Basketball Sport

Flamurtari përmbys Tiranën në fund, titulli një fitore larg

Flamurtari ka fituar 58-54 në finalen e dytë të play off-it në basketboll për femra, duke mundur në “Asllan Rusi” rivalet e Tiranës dhe tashmë udhëheq 2-0 me ndeshje. Një fitore me përmbysje e skuadrës vlonjate, që për 39 minuta ishte në ndjekje të basketbollisteve kryeqytetase, por në minutën e fundit bëri mrekullinë, duke përmbysur shifrat dhe fituar takimin. Tashmë Flamurtari është një fitore larg titullit kampion dhe ndeshjen e tretë të do ta luajë ditën e shtunë në Vlorë, para fansave të tij, me shpresën për ta fituar atë dhe mbrojtur titullin.

Më shumë se një finale e fituar nga Flamurtari kjo ishte një ndeshje e humbur nga Tirana, që edhe pse e pati lojën në duart e saj, duke u shkëputur disa herë gjatë takimit, gaboi në fund, duke mos administruar mirë avantazhin e krijuar. Vetëm 5 pikë të shënuara në 10-minutëshin e fundit dënuan baketbollistet kryeqytetase, që dolën kokulur nga parketi, ndërkohë që kishin shumë pranë fitores. Për Tiranën ndeshja e tretë është vendimtare, pasi vetëm fitorja e mbanë në lojë për titullin kampion.

Minutat e para janë më të mira për Flamurtarin, që udhëheq 2-6, por shpejt Tirana rikuperon dhe del përpara 11-6, avantazh që do të thellohet edhe më shumë me kalimin e kohës. Bardheblutë janë më të sakta në sulm dhe mbrojnë mirë, duke udhëhequr 21-13, ndërkohë që diferenca do të rritet edhe më shumë në 10-minutëshin e dytë. Tirana është më e saktë dhe shkëputet në 14 pikë, 30-16, por mikeshat nga Vlora nuk heqin dorë dhe nisin shpejt të rikuperojnë në minutat e mbetura, duke ngushtuar në 7 pikë diferencën, 32-25.

Perioda e tretë administohet mirë nga basketbollistet e Tiranës, që edhe pse ndjejnë presionin e Flamurtarit, që e ngushton për një moment diferencën në 3 pikë, 43-40, arrijnë të shkëputen sërish dhe udhëheqin 49-42 në përfundim të çerekut të tretë. Loja në periodën e katërt është më emocionuese, Flamurtari tenton të rihapë ndeshjen dhe ia del mbanë, duke nisur gradualisht të ngushtojë shifrat dhe t’i përmbysë ato 54-55 në minutën e fundit. Tirana është e pasaktë në gjuajtje në përpjekje për të rikuperuar, ndërkohë që Bujari del nga loja me 5 personale. Në fund, Flamurtari nuk gabon nga gjuajtjet e lira dhe fiton 58-54, duke nisur festën.

Basketboll – Femra, Finale Play off

Flamurtari – Tirana, 65-48 (9-10, 21-12, 19-10, 17-16)

Tirana – Flamurtari, 54-58 (21-13, 11-18, 17-17, 5-16)

5 maj 2018, Flamurtari – Tirana, ora 17:00 (Vlorë)

Related posts

PËRBALLJA NDAJ SALZBURG/ Ja si mund të eliminohen “Të Kuqtë” nga Champions

Delo.autor

ZVICËR-ITALI/ Rekordi i pabesueshëm, që “Azzurrët” mund të vendosin sonte. Ja çfarë duhet të ndodhë…

Delo.autor

Suker zbulon prapaskenën: E zgjodhëm në 7 orë, tani jemi në finale

Isa.Autor

Leave a Comment