Futboll Sport

FITOI KUPËN ME DINAMON/ Zlatko “harron” Shqipërinë: Trajner u bëra në Azi

“Ai është trajneri i panjohur, i cili ka shkruar (deri sot) një vend në finalen e Kupës së Botës në krye të jetëshkrimit të tij. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, Zlatko Daliç mund të vijë shumë shpejt në një klub të Premier Ligës”. “Daily Mail” dhe anglezët janë të dashuruar me trajnerin kroat. Në moshën 51-vjeçare, ai e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij duke punuar në ujërat e ndenjura të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe pas përvojës së shkurtër me Dinamon e Tiranës dhe u katapultua në krye të stolit të kombëtares së tij në fund të kualifikueseve të Botërorit tetorin e shkuar. Por Daliç, dikur një mesfushor defensiv jo me ndonjë reputacion kushedi se çfarë, e dërgoi vendin e tij të vogël në Rusi, duke mundur Greqinë në “play-off”- et dhe tani është bërë një figurë e njohur anembanë globit, nën udhëheqjen e skuadrës së tij të talentuar dhe kurajoze drejt finales së Botërorit.

ÇFARË GUXIMTARI – Daliçi është një trajner i hapur. I stuhishëm dhe fjalëshumë, ai foli për një orë, një ditë pasi skuadra e tij mundi Anglinë në gjysmëfinale dhe e bëri shumë të qartë se ambiciet e tij shtriheshin përtej asaj ndeshjeje. “Në kampionatet e mëdha evropiane, ti shikon për emra të mëdhenj trajnerësh dhe e gjitha kjo është gabim”, tha Daliç. “Njerëzit marrin punë të rëndësishme vetëm sepse ata kanë qenë lojtarë të mëdhenj. Por çfarë do të thotë kjo? Unë e kam nisur në një klub të vogël. U thashë atyre menjëherë se një emër i madh është baras me një gabim të madh që do t’u kushtojë shumë para. Asgjë nuk më është dhënë në pjatë ndryshe nga disa trajnerë në Europë, të cilët menaxhojnë vetëm falë emrit të tyre. Por unë e kam thënë gjithnjë. Më jepni një Barcelonë apo një Real Madrid dhe unë do të fitoj trofe”.

HARRON SHQIPËRINË – Shtatë muajt e qëndrimit në Tiranë gjatë 2008-2009, ku ai në fakt fitoi të parin dhe të fundit trofe në Europë (Superkupën me Dinamon) “injorohen” .në kontributin e ndërtimit të emrit të tij (edhe me të drejtë, për shkak të kohës së shkurtër që qëndroi), duke iu vënë theks i veçantë punës së tij në Lindjen e Mesme gjatë 2010-2017, ku ai fitoi shumë trofe të tjerë gjatë 7 viteve. I pyetur nga “Daily Mail” në fund të konferencës së tij në “Luzhinki Stadium” ditën e enjte, nëse ai do të vinte në Premier Ligë, ai u tregua shumë diplomat. “Unë nuk mund të mendoj për diçka të tillë tani, sepse mund të jap një mesazh të gabuar te një pjesë e popullit kroat, kur ne jemi duke u përpjekur që të bëhemi skuadra më e fortë në botë. Por, ndoshta. Më parë duhet të bëjmë diçka të madhe”. Vitin e shkuar, kur atij iu kërkua të merrte postin e trajnerit të Kroacisë, Daliç refuzoi të firmoste kontratën derisa ai ta kishte kualifikuar kombëtaren në Botëror.

“Nëse nuk do të kishim fituar ‘play-off-et’ me Greqinë, atëherë çfarë kuptimi do të kishte ajo copë letër? Asgjë!” Kjo tregon vetëbesim dhe trajneri kërkohet të respektohet dhe pranohet. Është një cilësi që ai e ka përcjellë edhe në skuadrën e tij: Në Rusi kemi parë një Kroaci që nuk e vuan aspak kompleksin e inferioritetit. “Gjatë gjithë karrierës dhe jetës sime, unë kam marrë gjithnjë rrugën më të vështirë dhe më është dashur të luftoj. Nuk doja të qëndroja në Kroaci, të isha një trajner i nivelit mesatar dhe jetoja me lëmoshë. Kështu që shkova jashtë. Ne nuk jemi të respektuar në Europë, edhe pse trajnerë kroatë si Biliç apo Kovaç kanë rezultate të shkëlqyera. Unë e nisa nga fundi dhe në një vit u bëra trajneri më i mirë në Azi. Menaxhova klubet më të mira atje. Arrita finalen e Champions-it në Azi. Nuk mund ta injorosh këtë. Kjo më solli një eksperiencë të jashtëzakonshme. Punova atje për 7 vjet dhe ishte një rrugë e vështirë, por unë besova te vetja. Kur Kroacia më telefonoi, unë nuk kisha kurrë ndonjë dyshim apo dilemë. E dija se çfarë mund të bënim prej besimit te vetja dhe lojtarët. Njerëzit më pëlqejnë mua, Kovaçin dhe Biliçin.

Kjo është prova se dimë ta bëjmë këtë punë, por kemi qenë trajnerë të nënvlerësuar. Tani kemi treguar se mund të arrijmë gjëra dhe jemi krenarë”. Kroacia do ta nisë si inferiore në ndaj Francës, pasi ka luajtur 3 ndeshje radhazi me kohë shtesë. “Ndoshta ne do të jemi e vetmja skuadër në botë që do të largohet pasi ka luajtur 8 ndeshje”, tha duke buzëqeshur. “Kjo është shumë e vështirë, por mua më duket se, sa më shumë të vështira të jenë rrethanat, aq më mirë luajmë futboll”. Por ajo që Daliç thotë më sipër për trajnerët e “përkëdhelur” nuk vlen për Deshampin. Francezi ka qenë një emër i madh i futbollit, por që ka dëshmuar edhe aftësitë e tij si trajner. “Ai ka që tani kupa dhe unë nuk kam asgjë të tillë në vitrinën time”, thotë Daliç. “Por ndoshta kjo do të thotë se unë e dua më shumë dhe kam më shumë se një motiv për të fituar. Mos u shqetëso… kjo ishte një shaka”. Me Zlatko Daliçin, ndonjëherë është e vështirë për të qenë i sigurt.

Related posts

E BUJSHME NGA ITALIA/ “Lufta” mes Inter dhe “Zonjës së Vjetër” për talentin…

Delo.autor

Tjetër finale për Nadal, kërkon titullin e 11-të edhe në Barcelonë

Sadik.Autor

COMAN MBYLL SEZONIN/ BAYERNI ofertë 68 milionë euro për DËSHTAKUN e Man United

Isa.Autor

Leave a Comment