Champions League Futboll Sport

Reali synon finalen e tretë radhazi, Bayerni i destinuar pë përmbysjen e madhe

Vetëm gjashtë ditë pas takimit të parë Reali i Madridit dhe Bayerni i Mynihut do të përballen në Stadiumin “Santiago Bernabeu” për aktin e dytë të fazës gjysmëfinale në Champions League. Dy ekipet përplasen për herë të 26 dhe kampionët në fuqi janë shumë pranë finales së tretë radhazi, pas fitores 2-1 brenda në “Allianz Arena”.

Nën drejtimin e Zinedine Zidane “los blancos” nuk janë eliminuar asnjëherë në 8 duelet e fazës së knock out-it, me ndeshje vajtje ardhje dhe 12 herë kampionët e këtij kompeticioni në fakt edhe këtë radhë janë dukshëm favoritë për të shkuar në finalen e Kievit, sidomos pasi përmbysën javën e kaluar në Bavari golin e Kimmich, me Marcelo-n dhe Marco Asensio-n, rezultat që e bëri Realin të parin ekip që siguron 150 fitore në Champions.

Bayerni i Jupp Heynckess do të paraqitet në Madrid pa Arjen Robben, megjithatë “të kuqtë” pritet të kenë në fushë dyshen David Alaba-Javi Martinez, ndërsa në krahun tjetër në dyshim për shkak të dëmtimit në shpatull është Isco, por është e sigurt që trajneri francez nuk do të mund të mbështetet dot te mbrojtësi i djathtë Dani Carvajal.

Ekipi bavarez që në takimin e parë iu afrua disa herë avantazhit të dy golave natyrisht synon kualifikimin, por për të arritur këtë Bayerni duhet të shënojë minimalisht dy gola në portën e Keylor Navas. Edicionin e kaluar në çerekfinale “die roten” përmbysën të njëjtin rezultat dhe e shtrënguan Realin në shtesë, gjithsesi ekipi madrilen ia doli mbanë për të fituar 4-2, falë 3 golave të Cristiano Ronaldos dhe gabimeve trashanike të arbitrit hungarez Viktor Kassai.

Sigurisht që miqtë marrin zemër nga fakti se Reali në kryeqytet këtë sezon ka pësuar 2 apo më shumë gola në plot 10 raste në të gjithë kompeticionet, gjithsesi Bayerni në krahun tjetër ka pësuar minimalisht një gol në 13 ndeshjet e fundit jashtë fushe, që ka zhvilluar në Champions League.

Për habinë e të gjithëve në ndeshjen e vajtjes Zinedine Zidane preferoi sulmuesin Benzema dhe nuk hodhi në fushë uellsianin Gareth Bale, për të shfrytëzuar hapësirat pa fund që la ekipi bavarez, duke mbajtur ende në lojë skuadrën e Jupp Heynckess, sidoqoftë të dy klubet kanë vërtet shumë eksperiencë në nivele të tilla, pasi Reali është për herë të tetë rresht në gjysmëfinalen e këtij aktiviteti, ndërsa klubi i famshëm gjerman gjendet mes katër skuadrave më të mira të këtij kompeticioni për herë të 6 në 7 sezonet e fundit.

Reali kryeson 12 me 11 bilancin ndërmjet tyre, me dy ndeshje të mbyllura në barazim dhe për hir të së vërtetës “los blancos” krenohen me bilancin 17-8 me kualifikime ndaj skuadrave gjermane në Kupat e Evropës, ndërkaq Bayerni në anën tjetër i ka këto statistika 50%, pra 10 kualifikime në 20 përballje gjithsej me klubet spanjolle. Humbjet e vetme të Realit në 41 përballjet e fundit në Bernabeu janë 4-3 me Schalken tre vjet më parë, si dhe disfata 3-1 me Juventusin tre javë më parë.

Sa për statistikë klubi merengues është eliminuar vetëm në vetëm 1 nga 33 rastet kur ka fituar ndeshjen e vajtjes jashtë fushe dhe kjo gjë ka ndodhur 23 sezone më parë në Kupën Uefa, kur Odense përmbysi humbjen 3-2 në Danimarkë me fitoren 2-0 brenda në Madrid. Në historinë e Champions League-s numërohen vetëm dy raste kur një ekip ia ka dalë mbanë për të përmbysur humbjen e takimit të parë në shtëpi me një kualifikim jashtë fushe: Interi në sezonin 2010/11 ktheu pikërisht ndaj Bayernit disfatën 1-0 me suksesin 3-2 në Bavari, ndërsa Ajaksi 22 vjet më parë përmbysi humbjen 1-0 në Amsterdam me një fitore 3-0 brenda në Athinë ndaj Panathinaikosit.

Sikur të mos mjaftonin 6 humbjet radhazi në përballjet ndërmjet tyre ekipi bavarez duhet të mendojë për të eklipsuar gjithashtu edhe Cristiano Ronaldon, që pavarësisht se nuk shënoi në takimin e parë konsiderohet si futbollisti më i mirë në gjithë historinë e këtij kompeticioni me 120 gola dhe 34 asist në 150 ndeshje, 20 gola dhe 8 asist më shumë krahasuar me Mesin, që numëron 25 takime më pak.

Ndeshja ndaj Bayernit të Mynihut është jubilare për kampionët në fuqi, pasi është e 250 në historinë e Champions League-s për “los blancos”, gjithsesi UEFA këtë herë takimin e kthimit ia ka besuar arbitrit të famshëm turk, 41-vjeçarit me eksperiencë nga Izmiri Cuneyt Cakir, që në jetën e përditshme punon si agjent sigurimesh, por që në këtë aktivitet krenohet me finalen e Berlinit tre vjet më parë, ndërmjet Barcelonës dhe Juventusit.

Related posts

Publikohen formacionet zyrtare/ Ja si do të rreshtohen Flamurtari dhe Kamza

Isa.Autor

ARRESTOHET NË ITALI PRONARI I KLUBIT TË FUTBOLLIT/ Me të edhe 4 vëllezërit

Isa.Autor

Bayern NDERON Messin/ Një sektor i stadiumit “Allianz Arena” vetëm për argjentinasin

Sadik.Autor

Leave a Comment