Futboll Sport

Vllaznia në grumbullim, me Kamzën finalja e mbijetesës

Sezonin e kaluar mbijetesa u luajt në 90-minutëshin e fundit të kampionatit, me finalen që i buzëqeshi Vllaznisë. Këtë edicion për skuadrën shkodrane finalja vjen e parakohshme. 4 javë para fundit të kampionatit, në “Loro Boriçi”, paraqitet një ndër rivalët e drejtëpërdrejtë për mbijetesën, Kamza, dhe për Vllazninë është një 90-minutësh përcaktues për shanset e qëndrimit në Superiore. Në kampin e Ernest Gjokës të gjithë e kanë të qartë, edhe pse lufta është e destinuar të vazhdojë deri në fund, një 3-pikësh përballë Kamzës do të ishte një katapultim i vërtetë drejt misionit sezonal.

Skuadra nisi që në fillimin e javës grumbullimin për sfidën, dy ditë të gjithë së bashku, për përqëndrimin dhe harmoninë e nevojshme para një përballjeje vendimtare. Pavarësisht finales së hidhur në Vlorë me golin e Kamara, që i mohoi Vllaznisë fitoren në frymën e fundit, trajneri Gjoka synon të mbajë lart moralin e grupit. Edhe barazimi me Flamurtarin ishte brenda objektivave, pavarësisht se për mënyrën sesi shkoi ndeshja ngjason më tepër me një dypikësh të humbur.

Sa i përket organikës, në Shkodër mbeten në ankth për dy lojtarë. Orelesi pësoi një goditje në takimin e së shtunës, ku u detyrua të lërë ndeshjen para kohe, dhe gjendja e tij mbetet në vlerësim deri para sfidës, ndërkohë që në dyshim serioz mbetet pika referuese e ekipit në sulm, Xhevahir Sukaj. 30-vjeçarit i duhet të djegë etapat për të qenë në fushë të mërkurën, një opsion që, për momentin, duket shumë i vështirë.

Sa herë që Sukaj ka shënuar deri më tani me fanellën kuqeblu, Vllaznia ka fituar, por dhe nëse nuk do të jetë në stafin teknik, nuk duan ta bëjnë dramë, pasi janë të bindur se skuadra ka potencialin për të dalë me sukses nga kjo ndeshje vendimtare edhe pa të. Një faktor tejet i rëndësishëm për verdiktin final do të jetë edhe prania e tifozerisë kuqeblu. Te Vllaznia shpresojnë që të kenë një “Loro Boriçi” të mbushur plot si në ndeshjen e sezonit të kaluar me Tiranën, në fund të fundit, edhe kjo me Kamzën është një finale shumë e ngjashme me të, edhe pse e parakohshme.

Related posts

Premier League/ Formacionet zyrtare: Arsenal – Newcastle United

Q.Autor

E ÇUDITSHME NË FRANCË-GJERMANI/ Rudiger në “gjurmët” e Suarez, kafshon Pogban gjatë duelit në fushë (VIDEO)

Delo.autor

Zyrtare, Mourinho rinovon me Manchester United deri në 2020-ën

Q.Autor

Leave a Comment