Futboll Sport

“Skenari” i Memës: Të mbyllen sa më shpejt borxhet, me 3 përforcime Tirana është për titull

Paraqitjet në Kategorinë e Parë nuk janë aspak tregues i forcës së Tiranës, duke qenë se rivaliteti ka qenë i një shkalle të ulët, por nisur nga fakti që në Kupën e Shqipërisë u përball me Vllazninë dhe Kukësin, atëherë bardheblutë dhanë sinjale edhe për elitën. Mirëpo, problematika aktuale e borxheve dhe pagesave të pashlyera mund të jetë vendimtare, duke qenë se afatet janë shtrënguese dhe penalizimet mund të jenë të rënda.

 

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sulejman Mema analizon problematikat e kryeqytetasve, sinjalet pozitive që kanë dhënë dhe mbi të gjitha mënyrën se si mund të luftojnë për titullin. “Partizani dhe polemikat me FSHFnë? Po të mos ishin përkushtuar shumë pas këtyre kontestimeve dhe t’i ishin përkushtuar më tepër anës sportive dhe administrimit të mirë të klubit, mendoj se do të kishin pasur rezultate më të mira”, deklaron Mema.

 

Tirana u rikthye në Superiore, çfarë prisni tani të ndodhë? E shihni si ekip dinjitoz për trofe apo nuk keni besim?

Me atë që kam parë në Kategorinë e Parë, me menaxhimin korrekt dhe drejtimin që pati kjo skuadër, them që është ekip premtues nëse do të ketë dy apo tre rregullime. Sipas meje, jo vetëm që është e denjë për Kategorinë Superiore, por edhe do të jetë një prej pretendenteve për të fituar titullin.

Ze Maria rinovoi kontratën, a ishte kjo një shenjë e mirë?

Unë jam ndierë mirë kur kam dëgjuar që Ze Maria ka firmosur. Jam ndierë mirë sepse ai ka bërë mirë te Tirana. Është një njeri korrekt dhe që përkushtohet te puna. Për më tepër, duke qenë edhe i huaj, nuk ka asnjë lloj ndikimi as nga presidenti dhe sidomos as nga ambienti apo tifozët, ose kushdo që mund të ndërhyjë.

Problematika me financat vijon, klubi nuk ka paguar ende Muzakën dhe rrezikon sërish penalizim nga FSHF. Sa mund të ndikojnë financat për Tiranën e Superiores?

Ndikon sigurisht. Problemi i financave është determinant për Tiranën, sidomos me shqetësimet që ka pasur. Megjithatë, di që në kohët e fundit presidenti i ka përballuar duke shlyer një sërë pagesash të prapambetura. Unë uroj dhe shpresoj që edhe këtë herë të bëhet ç’është e mundur së bashku me Bashkinë e Tiranës për të bërë likuidimet, duke qenë se edhe afatet shtrëngojnë në kohë dhe mund të penalizohet.

Për të ardhmen kjo mund të kushtojë shumë. Profesor, ju personalisht çfarë i sugjeroni klubit, ndonjë lojtar që e mendoni se duhet ta marrë ose diçka tjetër?

Emrat nuk i di që t’i them, megjithatë them që Tirana ka nevojë për një portier tjetër, përveç Likës që ka dhe që është me eksperiencë. I duhet një qendërmbrojtës dhe gjithashtu nuk duhet lënë pas dore edhe një sulmues, i cili të ketë përgatitjen e nevojshme për t’i bërë ballë një sezoni apo që të udhëheqë veprimet sulmuese. Duhet dikush që ofron garanci në majën e sulmit. Sa i përket mesfushës, unë e shoh treshen e Tiranës Maveje-Karabeci dhe Daja si futbollistë me rendiment të mirë, lojtarë stabël dhe që me eksperiencën që kanë, e përballojnë Superioren me sukses dhe ofrojnë progres në performancën e tyre. Them që mund t’i shërbejnë mirë Tiranës.

Si e shihni Tiranën krahasuar me pretendentët si Skënderbeu, Kukësi, Partizani dhe të tjerë?

Unë e pashë Tiranën me Kukësin në ndeshjen e Kupës. Kukësi ishte problematik për të tjerët në atë periudhë, por Tiranën e pashë Superiore në shumë drejtime. Nëse do të jetë boshti dhe ekipi që e mbylli Kategorinë e Parë, ndërthurur me plotësimet që përmenda, them që do të shkojë mirë edhe në Superiore dhe do të jetë skuadër e rrezikshme edhe për fitimin e kampionatit.

Dënimi i Skënderbeut nga UEFA mund të sjelli një tjetër situatë në kampionatin shqiptar…

Në fakt, tani është në pritje për KAS-in. Me sanksionet që ka vendosur UEFA, unë e shoh si dënim të ekzagjeruar me ato fakte që mund të ketë. Unë shpresoj shumë te KASi, pasi lënia në fuqi do të ishte në dëm të madh të Skënderbeut dhe të futbollit shqiptar. Nuk është asgjë pozitive nëse do të dënohet Skënderbeu.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga kampionati i fundit në Superiore?

Kam evidentuar që ka pasur pak nga problemet që ne i cilësojmë rëndom si ‘shitblerje’ ndeshjesh.

Por gjithsesi fundi i kampionatit u akuzua shumë…

Ka pasur pak në krahasim me vitet e tjera, nuk ka qenë situatë e ekzagjeruar si më parë. Ka pasur rivalitet, edhe pse Skënderbeu ka dominuar kampionatin. Së fundmi, edhe faktin që Skënderbeu ka ditur të menaxhojë kampionatin më mirë nga të tjerët, pasi edhe kur morën dënimet, arritën që të dalin nga situata. Është një tregues i qartë menaxhimi për drejtuesit apo trajnerin e Skënderbeut.

Partizani ka akuzuar FSHF-në për mënyrën e ndërhyrjes në garat sportive, i cili është mbështetur së fundmi edhe nga deklarata e ish-trajnerit Starova…

Sa i përket Partizanit, edhe Starova së bashku me drejtuesit kanë pasur kontestime. Unë them që po të mos ishin përkushtuar shumë pas këtyre kontestimeve dhe t’i ishin përkushtuar më tepër anës sportive dhe administrimit të mirë të klubit, do të kishin pasur rezultate më të mira. E them këtë sepse futbollistët nuk i kanë munguar dhe ka pasur një skuadër shumë të mirë.

Related posts

MUNGON MESSI/ Ja formacioni i blerjeve më të shtrenjta në historinë e “El Clasico” (FOTO)

Delo.autor

Janë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen midis Barcelonës dhe AS Romës

Sadik.Autor

DËSHTOI NË AVENTURËN ME KLUBIN BELG/ Ja skuadra e radhës ku do të luajë sulmuesi Durmishaj

Delo.autor

Leave a Comment