai mund të gëzojë nëse kapim finalen e Ligës së Kampionëve”.

Stili: “Stili im i lidershipit nuk ka ndryshuar, natyrisht që futbolli ka evoluar, por futbollistët janë ende njerëz, qenie njerëzore. Natyrisht, janë njerëz me karaktere të ndryshme, me ndjesi të ndryshme. Kam përvojë të madhe, kompetencë, ndaj di si t’i udhëheq njerëzit. E konsideroj veten një udhëheqës njerëzish, sepse lojtarët e një skuadre, pavarësisht nëse janë në numër 23, kanë nevojë për dashuri, lavdërim, udhëheqje, ashtu si superstari. Unë jam shumë optimist, edhe pse do të kemi përballë një kundërshtar me shumë përvojë ndërkombëtare. Por, besimi mund të lëvizë edhe malet”

Related posts

FIA heq “flamurin blu” në gara, parakalimet bëhen më të vështira

Sadik.Autor

I ABONUAR ME GAFAT/ Karius “çmend” turket… të paktën ka sukses në një fushë

Isa.Autor

Çfarë Barcelone/ Kampionët përmbysin rezultatin me sulmuesin Dembele

Isa.Autor

Leave a Comment