Futboll Seria A Sport

SUPERSFIDA/ I urryeri Higuain rigjen Napolin, vërshëllimat e karikojnë në “San Paolo”

Një ditë papritur, saktësisht më 26 korrik 2016, Gonzalo Higuain vendosi që të mos mbrojë më qytetin. Edhe për popullin e Napolit, që e konsideronte si “diçka madhështore”, tashmë është shndërruar në “një tradhtar”, një “i baltosur”, një nga sharjet më të shpeshta poshtë Vezuvit. Fatkeqësisht, deklaratat e dashurisë së “Pipitas”, pas largimit kundrejt tifozërisë nuk u mjaftuan atyre që e deshën. Madje, nuk shërbeu as mungesa e festimit në respekt të tyre, pas golit të parë si juventin që i realizoi Reinas dhe një “tradhti” e tillë vështirë se do t’i falet sa të ketë jetë Gonzalo Higuain.

Të tilla lëvizje, aq më shumë kur vendos që të largohesh për Juventusin, napolitanët nuk i kapërdijnë dot: janë të papranueshme për një tifozëri, e cila është gati t’i shenjtërojë idhujt e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për futbollist apo akoma më shumë nëse kombësia është edhe argjentinase. Për këtë arsye, përplasjet që pasuan mes Gonzalos dhe Napolit shkuan keq e më keq, për sa i përket marrëdhënies reciproke dhe respektit të treguar nga tribunat në fushë dhe anasjelltas. Po ku i dihet nëse në versionin “Djall”, të shtunën në mbrëmje, do të ndryshojë diçka në “San Paolo”.

DHJETORI I NXEHTË

Dhe vështirë që kjo të ndodhë edhe të shtunën, sepse përballja e fundit e Gonzalo Higuainit me “San Paolon” ishte më e nxehta në absolut. Fillimisht, gjesti nervoz dhe njëkohësisht ironik ndaj spektatorëve që e ofendonin dhe më pas festimi polemik i golit të ndeshjes, teksa kërkonte Aurelio De Laurentisin me sy në tribunë, pas deklaratës helmatike të ish-presidentit të tij për argjentinasin, në vigjilje të ndeshjes. Dhe në fund, një sherr nervoz me fjalë në fushë me ish-shokun e skuadrës dhe të repartit, Lorenco Insinje.

Gonzalo, me dorën e majtë të fashuar dhe të frakturuar, përfundoi menjëherë një statujë balte ironike, duke parë që sfida në fjalë u konsumua në muajin dhjetor. Dhe nëse i shtojmë këtu edhe golin e “Pipitas” në stadiumin “San Siro” kundër Interit (sezonin e kaluar, përmbysja 3-2 e Juves në shtesë në Milano), ose ndryshe shkrumbimin e ëndrrave të djemve të Mauricio Sarrit për titullin kampion, duket e vështirë që edhe pse sivjet, ai do të rikthehet në fushë me fanellën e Milanit, të presë ndonjë dashamirësi apo pak më shumë respekt nga tifozët e Napolit. Fundja, si profesionist që është, Gonzalo nga ana e tij nuk e ka “mëshiruar” asnjëherë ish-skuadrën e tij. Në gjashtë takime, 30-vjeçari i ka shënuar 5 gola Napolit, ndër viktimat e tij të preferuara në Serinë A, duke menduar se i dyti qëndron Milani, për të cilin aktualisht luan (6 gola) dhe Lacio e vendit të parë me 13 gola.

PESË NGA GJASHTË

Larja e hesapeve me Napolin, për njeriun që me bluzën e kaltër fitoi një Kupë dhe një Superkupë Italie, plus theu edhe rekordin e golave në një sezon të Serisë A të Nordhalit (36 realizime), nisi më 29 tetor 2016. Një e djathtë tokazi, e një topi të dalë nga zona e vogël e portierit pranë vijës së 16 metrave, me “Juventus Stadium”- in që shpërtheu, por jo vetë futbollisti, në shenjë respekti. I njëjti stadium, i njëjti sezon, por në Kupën e Italisë: Higuain vë në shinat e duhura sfidën gjysmëfinale të vajtjes, me një diagonale të pakapshme.

Akti i tretë është e para për të në “San Paolo”: pa zhurmë dhe pa gol, i injoruar nga tribuna ultras, e cila nuk i dedikon asnjë banderolë, por i dhuron vetëm vërshëllima, sikur të ishte një kundërshtar çfarëdo. Ishte 2 prill, por tri ditë më vonë, kur “Pipita” prezantohet sërish në Napoli, muzika është shumë ndryshe: një e djathtë e frikshme nga jashtë zone dhe një goditje fituese pas asistit të Kuadrados, që kompletojnë punën në kupë, duke dërguar Juven në finale. Dy kapitujt e fundit i përkasin sezonit të kaluar: 1- 0 për Gonzalon në “San Paolo” dhe 1-0 për Napolin në “Allianz Stadium”. Në portë, për ta ndalur, ishte gjithmonë Pepe Reina, me të cilin sot ndan dhomat e zhveshjes te Milani. Edhe Reina, sot, mbron një tjetër qytet…

Related posts

15 MILION DOLLARË PËR TU NDESHUR SËRISH ME McGREGORIN/ Khabib “SHOKON” me vendimin e tij

Isa.Autor

Kësaj i thonë më puth në ”Lacazette” (FOTO)

Sadik.Autor

JA VENDIMI QË MERR KLUBI/ Barcelona kundërshton kartonin e kuq të Dembele

Delo.autor

Leave a Comment