Fizioterapeuti i Liverpoolit, Ruben Pons, ka konfirmuar se Mohamed Salah nuk do të agjërojë gjatë përgatitjeve për finale e as në ditën e finales së Ligës së Kampionëve.
Egjiptiani, i cili i shënoi 44 gola në sezonin e tij debutues për Liverpoolin, është mysliman i devotshëm dhe ka agjëruar rregullisht që prej fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit më 16 maj, transmeton Express.
Gazeta egjiptiane “Al Masry al Youm” pohoi ditë më parë se Salah kishte refuzuar idenë për ta prishur agjërimin për finalen e 26 majit kundër Real Madridit në Kiev.
Por, Pons ka thënë në një intervistë për radio stacionin spanjoll Cadena SER se 25-vjeçari do të hajë dhe pijë të premten dhe të shtunën.
“Ishim në Marbella ku mjeku i dietës e krijoi një plan pune. Nesër [e premte] dhe ditën e ndeshjes [të shtunën] ai nuk do [të agjërojë], në mënyrë që mos të ndikojë në të gjatë ndeshjes”, ka thënë Pons.
Në islam lejohet prishja e agjërimit për personat që udhëtojnë në një vend tjetër – gjë që Salah do ta bëjë.
