Champions League Futboll Sport

Pesë vjet pas triumfit të Champions, ku janë sot heronjtë e Bayern-it 2013

Gjysmëfinalja e humbur ndaj Real Madrid djeg akoma për lojtarët, drejtuesit dhe tifozët e Bayern. Prandaj një metodë e mirë për të kaluar mërzitjen është kujtimi i kohëve të arta. Sezoni 2012-2013 ëhtë padyshim më i ‘freskëti’ për t’u kujtuar. Heynckes, Lahm, Schweinsteiger, por edhe Shaqiri e të tjerë, ku janë sot heronjtë e atij sezoni fantastik?

Le t’i shohim me radhë si ka vijuar karriera e lojtarëve që ishin grumbulluar nga Heynckes në finalen e ‘Wembley’-t.

Manuel Neuer – Nuk luan prej gati një sezoni, por kur është në formë është portieri më i mirë në botë. Të gjithë po presin me ankth nëse do të jetë gati për Botërorin e këtij viti.

Philipp Lahm – Pas 22 vitesh te Bayern – me një ndërprerje dyvjeçare huazim te Stuttgart – Lahm ‘vari kërpucët në gozhdë’ në fund të sezonit 2016-17. Sot e sheh më shumë me kostum se sa me tuta sportive, pasi merret me biznes, duke investuar në kompani të ndryshme, pa harruar kohën që kalon me familjen.

Jerome Boateng – Vlerësohet si një mbrojtës i klasit botëror tashmë dhe vazhdon të jetë i rëndësishëm për Bayern-in dhe Gjermaninë. Jashtë fushës është gjithashtu aktiv, pasi ka nënshkruar një kontratë me shtëpinë diskografike ‘Roc Nation’ që menaxhohet nga Jay-Z.

Dante – U rikthye te Wolfsburg në vitin 2015 për më shumë minuta lojë, e më një vit më pas u zhvendos në jug të Francës te Nice dhe është kapiten i skuadrës së drejtuar nga Lucien Favre. Nuk mund të lëmë pa përmendur dramën që pësoi në humbjen 7-1 ndaj Gjermanisë në Botëror, ku u luajti titullar për të zëvendësuar të dëmtuarin Thiago Silva.

David Alaba – Vazhdon të luftojë fort për bavarezët. Çdo vit emri i tij lakohet nga klubet më të mëdha evropiane, por nuk lëviz. Është aq i sigurt dhe i matur në fushë sa të gjithë e harrojnë që është vetëm 26 vjeç. Ka kontratë me klubin deri në vitin 2021.

Bastian Schweinsteiger – Emigrant. Pas një transferimi për t’u harruar te Manchester United, po i mbyll ditët si futbollist te Chicago Fire në SHBA. Në aspektin personal gjërat i kanë shkuar më mirë, pasi është martuar me tenisten bukuroshe Ana Ivanovic dhe është bërë baba. Pavarësisht mënyrës se si shkuan gjërat, Basti mbetet ‘Fussbalgot’ në Mynih.

Javi Martinez – Trajnerët shkojnë e vijnë, por basku aty mbetet. Pasi u zmbraps në mbrojtje nga Guardiola dhe Ancelotti, rigjeti vetveten në qendër të mesfushës me rikthimin e Jupp Heynckes. Vendimtar në ringjalljen e skuadrës këtë sezon, është e pashpjegueshme se si i duhet të luftojë aq fort për një vend në kombëtaren spanjolle. Nuk e dinë se çfarë aseti kanë…

Arjen Robben – Heroi i ‘Wembley’-t vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më mirë: të marrë krahun e majtë dhe të shënojë vetë ose të pasojë për gol. Ok, në shumicën e rasteve nuk pason, por atij i falet gjithçka, apo jo? U dëmtua në momentin më të keq këtë sezon në gjysmëfinalen ndaj Real Madrid dhe ende nuk ka rinovuar kontratën.

Franck Ribéry – i preferuari i Hoeness. Është ende në gjendje të magjepsë me këmbët e tij kur nuk është i dëmtuar, por ashtu si Robben e ndjen peshën e moshës mbi supe. Sapo rinovoi edhe për një tjetër sezon duke pranuar të qendrojë më shumë në stol por mbetet pjesë e familjes dhe ka një marrëdhënie të veçantë me presidentin Uli Hoeness.

