Futboll Sport

Koment nga gazetari serb: Zemërimi i serbëve ndaj festimeve të futbollistëve shqiptarë është hipokrit

Kur dy lojtarë zviceranë, prindërit e të cilëve janë larguar nga Kosova, bënë simbolin e shqiponjës pasi shënuan kundër Serbisë, kjo shkaktoi një shpërthim zemërimi nga nacionalistët serbë që nuk arrijnë ta kuptojnë se fajin e ka shtypja e vetë qeverisë së tyre.

Nga Milos Ciric*

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk bënë asgjë të gabuar.

Festimi i golave të tyre gjatë fitores së Zvicrës në Kupën e Botës në ndeshjen me Serbinë të premten duke bashkuar gishtat e mëdhenj të duarve dhe duke i hapur duart e tyre si një shqiponjë e dykrenare, e cila shihet edhe në flamurin shqiptar, ishte shprehje gëzimi për suksesin dhe krenarinë e tyre që janë “shqiptarë”, një term nënçmues i përdorur nga serbët për çdo shqiptar etnik të Kosovës.

Në Serbi, një vend i njohur për mungesën e tolerancës ndaj shqiptarëve, festimet e Shaqirit dhe Xhakës janë quajtur “primitive”, “armiqësore”, “fyese” dhe “ofenduese”.

Shumë serbë u zemëruan shumë, jo vetëm që humbën ndeshjen me Zvicrën për shkak të dy golave të shënuar nga dy djem me origjinë shqiptare nga Kosova, por nga gjestet e shqiponjës dykrenare.

Për serbët, kjo ishte ta fyeje më shumë lëndimin, dhe shpërthimet e pakontrolluara dhe gjuha e urrejtjes drejtuar dy lojtarëve kanë mbushur tabloidet serbe, mediat kryesore dhe rrjetet sociale.

Familjet e lojtarëve, si shumë familje të tjera etnike shqiptare nga Kosova, u detyruan të largoheshin nga atdheu gjatë sundimit të regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe fushatës së tij për të spastruar Kosovën nga shqiptarët etnikë.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit të luftërave të Millosheviçit, më shumë se 800,000 shqiptarë u detyruan të largoheshin nga Kosova për shkak të shtypjes nga njësitë policore dhe ushtarake të Serbisë, anëtarët e të cilave kryen qindra krime kundër civilëve. Është vlerësuar se rreth 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës janë zhvendosur gjatë viteve 1990 si rezultat i veprimeve të Serbisë.

Familja e Shaqirit u largua nga Kosova pasi babai i tij u lirua nga një burg serb, ku ai u mbajt si i burgosur politik për vite me radhë dhe pësoi rrahje nga policia serbe. Familja e Xhakës u largua nga Kosova dhe u vendos në Basel në Zvicër, ku lindi lojtari.

Zemërimi i shkaktuar nga gjestet simbolike të lojtarëve tregon shumë pasi ai tregon të njëjtin botëkuptim të vjetër serb – ne dhe vetëm ne kemi të drejtë të shprehim emocionet tona, në çfarëdolloj mënyre që ne e gjykojmë të përshtatshme. Neve na lejohet të dënojmë sjelljet që ne dhe ne vetëm i konsiderojmë të papërshtatshme. Të gjithë të tjerët janë një armik, një urryes serbësh.

Duhet të jetë e vështirë për të gjithë ata njerëz që janë ende të mërzitur për shkak të gjesteve të Xhakës dhe Shaqirit të jetojnë në atë që mund të jetë vetëm ferri i tyre i brendshëm, plot urrejtje dhe racizëm. Por ne nuk duhet të shprehim “mirëkuptim” për ta edhe pse ka shumë gjasa që ata të jenë viktima të dekadave të tëra propagandë antishqiptare që sundon çdo cep të sferës publike serbe.

Problemi është se zemërimi po kontribuon në shkatërrimin e të paktën disa prej proceseve pajtuese midis serbëve dhe shqiptarëve. Ai i shkon për shtat vetëm atyre që duan ndarje të mëtejshme, kështu që elitat politike nacionaliste në të dyja anët ndoshta janë të kënaqura nga kjo kthesë e ngjarjeve në Kupën e Botës.

