Futboll Sport

Rusi 2018 / Këto janë 9 favoritët kryesorë për të fituar “Këpucën e Artë”

Kupa e Botës ka fituar me të drejtë statusin si “festivali më i madh i futbollit”. Yjet dhe skuadrat kombëtare janë gati të lënë shenjë në këtë event. Publiku botëror pret me padurim performancën solo të lojtarëve më të mirë dhe lumin e golave të reparteve sulmuese më të rrezikshme të botës.

Botërori nuk është vetëm një përballje midis ekipeve pretendente, por dhe midis liderëve më të dalluar të çdo skuadre. Padyshim që ëndrra e o lojtari është të shënojë në një kompeticion të tillë. Ky edicion do të bashkojë të gjithë lojtarët dhe golashënuesit më të mirë të momentit. Dhe gara për “Këpucën e artë” të Botërorit rus ka një listë kandidatësh seriozë që njihen për aftësinë e shënimit të golit.

“World Soccer” ka shtruar disa variante për pyetjen se kush do të shënojë më shumë gola në “festivalin” e 21-të të futbollit botëror.

1. Lionel Messi

Kapiteni i Argjentinës është në formën më të mirë të karrierës dhe gjasat janë që ai do të dhurojë shumë gola të rëndësishëm për avancimin e kombëtares së Argjentinës. Pavarësisht mungesës së harmonisë brenda kampit bardhekaltër, “Pleshti” është alternativa e vetme që mund t’i çojë larg amerikanolatinët me golat vendimtarë.

2. Cristiano Ronaldo

Me shumë gjasa kjo do të jetë Kupa e fundit e Botës për kapitenin e “luzitanëve” dhe yllin e Real Madridit. Edhe pse vitet po kalojnë, Ronaldo ka dëshmuar se është në gjendje të shënojë në kushtet e presionit më të madh. Statistikat e sezonit aktual tregojnë se portugezi ka ende për të dhënë në fushën e lojës, pavarësisht diferencave që ekipi kampion i Europës ka me skuadrat rivale si Gjermania, Brazili, Argjentina, Franca, Anglia dhe Belgjika.

3. Neymar

Ylli i ri PSG-së është në kërkim të trofeut më të rëndësishëm në karrierën e një lojtari. Pas dështimit në Ligën e Kampioneve të këtij sezoni me ekipin francez, Brazili i rinovuar ka shpallur ambicien për të shtuar kupën e 6-të të botës në kabinetin e trofeve. Dëmtimi i frikshëm që pësoi në fazën e dytë të sezonit ka vënë në dyshim gjendjen fizike të Neymar. Shpresat për rikuperim të plotë janë të mëdha dhe bashkëkombësit e tij luten që ai të jetë i karikuar maksimalisht për të shënuar dhe drejtuar “Seleҫaon” drejt finales.

4. Thomas Muller

Futbollisti i Bayern Munich është në gjendje të mbulojë çdo pozicion në sektorin e mesfushës dhe sulmit. Në mungesë të një qendërsulmuesi tipik, pritet që Muller të marrë përsipër rolin e golashënuesit te kampionëve të botës në fuqi. Dy fushatat e fundit të Kupave të Botës kanë qenë tej mase pozitive për bavarezin duke shënuar nga 5 gola. Me një ekip të kompletuar si Gjermania, Muller ka të gjitha avantazhet për të gjetur mundësinë të dërgojë sa më shumë topa në rrjetë. Mos harrojmë që në 2010 ai mposhti Diego Forlanin, Luis Suarezin dhe Wesley Sneijderin në garën për “Këpucën e Artë” të Kupës së Botës të zhvilluar në Afrikën e Jugut.

5. Antoine Griezmann/Kylian Mbappe

Sulmuesi i Athletico Madridit ishte një kandidat serioz për “Topin e Artë” dy vite më parë kur erdhi nga stoli për të shënuar 6 gola jetikë që i siguruan Francës finalen e Kampionatit Europian të 2016. Ai u shpall lojtari më i mirë i turneut si dhe golashënuesi më i mirë. Ky do të jetë Botërori i dytë për Griezmann dhe me mbështetjen e të gjithë “Gjelave” ai mund të kthehet në një “makineri golash” me sulmuesin e krahut të PSG-së Kylian Mbappe. Edhe pse në një moshë delikate për të shkëlqyer në një kompeticion të nivelit elitar, eksperienca e shumë lojtarëve në ekipin “blu” dhe përvoja e fituar në dy vitet e fundit me AS Monacon dhe PSG-në i japin besim të madh Mbappe-së për të kërkuar golin në këtë Botëror.

6. Romelu Lukaku

Qendërsulmuesi i dy “Djajve të Kuq” ka shansin më të mirë të shpërthejë në Rusi me Belgjikën. Kalimi te Manchester United merkaton verore të kaluar dhe mesfusha solide me Eden Hazard dhe Kevin De Bruyne janë faktorë avantazhues për sulmuesin shtatlart Lukaku për të shënuar sa më shumë gola. Megjithatë, Belgjika tashmë nuk mund të justifikohet se ka një brez të ri të pa përvojë pasi pjesa më e madhe futbollistëve të saj luajnë me klubet më të mira europiane.

7. Isco

Mesfushori i Real Madridit dhe Spanjës nuk njihet si një golashënues i rregullt në kompeticione. Kontrolli perfekt i topit dhe driblimi i pandalshëm janë virtytet e mesfushorit madrilen. Karakteristikat e tij mund të rezultojnë tepër efikase në krijimin e rasteve dhe konvertimine tyre në gola për “Furinë e Kuqe”. Detyra e sulmuesit do të ndahet midis Diego Costas dhe Alvaro Moratas. Por Isco ka dëshmuar se di të shënojë gola spektakolarë. Dhe tripleta e shënuar në shkatërrimin e Argjentinës në miqësoren e fituar 6-1 janë një argument shumë bindës për potencialin golashënues të “Fantastisco”-s.

8. Mohamed Salah

Edhe në rast se nuk fiton Ligën e Kampioneve apo “Topin e Artë” viti 2018 mban firmën e fenomenit egjiptian të Liverpoolit. Nga javë në javë ai po perfeksionon artin e shënimit të golit me fanellën e Liverpoolit. “Faraonët” janë të vendosur në grupin A me Rusinë, Arabinë Saudite dhe Uruguajin dhe egjiptiani do të kërkojë vëmendjen e të gjithë botës drejt tij.

9. Robert Lewandowski

“Snajperi” polak i Bayern Munich ka regjistruar statistika solide shënimi të golave. Ai doli golashënuesi më i mirë në fazën e kualifikuesve të Kupës së Botës për kontinentin europian (16). Për të 4-in vit radhazi ai është shënuesi më i mirë i kampionëve në fuqi të Gjermanisë. Në Rusi do të mbajë dhe shiritin e kapitenit dhe përballë ekipeve si Japonia, Senegali dhe Kolumbia ai do të ketë shanse të mëdha të shënojë.

Related posts

SPECIALE/ Njihuni me disa nga talentet që mund të shkëlqejnë në Kupën e Botës

Sadik.Autor

ABSURDE/ Më OFENDOJNË se nuk jam si të tjerët, tifozët më thërrasin LESBIKË

Isa.Autor

LIVE/ Tirana-Laçi, Spektakolar Majkëll Ngo. Skuadra e Memës dyfishojnë shifrat

Delo.autor

Leave a Comment