Tomas Müller – i preferuari i tifozëve. Ndonjëherë pati probleme nën drejtimin e Guardiola-s dhe Ancelotti-t pati një kthesë nën drejtimin e Heynckes. Pavarësisht kritikave mbetet figurë identifikuese e klubit. Plus që është tip i veçantë dhe gjithnjë në humor…

Mario Mandzukic – Vazhdon shënon gola, por për Juventusin. Guardiola e largoi pasi solli në skuadër Leëandoëski-n dhe pas një periudhe të shkurtër te Atletico Madrid zuri vend mirë në Torino.  Edhe pse është postuar në të majtë vazhdon të jetë i rëndësishëm. Ndoshta edhe Pep mund ta kishte provuar këtë, ai i kishte qejf ‘shpikjet’ e pozicioneve të reja për lojtarët. Mbetet në zemrat e tifozëve sepse shënoi golin e parë në finalen e vitit 2013.

Luiz Gustavo – Luajti si zëvendësues për të ruajtur rezultatin, por nuk ishte në listën e preferencave të Guardiola-s. U largua para Botërorit 2014 sepse donte të ishte patjetër në kombëtaren braziliane. Ashtu si Dante, luajti titullar në humbjen e turpshme 7-1 ndaj Gjermanisë. Pas një periudhe te Wolfsburg, tani luan te Marseille, shpesh edhe si qendërmbrojtës.

Mario Gomez – U largua menjëherë pas finales dhe mund të thuhet që asnjëherë nuk qe i lumtur ne Mynih. Pas aventurës jo fort të suksesshme te Fiorentina i eci pak më mirë te Beisktas ku u shpall edhe golashënues me 26 gola në sezon. Pas grushtit të shtetit të dështuar në Turqi nuk  kthye më atje dhe gjeti strehë te Wolfsburg, para se të rikthehej në klubin e rinisë, Stuttgart. E bukura është se pavarësisht gjithë kësaj, 32-vjeçari ka ende mundësi të mira të jetë në Botëror.

Tom Starke – Me vetëm 14 ndeshje për Bayern, mbetet një figurë e dashur për tifozët. U rikthye nga ‘pensioni’ dhe luajti për herë të fundit sezonin e kaluar, kur krejt papritur tre portierët e parë, Neuer, Ulreich dhe Früchtl u dëmtuan.

Xherdan Shaqiri – Shqiptari që luan për Zvicën erdhi me shumë bujë te Bayern. Shpejt e pa se konkurrenca ishte e fortë dhe u desh të kënaqej me ‘role episodike’. U largua për te Milani në vitin 2015, ku nuk pati fat, në një periudhë të errët për klubin zikaltër. Në më pak se një vit u transferua te Stoke, por edhe pse e nisi mirë, fundjavën e kaluar, skuadra angleze përfundoi në kategorinë e dytë.

Anatoliy Tymoshchuk – Asnjëherë nuk ishte titullar i rregullt në Mynih, por në 132 ndeshje ka treguar karakter. Goli ndaj Juves në 2010 mbetet ndoshta momenti më i bukur personal. U rikthye te Zenit St. Petersburg dhe më pas e mbylli karrierën në Kazakistan. Sot është ndihmëstrajner te Zenit.

Claudio Pizarro – Për të flasin shifrat. 440 ndeshje në Bundesliga, 191 gola në kampionat. Golashënuesi më i mirë i huaj dhe i pesti në renditjen e përgjithshme. 39 vjeç por shpreson ende për një vend në kombëtaren e Perusë në Botëror. Do të ishte fundi më i mirë i një karriere të madhe.

Related posts

BOTËRORI 2022/ Luis Enrike u mbyll gojën absurdërve: Ambient perfekt për futboll, Kosova meriton më shumë

Delo.autor

NGA MESSI TE MBAPE E NEYMAR/ Poçetino: Kur Leonardo më tha për Mesin, kujtova se bënte shaka

Delo.autor

REAL MADRID NIS NË LA LIGA/ Zidane shpenzoi 300 milion euro por ka probleme

Delo.autor

Leave a Comment