Daniel Ricciardo me Red Bull ka fituar sot garën e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, prova e tretë sezonale e Botërorit 2018, duke korrur suksesin e parë sezonal në pistën e Shangait, i gjashti në karrierën e tij. Një paraqitje e shkëlqyer e pilotit australian, që përfitoi nga hyrja e makinës së sigurisë në pistë në mesin e garës, për të ndërruar gomat.
Për pasojë, Ricciardo i kishte më të freskëta gomat në pjesën e dytë të garës, duke nisur një seri parakalimesh, të gjitha fantastike, duke marrë kreun 10 xhiro nga fundi dhe fituar garën. Në vendin e dytë u rendit Valtteri Bottas me Mercedes, ndërsa në të tretin u klasifikua Kimi Raikkonen me Ferrari.
Një garë fantastike, emocionuese dhe me shumë parakalime, asidomos në pjesën e dytë të saj, kushtëzuar edhe nga hyrja e makinës së sigurisë, që prishi ndjeshëm ekuilibrat në pistë, me Red Bull që ishte shumë e shpejtë. Sebastian Vettel, që e nisi garën nga “pole” e mbylli atë në vendin e tetë, pas një kontakti me Verstappen dhe me makinën e dëmtuar, ndërsa Hamilton u klasifikua në vendin e pestë, në një garë anonime dhe pa grintë për kampionin e botës në fuqi.
Disa pilotë përfitojnë nga situata e ndërrojnë gomat (dy makinat Red Bull), por në kryer asnjë surprizë, me Bottas që ka komandën, është i pakapshëm për Vettel. Makinat Red Bull janë më të shpejtat e tentojnë parakalimet dhe ia dalin mbanë fillimisht të kalojnë Hamilton e më pas Vettel. Ai që shkëlqen në pistë është Ricciardo, që shpejt e sheh veten në vendin e dytë, duke dueluar me Bottas. Edhe Verstappen është protagonist kur përplaset me Vettel, duke humbur pozicione (piloti i Red Bull penalizohet me 10 sekonda), ndërkohë që 11 xhiro nga fundi, Ricciardo parakalon edhe Bottas, duke marrë kreun.