Sport Të tjera

Kuqezinjtë humbasin sërish ndaj Bjellorusisë dhe eliminohen nga Liga e Europës

Kombëtarja e meshkujve në volejboll është mundur sot në mbrëmje 3-0 nga Bjellorusia në ndeshjen e katërt të Grupit B, të vlefshme për Ligën e Europës, takim që u luajt në sallën e lojërave “Feti Borova” pranë Tirana Olimpik Park. Ndonëse pritej një paraqitje tjetër e kuqezinjve, pas lojarëve të mira të zhvilluara në tri përballjet e luajtura jashtë, fusha sot tregoi se kombëtarja nuk ishte në atë nivel që dëshirohej.

Ndoshta lodhja e 3 sfidave të luajtura jashtë Tiranës ndikoi në këtë rezultat, që ndikon shumë në rrugëtimin e Shqipërisë në këtë event, pasi tashmë nuk ka më asnjë shans për t’u kualifikuar në fazën finale. Takimi i 10 ditëve më parë në Bjellorusi ishte shumë herë më i mirë për Shqipërinë, që rivalizonte në çdo set, ndërsa sot kombëtarja nuk ishte aq e freskët dhe e saktë, në sulm e mbrojtje, duke bërë gabime të shumta.

Seti i parë është i dobët për kuqezinjtë, duken të lodhur dhe pa shumë grintë, duke mos qenë të fortë në sulm dhe bëjnë gabime në mbrojtje. Pëer pasojë, Bjellorusia fiton me lehtësi 25-17 setin e parë, por loja bëhet më interesante në të dytin. Shqipëria e ngre ritmin e lojës dhe luan më mirë, por ende jo aty ku duhet. Bjellorusët janë më të saktë dhe kanë gjithnjë një epërsi të vogël prej 2-3 pikësh deri në fund, duke fituar 25-22 setin e dytë.

Edhe seti i tretë ka të njëjtin ritëm, me miqtë që shkëputen që në pikët e para, krijojnë një avantazh prej 4-5 pikësh, të cilin e ruajnë dhe thellojnë deri në fund dhe fitojnë 25-14. Një humbje e papritur për Shqipërinë, nga e cila pritej një lojë tjetër, por për fat të keq kjo nuk ndodhi. Për pasojë, Shqipëria humbet sërish 3-0 dhe i thotë lamtumirë kualifikimit, të cilin thuajse e pat prekur një vit më parë, por vetëm fati e ndali nga ëndrra, e cila do të vazhdojë.

Shqipëri – Bjellorusi, 0-3 (17-25, 22-25, 14-25)

SHQIPËRIA: Kola, Gjoklaj, Koçi, Arapi, Husaj, Malaj, Qepa, Kula, A.Qafarena, Çullhaj, Baruti, Gaxiri, Bërdufi, Deliu. Trajner: Jani Melka

BJELLORUSIA: Radziuk, Audochanka, Udrys, Busel, Khmialeuski, Shmat, Zabarouski, Burau, Pranko, Miskevich, Budziukhin, Tsiushkevich, Kurash, Davyskiba. Trajner: Viktar Beksha

Gjyqtarë: Jasmin Husejnovic (Bosnje), Konalsi Gjoka (Shqipëri)

Related posts

E BUJSHME NGA ITALIA/ Tare dhe Inzagi drejt Interit

Delo.autor

ANKTH TEK KOMBËTARJA E SPANJËS/ Mesfushori i Barcelonës rezulton pozitiv me COVID-19 dhe plasin polemikat për…

Delo.autor

Tare përgatit goditjet e bujshme në merkato, në skenë edhe Xhovinko

Isa.Autor

Leave a Comment