Futboll Historiku Sport

Nga Aston te Zamora, ja të gjitha kuriozitetet e Botërorëve

Sot në orën 17:00 luhet ndeshja hapëse e “Rusi 2018”, mes pritësve të këtij evenimenti dhe Ara bisë Saudite. Bukuria e Botërorit qëndron te historia e këtij kompeticioni në vite. Në përpjekje për ta servirur brenda një artikulli, ju prezantojmë alfabetin “botëror”, por jo me fakte që i kemi dëgjuar qindra herë. Në fakt, nëpërmjet një liste alfabetike, do të kapërcejmë me detaje të veçanta momentet e kampionateve Botërorë, që për një arsye apo një tjetër kanë kaluar në plan të dytë pa e merituar.

A SI ASTON Keneth Xhorxh Aston ishte arbitri i ndeshjes Kili-Itali në Botërorin e vitit 1962 (i zhvilluar në Kili). Ishte vetëm një ndeshje futbolli, por në histori hyri si beteja e Santiagos sepse në atë sfidë, të zotëve të shtëpisë iu lejua çdo faull teksa ofendimet ndaj “axurrëve” dukeshin sikur nuk dëgjoheshin për drejtuesin e takimit. Pikërisht zoti Aston, katër vite më pas, u emërua shef i këmishëve të zeza, madje ishte pikërisht ky zotëri që shpiku kartonët e verdhë dhe të kuq. Risitë e tij nisën të provoheshin në 1970 dhe u bënë zyrtare tri vite më pas. Në 1974, ky njëri “shpiku” edhe tabelën që njoftonte për zëvendësimet, në mënyrë që lojtarët dhe arbitri të kuptonin sa më shpejt se kush do të zëvendësohej. 



B SI BEKENBAUER Franc Bekenbauer gjatë “ndeshjes së shekullit”, Itali-Gjermani Perëndimore (4-3 në “Meksikë 1970”), dëmtohet në shpatull. Për shkak se dy zëvendësimet e lejuara në atë kohë ishin konsumuar, detyrohet të luajnë të gjithë takimin me krahun e lidhur pas trupit. Për fatin e tij të keq, “pancerat” humbin, por mbrojtësi jep një provë të shpirtit gjerman, duke qëndruar stoik në fushë deri në minutën e 120-të duke qenë se takimi shkoi me shtesë.



C SI CAZHELI
 Ishte pikërisht Karlos Cazheli lojtari i parë në historinë e Botërorëve që është ndëshkuar me karton të kuq. Gjithçka ndodhte në ndeshjen Gjermani Perëndimorë – Kili e vlefshme për “Gjermani 1974” që luhej pikërisht me 14 qershor të 44 viteve më parë. Për kronikë duhet thënë se lojtari i parë i përjashtuar në një Botëror (por jo me karton të kuq) ka qenë Plasido Galindo i Perusë në Botërorin e vitit 1930 që u zhvillua në Argjentinë.

D SI DOPING Edhe rastet e dopingut nuk kanë munguar në Botërorë, por dy mbeten epokalë. Në 1954, Gjermania Perëndimorë mund me përmbysje Hungarinë në finalen e Bernës në Zvicër. Pak ditë pas asaj sfide, disa lojtarë gjermanë shtrohen në spital ku diagnostikohen me një infeksion misterioz që, përveç shqetësimeve të ndryshme, u kishte dhënë të sëmurëve një ngjyrim të verdhë të lëkurës. Në ditët që pasuan u fol për një rast flagrant dopingu, i cili gjithsesi nuk u vërtetua kurrë. Rasti i dytë është ai i Diego Armando Maradonës në “SHBA 1994”.

Në përfundim të ndeshjes Argjentinë-Nigeri (2-1), “Pibe De oro”, i nënshtrohet një kontrolli antidoping, nga i cili rezulton se në trupin Diegos ka përdorur efedrina, një substancë stimulese që për kohën ishte e ndaluar. Atë ditë, karriera e Maradonës ndalet, teksa Argjentina eliminohet në çerekfinale nga Rumania. Edhe sot e kësaj dite, polemikat mbi rastin në fjalë vazhdojnë pasi argjentinasi supozon se ajo që i ndodhi ishte një sajesë e Sep Blaterit dhe FIFA-s për të dëmtuar Argjentinën dhe sidomos yllin e saj.

