Futboll Sport

Dhuna në Ballsh, Arbri: U sulmua kameramani, mbrojtësin Paja e bënë për spital, ishte pritje skandaloze

Bylisi përmbys Tomorin në një ndeshje të çmendur. Edhe pse në letër ishte një ndeshje pa objektiva, në fushë ndodhi krejt e kundërta. Gola pa fund, tension, akuza nga miqtë për dhunë dhe tre kartonë të kuq. Beratasit edhe pse kaluan të parët në avantazh, u likuiduan për 21 prej mallkastriotëve, që në lloj formë morën hak për humbjen e 3 marsit, që i nxori nga gara e ngjitjes.

Ndërsa, trajneri i Tomorit, Gersi Arbri dhe ndihmësi i tij, Kela Agalliu rrëfejnë gjithçka ndodhi në stadiumin e Ballshit, duke akuzuar drejtuesit e Bylisit. Të dyja skuadrat e nisën lojën me formacionet më të mira. Bylisi ka kthyer rezultatin, duke zhvlerësuar golin e Bitrit. E sigurisht që në ndihmë i erdhi edhe superioriteti numerik, pasi Kaloshi, Hoxha dhe Bitri dolën me të kuq.

AKUZAT

Në një reagim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i Tomorit, Gersi Arbri u shpreh: “Sapo kemi mbërritur në stadiumin e Ballshit, nuk jemi pritur aspak mirë. Në fushë ka qenë presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili është dënuar përjetësisht nga FSHF, të cilit nuk i lejohet të qëndrojë aty. Jemi në 2018-ën dhe kjo pritje nuk i shërben askujt, aq më tepër një klubi me traditë siç është Tomori. Gjatë lojës kemi qenë nën presion dhe trysni me fyerje dhe sharje. Kameramanit të Tomorit që na ndjek në çdo ndeshje, i është thyer kamera dhe është goditur.

Madje, ka bërë denoncim edhe në Komisariatin e Ballshit. Në ndeshjen e parë në Ballsh goditën shoferin, ndërsa tani kameramanin. Shënuam golin e parë dhe mund të realizonim edhe të dytin, por në këtë takim u bë protagonist edhe arbitri. Ishte për turp gjithçka ndodhi. Arbitri u bë palë me drejtuesit e Bylisit.

Na janë ndëshkuar tre lojtarë me kartonë të kuq, ndërsa ne udhëhiqnim 1-0. Gjatë të gjithë ndeshjes, arbitri nuk i shërbeu aspak “Fair Play”-t. Na është dëmtuar edhe mbrojtësi Doraldo Paja, i cili është në spital dhe urojmë që ta kalojë sa më shpejt këtë moment. Ai u dëmtua pas një ndërhyrjeje horror të lojtarëve vendës. Por, nuk ishte vetëm ai rast, por ishin shumë ndërhyrje të rënda të futbollistëve vendës.

Edhe pas ndeshjes ishte e njëjta situatë dhe falë Zotit, mbërritëm mirë në shtëpitë tona, pasi na u rrezikua edhe jeta. Folëm me delegatin në fund të ndeshjes, ndërsa edhe treshja gjykuese në fund të sfidës shprehën indinjatën se pse u kishte rënë pikërisht atyre barra për të arbitruar në një fushë të tillë. Drejtuesit e Bylisit kërcënuan arbitrat dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh”, tha Arbri. Më tej, tregoi edhe ndëshkimin me karton të kuq të portierit.

“Gjëja më absurde ishte ndëshkimi me karton të kuq i portierit. Ishim në dhomat e zhveshjes në pushim kur na vjen gjyqtari i katërt dhe na thotë që portieri ynë ndëshkohej me karton të kuq, pasi sipas tyre kishte ofenduar tifozët. Por, ishte shumë e çuditshme, pasi ai nuk bëri asnjë veprim. Ajo fushë është turpi i futbollit shqiptar”, përfundoi Arbri.

Related posts

KLASIKJA 90-VJEÇARE EVROPIANE “MBËRTHEN” TIFOZËT/ Ja si priten të luajnë Italia dhe Anglia sonte në “Maradona”

F.autor

Milan i Gattuso, skuadra që godet më shumë portën në Serie A!!!

Q.Autor

PAK DITË PASI U PAJTUA ME GRUAN/ Wayne Rooney kapet “MAT” me dashnoren (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment