Futboll Sport

MILANI NË ZI/ Tërhiqet nga komentet sportive, “babai” i pseudonimeve të idhujve

Lamtumirat janë gjithmonë emocionuese deri në pikëllim dhe nëse flasim për futboll, të parat që na vijnë në mendje janë largimet e futbollistëve apo edhe trajnerëve. Por, këtë herë bëhet fjalë për një person të veçantë, veçanërisht për tifozët e Milanit.

“Cigno di Utrecht” (Van Basten), “Tempesta perfetta” (Nesta), “Smoking Bianco” (Kakà) apo “Vento di Passione” (Shevchenko), të gjitha këto pseudonime e shumë të tjera, vështirë se mund të harrohen kollaj nga cilido tifoz që është rritur në mbështetje të “djallit”, prej viteve ’80 e deri në fillimvitet 2000. Janë pikërisht pseudonimet e idhujve të tyre që kanë shkelur në barin “kuqezi” të mitikut “San Siro”.

Nga kjo e mërkurë, “babai” i të gjitha këtyre emërtimeve imagjinare do të varë “mikrofonin” në gozhdë. Carlo Pellegatti i jep kështu lamtumirën komentimeve të ndeshjeve, e për ta zyrtarizuar ka preferuar të zgjedhë rrjetin social Instagram. Aty ku ka publikuar një video të vërshëllimës së fundit të ndeshjes Milan-Fiorentina, të majit të kaluar, që rezulton edhe e fundit e komentuar prej tij në televizion.

“Komentet e mia marrin fund sot. Falënderoj të gjithë ata që më kanë ndjekur, me dashamirësi, që prej kohëve të Radio Panda e deri në ditët e sotme, te Premium Sport, në këto 35 vite të paharrueshme. Gjithmonë Forca Milan”, mbyll statusin e tij komentatori i shquar italian, Pellegatti.

Shumë tifozë të Milanit ndoshta mund të bëjnë pyetjen sesi do të mbiquhen tashmë të ardhurit e rinj, por edhe për këtë ka menduar vet Pellegatti, i cili ka dhënë sugjerimet e tij të paktën edhe për këtë sezon që sapo ka nisur.

“Atlante il Titano” për Higuainin, “Demone” për Caldarën, “Molosso” për Bakayokon, “Semaforo Rosso” për Reinën, “Falce Dentata” për Striniç (i cili fatkeqësisht do të mungojë disa muaj për shkak të problemeve kardiovaskulare), “El Lustroso” për Castellejon, “Coriandolo” për Haliloviçin dhe “Vampata” për Laxaltin.

Por, “këto janë thjesht pseudonimet e reja, të cilat nuk do të mund t’i bërtas unë nga mikrofoni”, njoftoi gazetari i famshëm.

Por pse largohet tani Pellegatti dhe a është i vetmi? Me blerjen e të drejtave televizive të Serie A nga ana e Mediaset Premium, në fakt janë tërhequr edhe “gazetarë të tjerë tifozë”, si Christian Recalcati (Inter) dhe Antonio Paolino (Juventus), pa harruar edhe Carlo Zampa (Zëri i Romës, siç e quanin tifozët verdhekuq).

Related posts

Botërori u “shteron” energjitë/ NEYMAR dhe MBAPPE bëhen “telef” gjatë…(VIDEO)

Isa.Autor

DERBI I KRYEQYTETIT/ Interes i jashtëzakonshëm, ja numri i biletave të shitura 1 ditë para super sfidës

Delo.autor

SKANDAL/ Kishte trafikuar 310 kilogramë drogë, policia arreston ish-sulmuesin e Gjermanisë

Delo.autor

Leave a Comment