E SI ESKOBAR

Andres Eskobar, mbrojtësi i kombëtares kolumbiane, i njohur edhe si “Kalorësi i futbollit”. Në gjysmën e parë të viteve ’90, në Kolumbi dhuna është në rend të ditës. Teksa luftojnë për territoret e trafikut të drogës, tre kartelet më të fuqishme në vend kanë venë një mori bastesh për përfaqësuesen e vendit të tyre. Dikush luan shuma marramendësi për fitoren e Botërorit amerikan, ndërsa të tjera për eliminimin e djemve të Fransisko Maturanës. Sidoqoftë, Kolumbia humb takimin e parë ndaj Suedisë dhe përsëri dështon ndaj SHBA-së (me autogol të Eskobar). Suksesi në ndeshjen e fundit në grup ndaj Rumanisë vlen për statistikë dhe skuadra rikthehet e zhgënjyer në atdhe. Mbrëmjen e 2 korrikut të 1994, Andres Eskobar del nga shtëpia duke mos përfillur këshillat e shokëve dhe të trajnerit. Ai nuk do të rikthehej më kurrë në shtëpi, sepse jeta e tij u ndërpre atë natë nga gjashtë plumba pistolete. Në një formë makabre e në një kontekst të trishtë, vdes kështu një djalosh i ndershëm, një futbollist i një epoke tjetër, sa elegant aq edhe i dashur për popullin e tij.

F SI FONTEN

Zhyst Fonten, sulmues i Francës në Botërorin suedez të vitit 1958, me 13 gola rendit ekipin e tij në vend të tretë pas Brazilit dhe Suedisë. Rekordi i tij edhe sot vazhdon të mbetet i pathyer. Sikur të mos mjaftonte kjo, Fonten zhvillon më pas edhe karrierën si këngëtar duke shituar për më tepër edhe miliona disqe.

G SI GAETJENS

Xhozef Eduard Gaetjens. Më 29 qershor 1950, një gol i tij i jep fitoren SHBA kundër Anglisë. Për amerikanët, një ekip amator për kohën, suksesi mbetet historik, teksa anglezët njollosën kështu ndeshjen e tyre të parë në një Botëror, pasi kurrë më parë nuk kishin marrë pjesë në një event të tillë duke qenë se vetëkonsideroheshin më të mirët. Duke u kthyer te heroi Gaetjens, ai kishte lindur në Haiti nga nënë haitiane dhe baba belg. Në mesin e viteve 40 ishte transferuar në Nju Jork për të studiuar ekonomi në universitetin “Kolumbia” falë një burse nga qeveria e Haitit. Karriera e tij si futbollist nisi në kampionatin amerikan ku në një rast u shpall edhe golashënues i turneut, çka i mundësoi edhe ftesën në kombëtaren amerikane. Pikërisht djaloshi në fjalë dhe goli i tij ndaj Anglisë kanë kaluar në histori si “Mrekullia e Belo Horizontes”. Në 1954 u kthye në Haiti, por me ardhjen në fuqi të Fransua Dyvalje, Gaetjens me akuzën se familja e tij kishte ndihmuar rivalin Lui Dezhua rrestohet nga të tmerrshmit “Tonton Macoutes”. Që nga ajo ditë për heroin e futbollit amerikan nuk u mor më vesh asgjë.

H SI HIGUITA

Rene Higuita, portieri kolumbian që në “Itali 1990” guxoi të driblonte edhe në mesfushë, por topi i humbur në këtë aventurë i dha mundësinë Kamerunit të gjente me Roxhe Milan golin që do t’i çonte afrikanët në çerekfinalet e turneut, një arritje e papërsëritur deri më sot nga një ekip nga Kontinenti i Zi. Shansi i tij do të kishte qenë në “SHBA 1994”, por Higuita arrestohet një vit më herët, pasi kishte tentuar të bënte ndërmjetësin në një rrëmbim pa lajmëruar policinë. Shtatë muaj burgim do t’i kushtonin pjesëmarrjen në Botërorin amerikan.

I SI INDIA

Në “Brazil 1950”, India ftohet si përfaqësuese e Azisë, një mënyrë kjo për të afruar shtetet pas Luftës së Dytë Botërore. India fillimisht pranon, e më pas detyrohet të refuzojë ftesën, pasi FIFA kapet fort pas rregullores dhe nuk i lejon indianët të luajnë zbathur. Thuhet se kombëtarja e tyre ishte shumë e fortë, por ishin mësuar të luanin pa këpucë dhe veshja e tyre do të limitonte tej mase aftësitë e futbollistëve. Asnjëra palë nuk bën hapin e parë dhe India vendos të mos paraqitet.

K SI KARASKOSA

Horge Omar Karaskosa, mbrojtës i djathtë argjentinas, i njohur me nofkën “Ujku”, vendos të mos jetë pjesë e kombëtares së vendit të tij në Botërorin e 1978 që luhej pikërisht në Argjentinë. Megjithëse kapiten i skuadrës, ai largohet sepse nuk pajtohet me grushtin e shtetit që kishte sjellë ndryshimin e pushtetit në atdhe. Shiriti i kalon Daniel Pasarelës, që në fund të kompeticionit do të ngrinte në qiell edhe trofeun madhor. Ndërkohë, Horge Omar Karaskosa gëzoi për shokët, por nuk u pendua kurrë për zgjedhjen e tij.

L SI LORO

Lysjë Loro ndodhet në këtë alfabet si lojtari që ka shënuar golin e parë të një Botërori. Ishte 13 korriku i vitit 1930 dhe ai realizonte rrjetën e parë, nga katër që Franca i shënoi Meksikës. Në një epokë pa televizorë dhe media, Loro ishte gjithnjë i gatshëm të vizatonte në një copë letër aksionin që solli golin historik. Për kronikë duhet thënë se në Botërorin në fjalë, Franca humbi ndeshjet e tjera ndaj Argjentinës dhe Kilit, duke i dhënë kështu lamtumirën turneut.

M SI MUEPU

Zaire (sot Republika Demokratike e Kongos), paraqitet pa shumë pretendime në Botërorin gjerman të vitit 1974. Pas humbjeve në grup me Skocinë (0-2) dhe Jugosllavinë (9-0), afrikanët i pret Brazilit. Siç parashikohej, brazilianët nuk vuajnë dhe kur rezultati është 3-0 fitojnë një goditje dënimi. Teksa Rivelino përgatit ekzekutimin, Zhozef Muepu shkëputet nga muri dhe shkelmon topin sa më larg zonës së tij. Gjesti i tij shkakton ilaritet dhe habi. Pas ndeshjes zbulohet e vërteta: Kombëtarja afrikane ishte paralajmëruar nga diktatori Mobutu Sese Seko që, nëse pësonin më shumë se tre gola ndaj Brazilit, askush nuk kthehej gjallë në shtëpi. Pikërisht kjo frikë detyronte Muepun të reagonte në atë mënyrë, që faktikisht shpëtoi jetët e një kombëtareje të tërë.

N SI NETËT MAGJIKE

Netët magjike të “Itali 1990”. “Një verë italiane” titullohet kënga e Botërorit e kompozuar nga i madhi Xhorxho Moroder. Titulli origjinal “To Be Number One” e shkruar nga Tom Uajtlok, teksa versioni italian i kënduar nga Eduardo Benato dhe Xhana Nanini shoqëroi ëndrrat e miliona tifozëve të Italisë. Kalërimi “axurr” u ndal në gjysmëfinalen e humbur me penallti kundër Argjentinës së Maradonës. Teksa për italianët ëndrra futbollistike shkrumbohej përpara syve, drejt Italisë niseshin anijet e para me emigrantë shqiptarë që sapo kishin nisur të thurnin ëndrra për një jetë më të mirë.

O SI ORSI

Raimundo Orsi, argjentinas, i lindur në Avezhaneda. Luan më kombëtaren e vendit të tij deri në 1928, teksa një vit më pas transferohet në Itali te Juventusi. Në vendlindje nuk e thërrasin më, pasi rregullorja nuk lejon grumbullimin e lojtarëve që largohen për të luajtur në Europë. I mbetur pa fanellën bardheblu, Orsi natyralizohet italian dhe në Botërorin e vitit 1934 (në Itali) grumbullohet nga “axurrët”, me të cilët shpallet kampion bote. Fati deshi që pikërisht Orsi të shënonte golin e barazimi ndaj Çekosllovakisë në finalen e Romës. Pas kohës shtesë, italianët do të ngrinin kupën falë një goli të Skiavit. Në 1936 Orsi kthehet në Argjentinë, ku për një rast arrin edhe të veshë fanellën e atdheut të tij.

P SI PIKËLLS

Pikëlls është emri i qenit që në vitin 1966 shpëtoi Kupën Rime (Kupa e Botës). Data ishte 20 mars dhe përgjegjësi i sigurisë deklaronte në mënyrë të pabesueshme: “Nuk kemi gabuar asgjë, thjesht na kanë vjedhur kupën”. Sikleti është i madh edhe shtohet kur vjen një kërkesë prej 15 mijë sterlinash në këmbim të trofeut. Policia organizon takimin dhe arreston një person që rezulton të jetë thjesht një ndërmjetës i përdorur për shkëmbimin. Ditët kalojnë dhe asnjë gjurmë për Kupën, e cila gjendet më 27 mars. Heroi kombëtar britanik bëhet një qen i quajtur Pikëlls, i cili teksa kryente nevojat gjente edhe trofeun e mbështjellë me letër poshtë një gardhi në Beulah Hill, Sauth Nordud, në pjesën jugore të Londrës.

Q SI QUIROGA

Ramon Quiroga (Kiroga) në Botërorin e 1978 mbronte portën e Perusë. I lindur në Argjentinë, Kiroga bëhej pjesë e kombëtares peruane pas marrjes së pasaportës. Ai do të mbahet mend si gardiani që pësoi gjashtë gola pikërisht ne Agjencinë-Peru, një ndeshje që njihet si “Marmalata peruane”. Ai rezultat u mundësonte argjentinasve të fitonin grupin (për të qenë të parët duhej një fitore me 4 gola) e të vijonin rrugën e lavdishme deri në finalen e Botërorit ku do të mundnin Holandën 3-1 e do të ngrinin kupën në qiell.

R SI REDONDO

Fernando Redondo ishte lojtari (dhe çfarë lojtari) që iu ndalua pjesëmarrja në Botëror për shkak të modelit të flokëve. Në “Francë 1998”, trajneri i Argjentinës, Daniel Pasarela, nuk dëshiron të shohë futbollistë ekstravagantë. Mesazhi i tij është i qartë: “Prit flokët dhe luan për Argjentinën”, por Redondo refuzon, ashtu siç kishte bërë në 1990 vetëm për të vijuar studimet. Në 1998 Argjentina eliminohet në çerekfinale nga Holanda.

S SI SINDELAR

Matias Sindelar për shkak të linjave shumë të holla njihej si “Tandella”. Ai ishte një ndër futbollistët më të fortë të viteve ’30. I eliminuar më Austrinë e tij në gjysmëfinalet e “Itali 1934”, ishte pikërisht ai lojtari më i shumëpritur në edicionin francez të Botërorit katër vite më pas. Historia ndal ëndrrën e djaloshit austriak, pasi Hitleri pushton Austrinë, e cila zhduket nga hartat si shtet dhe bëhet pjesë e Gjermanisë. Kombëtarja teutonike grumbullon më të mirët e kombit, por Sinderlar refuzon thirrjen. Edhe në ndeshjen e fundit të Austrisë ndaj Gjermanisë djaloshi krenar nuk pranon të nderojë Fyherin. Gjermania shkon në Botërorin e Francës, por eliminohet në çerekfinale ndaj Zvicrës. Më 23 janar të 1939, kombi austriak qan heroin Sindelar, i cili gjendet i vdekur në apartamentin e tij së bashku me të dashurën. Autopsia e kohës flet për helmim, por misteret mbi rrethanat ishin të shumta. Të tilla janë edhe sot.

