Futboll Sport

Siljanovski mburret në shtëpi: Shqipëria më lart në futboll, ja cilat janë diferencat

Goran Siljanovski dëshiron të rinovojë me Flamurtarin edhe një sezon tjetër. Një fakt të tillë lojtari e konfirmoi në një intervistë për median maqedonase “JaviseJzana.mk”. Siljanovski tregon gjithçka për Shqipërinë dhe Kategorinë Superiore, teksa e cilëson një luftë të vërtetë dhe një kampionat me ekipe më cilësore se në Maqedoni. Siljanovski zbulon edhe ofertat për sezonin e ri, por thotë se ende nuk ka vendosur.

Kur e keni prekur për herë të parë fushën e futbollit?

Interesi në futboll e tregova në moshë të hershme. Kur e kam nisur unë karrierën, nuk ka pasur kushte si sot, jemi dëshmitarë se sot ka shumë akademi dhe shkolla e futbollit është e mirë për zhvillimin e tij, ku mund të fillosh nga 5-6 vjeç.

Kush është trajneri juaj i parë dhe çfarë përshtypje keni nga trajnimi juaj i parë?

Trajneri im i parë ka qenë Mile Petkovski. Unë u jam aq shumë mirënjohës të gjithë trajnerëve që më kanë stërvitur.

Te Rabotnicki ishit kapiten për një periudhë. Cilat karakteristika duhet të ketë një lojtar që të jetë lider në ekip?

Po, unë kam qenë zëvendëskapiten, por u bëra kapiten kur iku nga ekipi shoku im i mirë, Dushko Trajçevski. Për mua ishte një nder i madh që isha kapiten i kësaj skuadre, ku kalova momentet më të mira deri tani në karrierën time. Klubi u shpall kampion dy herë, si dhe kemi fituar Kupën e Maqedonisë dhe u paraqitëm me sukses në Europë. Thjesht kapiteni duhet të jetë lideri i ekipit të tij, gjithmonë një shembull.

Cila është cilësia e Ligës Superiore në Shqipëri në ndryshim me Ligën e Parë në Maqedoni?

Unë aktualisht jam pjesë e Flamurtarit, me të cilin kam një kontratë deri në fund të këtij sezoni. Ka mjaft ndryshime me kampionatin maqedonas. Së pari, do të përmend infrastrukturën. Në Shqipëri çdo klub ka një fushë të shkëlqyer dhe 70% e klubeve kanë edhe impiantin e ndriçimit për të luajtur në mbrëmje. Në çdo ndeshje ka të paktën 2000- 3000 spektatorë në stadium dhe në derbi deri në 6000- 7000.

Po mbulimi mediatik si është?

Ndeshjet transmetohen drejtpërdrejt. Në studio sportive diskutojnë analistët edhe për rastet e dyshimta që vihen re gjatë ndeshjes. Shqyrtohen të gjitha situatat e dyshimta nga ekspertët e futbollit. Ka 2 gazeta sportive dhe disa faqe në internet që publikojnë lajme në çdo kohë.

Po në drejtim të klubeve të futbollit, si është situata?

Shqipëria ka më shumë ekipe cilësore, ndryshe nga situata në Maqedoni. Gjithashtu, ka një rivalitet të madh në luftën për titull, por edhe më poshtë ka garë të fortë, pasi luftohet për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Ndërsa në Maqedoni kampionati është përqendruar në vetëm 3- 4 ekipe të cilësisë dhe kampioni mësohet shumë kohë para se sezoni të përfundojë. Në kampionatin shqiptar lejohet një lojë e fortë dhe me shumë duele, e cila është plotësisht e përshtatshme për mua.

Ku e shikoni veten më shumë në fushë?

Unë luaj në shumë pozicione, por më mirë aty ku po aktivizohem tani.

Ju po tregoni cilësi për shumë vite. A prisni një thirrje nga kombëtarja?

Unë jap maksimumin tim në çdo ndeshje. Është trajneri që vendos. Mendoj se çdo lojtar dëshiron të luajë për kombëtaren e tij.

A keni ndonjë ofertë nga klube të tjera të huaja?

Unë kam disa oferta, por asgjë konkrete tani për tani. Jam në pritje për të përfunduar sezonin dhe më pas do të vendos se ku do të vazhdoj karrierën. Nuk përjashton mundësinë për të vazhduar bashkëpunimin me Flamurtarin, por, siç kam thënë, do të pres të përfundojë sezoni.

Ku do t’i kaloni pushimet për të “ngarkuar bateritë” për sezonin e ardhshëm?

Së pari, dua të vendos se ku do të luaj sezonin e ardhshëm. Unë dua të shpenzoj më shumë kohë me familjen time dhe vajzën e vogël. Me siguri do të ketë kohë për një pushim të mirë pas një sezoni të vështirë, por ende nuk kam vendosur se ku.

Related posts

Juventus e nxorri në shitje, tifozët bardhezinj kundërshtojnë vendimin e klubit

Q.Autor

Revanshi i Montella-s, vjen kundërpgjigja ndaj lojtarëve të Milan

Q.Autor

MBYLLET JAVA E GJASHTË E SUPERIORES/ Derbi ndihmon Tiranën për arratinë, Partizani në krizë të thellë. Ja renditja…

Delo.autor

Leave a Comment