Ndërkohë, FIFA ka njoftuar se do të hetojë sjelljen e Xhakës dhe Shaqirit për të parë nëse ata “thyen rregullat mbi mesazhet politike dhe ofenduese”.

Ky është një turp, sepse FIFA po i kërcënon lojtarët me ndëshkim të mundshëm se shfaqën simbolin e tyre kombëtar, diçka që thjesht fyeu Serbinë, shtypësin e dy familjeve të dy djemve.

FIFA gjithashtu ka vendosur të hetojë trajnerin e Serbisë Mladen Krstajiç për komentet e tij ultranacionaliste rreth gjesteve të Shaqirit dhe Xhakës.

Krstajiç, një humbës shumë i lënduar, bëri thirrje që arbitri i ndeshjes të dalë në bankën e të akuzuarve në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë “ashtu siç ata na bën neve serbëve”.

Në faqen e tij të Instagram, Krstajiç tha gjithashtu se serbët “përsëri ishin dënuar për drejtësi selektive”.

Natyrisht që kjo nuk u kundërshtua nga publiku serb – përkundrazi, komentet e Krstajiç morën vetëm lavdërime.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha “nacionalizmat” në Ballkan janë njësoj.

Nacionalizmi serb është i përhapur dhe i normalizuar dhe nuk merr asnjë dënim, përveç atyre që janë në shënjestrën e tij.

Shpërthimet e fundit të urrejtjes në ndeshjet e futbollit në Shtutgart (“Vrisni, therni që shqiptari të mos ekzistojë më”) dhe në Vjenë (“Thikë, tel me gjemba, Srebrenica”), ose fakti që djali i presidentit serb shihej me huliganë që mbanin veshur bluza ku shkruhej “Kosova është Serbi”, nuk do të dënohet apo “hetohet” nga FIFA apo dikush tjetër.

Nacionalizmi është gjithashtu toksik për serbët, sepse ai nuk prodhon asnjë ndjenjë pozitive dhe pengon tranzicionin e Serbisë për t’u bërë një shoqëri demokratike dhe e hapur.

Madje edhe kur ai është shprehje e “dashurisë për atdheun”, shpeshherë vihet përbri urrejtjes ndaj kombeve të tjera, të cilët, në mendjen e sëmurë të publikut tonë, ende po komplotojnë kundër nesh.

Për më tepër, disa serbë janë haptazi krenarë për ato personifikime të nacionalizmit tonë.

Këta njerëz janë më shpesh kriminelë lufte të cilët ishin përgjegjës për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe fushata spastrimi etnik në Bosnje dhe Kosovë. Fotografitë e këtyre burrave, heronjtë kombëtarë të Serbisë, mund të shihen nëpër bluza, flamuj dhe kapele gjatë gjithë ndeshjeve të ekipit kombëtar të futbollit.

Ekziston edhe përshëndetja serbe me tre gishta që serbët me krenari e përdorin gjatë gjithë kohës (edhe pse ajo përdorej edhe nga nazistët dhe ustashët kroatë). Edhe ajo shihet gjithashtu si një gjest që nuk mund të ofendojë asnjë.

Më shumë se 100,000 vetë në Bosnjë dhe të paktën 11,000 shqiptarë të Kosovës u vranë nga ata që simbolizonin këto tre gishta. Ende ka rreth 10,000 njerëz që rezultojnë të zhdukur nga luftërat e Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviçit dhe përshëndetjes me tre gishta. Por kush mund të ofendohet nga kjo?

Në të njëjtën kohë, njerëz të panumërt në komentet në faqet e internetit të tabloideve dhe në rrjetet sociale i quajtën Shaqirin dhe Xhakës “provokatorë primitivë”, “dashurues dhish, siç janë të gjithë shqiptarët”, “majmunë” e kështu me radhë. Dhe saktësisht për çfarë? Se shfaqën një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit të tyre kombëtar.

Kryetari i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve në Serbi, Slavisa Lekiç, nuk mund ta përmbante veten e të mos postonte në Twitter një përgjigje të zemëruar: “Shaqiri dhe Xhaka nuk duhet të jenë justifikimi që edhe ju jeni copa m…!”.

Përveç dëbimit të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova, pasi Millosheviçi krijoi një shtet policor atje në fillim të viteve 1990, administrata e Beogradit shkatërroi dëshmitë e lindjeve dhe shtetësisë së shqiptarëve, duke i lënë ata pa shtetësi dhe pa ndonjë provë identiteti, me përjashtim të shqiponjës me dy koka në zemrat dhe mendjet e tyre.