T SI TRAPATONI

Xhovani Trapatoni në Botërorin e 2002 paraqitet me një Itali të mbushur me talent dhe një shishe me ujë. Në garën e fundit të grupit, “axurrët” barazojnë me mund ndaj Mesikës, teksa trajneri shihet që hedh ujë rreth e rrotull pankinës. Siç do të mësohej më pas, ishte ujë i bekuar që ia kishte dhënë e motra, dhe trajneri si besimtar i devotshëm tentoi mrekullinë. Rituali vijon edhe në çerekfinale ndaj Koresë së Jugut, po arbitri Bajron Moreno dhe vendimet e tij “çmendin” teknikun italian që në nerva e sipër godet shishen e famshme. Ndërkohë, ndeshja shkon në shtesë dhe aziatikët kualifikohen, duke u dhënë kështu “axurrëve” mësimin e dytë korean në histori.

U SI ULËRIMA

Ulërima e Marko Tardelit edhe sot vijon të jetë një spot botëror. Finalja e Madridit më 11 korrik të 1982 në “Santiago Bernabeu” shërben për t’i treguar muskujt edhe një herë Gjermanisë. Pas një 11-metërshi të humbur nga Kabrini, Italia kalon në avantazh me Paolo Rosin. Në minutën e 69- të, vjen dyfishimi i shifrave me Marko Tardelin që feston si i çmendur. Po ashtu edhe miliona tifozë italianë që trofeu u mungonte prej 44 vitesh. “Pas atij goli pashë jetën të më kalonte si film përpara syve, njësoj si ndjesia që thonë se përjeton përpara se të vdesësh. Kisha lindur më atë britmë brenda vetes dhe doli nga unë pikërisht pas atij goli çlirimtar”, ishte ky rrëfimi i Tardelit, i mbiquajtur “Ujkonja” nga Enco Bearxot, trajneri i madh i Italisë kampione në 1982.

V SI “VAFSH…”

Të famshme (e të qarta) ofendimet e Kinaljas ndaj Valkarexhit në Botërorin e 1974 dhe ato të Karnevales ndaj Viçinit në 1990-ën. I pari, sulmues te Lacio, nuk e përtyp dot faktin e zëvendësimit me Anastasi në ndeshjen kundër Haitit dhe i drejtohet trajnerit duke e “ftuar” që të shkojë në të s’ëmës. Fjalë të tjera, por koncept i njëjtë edhe ai i Karnvales që, pasi sheh Skilaçin t’i marrë vendin në fushë, “dërgon” në djall trajnerin e tij. Për të dy, aventura në kombëtaret mbyllet me këto episode, pasi nuk grumbullohen më kurrë.

Z SI ZAMORA

Rikardo Zamora, një prej portierëve më të mirë në historinë e futbollit. Ai ishte kapiten i Spanjës në Botërorin e vitit 1934. Në ndeshjen e parë ndaj Brazilit i pret një penallti Leonidasit, ndërsa në çerekfinale ndaj Italisë nuk lejon as ajrin të kalojë duke mbyllur sfidën në barazim. Ky rezultat detyron përsëritjen e takimit, por Zamora çuditërisht nuk luan. Zyrtarisht mungesa e tij justifikohet me një dëmtim, por, sipas disa burimeve të kohës, ajo erdhi si pasojë e presionit të regjimit fashist që kërkonte shpalljen Kampione të Italisë në finalen e Romës. Skenari respektohet me përpikëri dhe Spanja pa portierin e saj humbi 1-0 sfidën, teksa Italia në hapat pasardhës eliminon Austrinë dhe mund Çekosllovakinë, për t’u shpallur kampione botë për herë të parë në histori.

Related posts

KUPA E KOMBEVE TË AFRIKËS/ Senegali dhe Maroku bëjnë detyrën

Delo.autor

“Nga ekipi më i mirë në botë në më të keqin në histori të Real Madridit pas vetëm 6 muajsh”

Q.Autor

ISH-DREJTORI I JUVENTUSIT/ Luciano Moggi: Icardin do ta lija në tribunë, nëse akoma nuk…

Delo.autor

Leave a Comment