Futboll Sport

Zëvendëstrajneri i Maqedonisë: Ja si e komentojmë Shqipërinë me Enis Bardhin

Kombëtarja e Maqedonisë ka në boshtin e saj dhe disa lojtarë me origjinë shqiptare. Disa prej tyre kanë zgjedhur me dëshirën këtë Kombëtare, disa të tjerë për shkak se nuk janë preferuar nga Shqipëria, por fakti është se Visar Musliu, Enis Bardhi, Arijan Ademi, Ezdzhan Alioski dhe Ferhan Hasani janë pjesë e vendit fqinj. Nëse i hedh një sy stafit të Maqedonisë nuk janë vetëm këto futbollistë me origjinë shqiptare, por dhe pjesëtarë nga stafi teknik. Fjala është për zëvendëstrajnerin, Xhengis Rexhepi. Ky i fundit është zgjedhur zëvendëstrajner i Maqedonisë me miratimin e teknikut Igor Angellovaski. Shqiptari tregon në një rrëfim për aventurën e tij me kombëtaren e Maqedonisë.
– Si ndiheni në stafin e Kombëtares së Maqedonisë dhe trajnerin Igor Angellovskit ?
– Më duhet patjetër të pranoj se për mua është nder dhe kënaqësi që ma besuan postin e ndihmës trajnerit të përfaqësueses A të Maqedonisë dhe paralel me qëndrimin tim për të qenë sa më profesional, unë mundohem të arsyetoj edhe besimin që më është dhënë. Sigurisht që ndjehem mirë, kemi bashkëpunim shumë korrekt me trajnerin Igor Angellovski dhe gjithë stafin teknik. Kemi harmoni në ekipin përfaqësues dhe kjo mund të shihet edhe nga rezultatet që kemi shënuar vitin 2017 por edhe në fillim të këtij viti.
– A është e vështirë për një trajner shqiptar që të punojë  me ekipin maqedonas?
– Jo, aspak! Thjesht është një detyrë si në çdo vend tjetër dhe unë por edhe paraardhësit e mi në këtë pozitë nuk kam dëgjuar të kenë patur ndonjë problem.
– Keni rënë ndonjëherë pre e racizmit?
– Jo, nuk më ka ndodhur kurrë.
– A është e vështirë për ju si staf teknik të krijoni një bosht pa probleme duke qenë se keni disa lojtarë me origjinë shqiptare e disa lojtarë të tjerë nga Maqedonia, për të  krijuar një bosht pa probleme?
– Në përfaqësuesen e Maqedonisë lojtarët zgjidhen në bazë të cilësisë dhe formës momentale dhe përkatësia kombëtare asnjëherë nuk paraqet kriter apo edhe më pak problem. Ka patur në të kaluarën anashkalime apo edhe hile, mbase edhe tani ka lojtarë të caktuar që mendojnë se meritojnë të jenë pjesë e përfaqësueses, por janë mendime subjektive dhe sërish nuk është përkatësia kombëtare arsyeja e ftesës apo mos-ftesës. Mbase ka edhe lojtarë maqedonas apo edhe të përkatësive tjera që mendojnë se në këtë moment duhet të jenë pjesë e përfaqësueses. Është diçka që ndoshta edhe nuk e kupton njeriu po t’ia sqarosh me fjalë, pasi për të ndjerë atmosferën duhet ta provosh prej brenda dhe aty ju bind se përfaqësuesja e Maqedonisë ka bosht cilësor dhe harmonia mes grupit na lehtëson të kërkojmë të ecim përpara.


– Si erdhi ftesa për të qenë pjesë e stafit të Maqedonisë?
– E thashë në fillim se për mua është nder që më është besuar ky post. Çdo fillim paraqet vështirësi, por unë nuk është se i kam pasur dhe kjo për meritë të stafit teknik dhe futbollistëve. Shpejt jam ndjerë pjesë e grupit dhe ne funksionojmë si një trup që do të ecë përpara. Kemi lënë pas periudhë të suksesshme, por duam të vazhdojmë me këtë ritëm dhe unë besoj se kemi ende punë për të bërë.
 – Keni biseduar ndonjëherë me lojtarët me origjinë shqiptare për Shqipërinë? P.sh Bardhi ka shprehur hapur dëshirën për t’u bashkuar me ne, pavarësisht se FSHF-ja nuk reagoi si duhet?
– Ne të gjithë flasim bashkë për ecurinë sportive jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe përfaqësueseve tjera. Unë kam punuar në Turqi dhe kam një lidhje me këtë shtet dhe sigurisht se ndjek dhe komentojmë edhe ecurinë e përfaqësueses turke. Por vetëm anën sportive, ndërsa gjërat tjera nuk është se varen nga ne.
– Ju do të ishit i gatshëm për të kontribuar për FSHF-në?
– Për momentin jam pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë dhe përqendrimi im është të bëj punën më së miri për përfaqësuesen, veten dhe ata që më besuan dhe që i përfaqësoj. Zeja e trajnerit është shumë interesante dhe e paparashikueshme në aspekt të asaj se çfarë sjell e ardhmja. Në këtë drejtim sigurisht se nuk përjashtoj këtë mundësi, qoftë për FSHF-në apo për ndonjë klub në Shqipëri.
– Çfarë këshillash i jepni FSHF-së?
– Me respektin maksimal për FSHF-në dhe pyetjen tuaj, në këtë moment nuk jam në pozitë për të dhënë këshilla në këtë drejtim. Përveç se u dëshiroj shëndet dhe suksese.

Related posts

Francë-Belgjikë dhe Kroaci-Angli, gjysmëfinalet spektakolare dhe emocionuese

Isa.Autor

Barazimi i KUKËSIT/ Reagon Armando CUNGU: Në futboll fitohet dhe kështu

Isa.Autor

“E BËMË SHAHTJORIN TË DUKET MODEST”/ Flet Konte: Tani të mahnisim botën së bashku…

Delo.autor

Leave a Comment