Shumë prej këtyre njerëzve gjetën jetë të reja jashtë vendit dhe nuk ka asgjë të gabuar që ata dëshirojnë të shprehin krenari për atë që ata janë.

Por qëllimi i nacionalistëve serbë është të barazojnë gjestet e Shaqirit dhe Xhaka me shfaqje si ato në Shtutgart apo Vjenë nga serbët, kështu që bashkimi i gishtave të mëdhenj të dorës dhe përhapja e gishtërinjve të tjerë mund të shihet si ekuivalent i thirrjes publike për therjen e një grupi të tërë etnik.

Ky paragjykime nuk bën tjetër veçse normalizon më tej propagandën dhe nacionalizmin anti-shqiptar të Serbisë që i ka marrë jetën shumë njerëzve të pafajshëm.

Racizmi serb ndaj shqiptarëve është plakur mjaft mirë. Ithtarët kryesorë të tij, siç janë Dobrica Cosiç apo Sllobodan Millosheviçi, nëse do të ishin gjallë, do të ishin mjaft të kënaqur. Ata (dhe shumë të tjerë) filluan ciklin vicioz të urrejtjes ndaj shqiptarëve në fillim të viteve 1980 dhe kjo armiqësi vazhdon edhe sot.

Nga ana tjetër, duke shprehur “ndjenjat” serbe duke ofenduar viktimat e agresionit të Serbisë në vitet 1990 – shpërthimet publike të racizmit të paturpshëm kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve – është pjesë e kulturës së përditshme serbe.

Kjo sjellje nuk është dënuar kurrë gjerësisht dhe, me sa duket, kurrë nuk do të bëhet, sepse kurrë nuk është denoncuar apo ndëshkuar nga shteti serb, zyrtarët e tij, presidentët apo kryeministrat e tij, elitat intelektuale dhe mediatike. Në fakt, ka ndodhur krejt e kundërta.

Ne po jetojmë në një realitet që nuk njeh kontekst, as histori dhe asnjë fakt, duke rezultuar në mendimin e gjerë se “të gjithë nacionalizmat e Ballkanit janë njësoj”.

Nëse kjo do të ishte e vërtetë (dhe nuk është), atëherë Shaqiri dhe Xhaka kanë të drejtë ta nderojnë shqiponjën e tyre aq shumë sa çdo serb ka të drejtë të bëjë përshëndetjen e tij me tre gishta. Pra, lëreni të qetë Shaqirin dhe Xhakën pasi nuk keni atak paniku moral kur Aleksandar Kolarov ngre tre gishtat e tij.

Për shoqërinë serbe, simboli ynë i shqiponjës së bardhë me dy kokë, me një kurorë me gurë të çmuar dhe kryq, ka qenë më i rrezikshëm dhe më i dëmshme sesa një gjest që simbolizon një shqiponjë të zezë me dy koka.

Nën shqiponjën tonë, shumë njerëz të pafajshëm kanë humbur jetët e tyre dhe një vend është shkatërruar. Nën të, ne ende sulmojmë histerikisht të tjerë duke u ndjerë se jemi ne që po sulmohemi.

Shqiponja jonë me dy kokë di vetëm ndjenjat tona dhe vetëm të vërtetën tonë. Ajo shpreh dashurinë e saj për ne në urrejtjen e saj për të tjerët.

*Milos Ciric është një politolog, edukator, mësues dhe aktivist serb i të drejtave të njeriut. Ai ka diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Beogradit, master në Politikë Kulturore nga Universiteti i Arteve, Beograd, dhe Lumiere University Lion 2, Francë, dhe master në Studimet e Medias nga The New School University, Nju Jork.

Related posts

TËRHEQJA E NJË MITI/ Numrat e pakrahasueshëm të Casillas (INFO-GRAFIKU)

Delo.autor

EUROPA LEAGUE/ Pas një asist nga Fred, sulmuesi Cavani ndëshkon Romën me një SUPER GOL (VIDEO)

Delo.autor

SPEKTAKËL I GARANTUAR/ Ndeshja më EPIKE e UFC do të ketë një pjesë të…

Isa.Autor

Leave a Comment