Futboll Sport

Shkëndija insiston për Rrocën, Luftëtari kërkon të mbajë Vucajn

Teksa Luftëtari nën drejtimin e dyshes sllovene Kostiç-Bonjotiç vijon përgatitjet verore, stafi që rrethon dyshen gjirokastrite është hedhur në sulm për kompletimin e formacionit bluzi me lojtarë kualitativë. Pas këmbënguljes së drejtuesve teknikë, Luftëtari më së fundmi i ka “rrëmbyer” Besës sulmuesin beratas, Aldrit Oshafi. 19-vjeçari ka gjetur përfundimisht akordin me drejtuesit e Besës dhe prej dy ditësh është vënë nën urdhrat e trajnerit Kostiç.

Por, mungesa e përvojës së Oshafit në Superiore (sezonin e fundit është aktivizuar te Besa, duke realizuar gjashtë gola) ka vënë në lëvizje njerëzit e merkatos së Luftëtarit për të afruar një tjetër sulmues pykë. Jo vetëm kaq, por dhe largimi i mundshëm i sulmuesit 36-vjeçar Mario Gurma është arsye më shumë për të afruar në ekip zëvendësuesin e Vasil Shkurtajt.

Rroca – Një nga lojtarët që spikati me gjirokastritët ishte edhe Eduard Rroca, në drejtim të të cilit nuk kanë munguar ofertat. Shkëndija e Tetovës ka bërë një ofertë pak kohë më parë në zyrat e klubit bluzi, por këta të fundit kanë refuzuar. Megjithatë, tetovarët nuk janë tërhequr dhe i janë rikthyer sërish pistës për të bërë të tyrin mesfushorin, por në klubin gjirokastrit janë të bindur për të mos e lënë të lirë pa 100 mijë euro. Në ditët në vijim do të shihet se si do të shkojnë bisedimet mes palëve.

Merkato – Mesfushori shkodran Erjon Vucaj është “dashuria e lindur” së fundmi me Luftëtarin. Falë paraqitjes pozitive të 28- vjeçarit shkodran në Europë, ai është në listën e dëshirave të drejtuesve bluzi, por më parë duhet zgjidhur kontrata që ai ka me Vllazninë. Rikuperimi i plotë i Rrocës si dhe afrimi i mundshëm i shkodranit Vucaj do t’i jepte të tjera dimensione lojës së Luftëtarit në mesfushë.

Sakaq, në radhët e Luftëtarit nga e marta janë afruar dy lojtarë koreanë, MinOu Song dhe Ji-Von Park, të cilët do të testohen nga stafi teknik. Pas operimit nga apendesiti, kontingjentit bluzi i është bashkuar dhe Ledion Xhymerti. Eljan Çelaj është një tjetër lojtar i ardhur nga të rinjtë e Partizanit, që vijon përgatitjet me Luftëtarin. Ndërkohë që skuadra po vazhdon normalisht përgatitjet me dy seanca në ditë dhe lojtarët po marrin të gjithë ngarkesat e nevojshme fizike për të përballuar kampionatin e ardhshëm.

Related posts

EUROPA LEAGUE/ MILANI “tërbohet” ndaj Dudelanzhit, 5 gola me përmbysje. Ja rezultatet e plota

Isa.Autor

“ËSHTË NJË NEGLIZHIM I MOMENTIT”/ Flet trajneri Ahmataj pas barazimit: Marrim kartonë shumë herët, duhet ta…

Delo.autor

RONALDINHO KTHEN KOHËN PAS/ VIDEO nga shfaqja e tij mahnitëse kundër legjendave të Real Madridit

Delo.autor

Leave a Comment