Futboll Sport

DERBI ME TIRANËN/ Gega: Derbi ka specifikën e vet, por parësore janë objektivat

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega dhe kapiteni i ekipit Alban Hoxha kanë folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Tiranën. Ata folën për shumë aspekte, duke u munduar të largojnë presionin, sepse me rëndësi është arritja e objektivave.

Derbi pikë referimi: ‘’Derbi ka specifikën e vet, ka elementët e vet pozitiv. Nëse e kalojmë me sukses, patjetër që do të jetë pozitive, sepse rrit besimin në ekip. Vijmë nga një moment i mirë por është vetëm fillimi dhe duhet kuptuar kjo. Nuk jemi aty ku duhet, por kemi nevojë për rritje dhe besoj se do të ndodhë”.

Emocionet: “Janë emocione të tjera, ndoshta edhe më të mëdha sepse ka përgjegjësi më të mëdha. Si lojtar është ndryshe, i shkarkon emocionet, je vetë përgjegjës. Kur je trajner ke 25 lojtar, ke stafin dhe i bën vet zgjidhjet sepse duhet të përgatitësh ndeshjen në detaje. Presioni është dhe emocionet sigurisht, por duke parë lojtarët në sy dhe se si punojnë, i ndajmë gjërat, të kaluarën dhe të sotmen. E presim kënaqësi”.

Formacioni: ‘’Nuk ka sekrete, unë kam 25 veta, kam aktivizuar edhe lojtarë të ri. Është e vështirë kur sheh që ka konkurrencë, tanimë është rritur. Kam një dilemë shumë të vogël, deri të premten do tentoj të zgjedh grupin më të mirë”.

Goli në derbi: “Ka ndodhur në vitin 1987, ka dalë 3-2. Historia është histori dhe është mirë kur kthehesh mbrapsht, por kalon. Për mua janë gjëra që kanë mbaruar, sot jam 55 vjeç. Nëse fitojmë dhe paraqitemi mirë lidhet nostalgjia me të sotmen dhe besoj se bëhet edhe më e fortë”.

Objektivat: ‘’Me gjithë respektin që kam për tifozët, dëshiroj ta fitoj, por është një punë që bëhet sot dhe nuk i merr frytet përnjëherë. Unë kam eksperiencën time që ndoshta ndeshjen më të mirë e kam bërë kundër vëllait tim dhe kam dashur ta fitoj. Kështu funksionon futbolli. Objektivi është një projekt që ne duhet ta realizojmë patjetër. Duhet që çdo ndeshje të bëjmë maksimumin dhe tifozët të shohin që po bëhet një projekt afatgjatë”.

Forma e Partizanit: “Nuk është diplomaci, por mundohem të jem objektiv. Nuk thuhet që në fillim se je për titull, do i shohim gjërat javë pas jave, ideja për të qenë në vendet e para po përmirësohet. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë me Tiranën. Sa i takon kualitetit, ne kemi grupin. Kjo më intereson, është një ekip që punon mirë, sillet mirë brenda dhe jashtë fushës. Kjo më intereson mua, pasi është baza. Jam mirënjohës lojtarëve që po reagojnë siç duhet”.

Dështimi: “Nuk kam komplekse me ‘ish’-ët dhe një humbje mund ta përdorin si dështim. Unë mendoj se nuk ka dështim në futboll, ka humbje dhe duhet të ngrihesh dhe të vazhdosh rrugën. Ata kanë fituar derbe, kanë humbur ndeshje, që nuk do i analizoj. Nëse fitojmë, uroj të bashkohen me gëzimin tonë. Të japin maksimumin dhe duhet të funksionojë si familje”. /

Edhe kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha është ka shprehur të njëjtat ide si trajneri, duke theksuar faktin që presioni qëndron mbi Tiranën.

Problemet vjet: “Ju e dini që hoqa dorë nga shiriti, pati keqkuptim me Moggin. Tani flasim çdo gjë me trajnerin, drejtorin, se Moggi më shumë nuk ishte. Është krijuar frymë pozitive, ky është ndryshimi”.

Partizani më i fortë: “Nuk mund ta them. Do të japim maksimumin. Po fitove një derbi je më i miri, po humbe nuk bën më. Normalisht që unë dua ti motivoj, siç do bëj edhe trajneri, edhe ata që janë më të vjetër në klub. Të gjithë e dinë vlerën e derbit, deri të premten kemi kohë. ”

Hoxha me fanellën e Tiranës?: Jam i përqendruar te Partizani dhe mendoj se do të ketë shumë vite të tjera. Po futbollit nuk i dihet.

Related posts

“Messi është edhe më i mirë se kur fitonte “Topin e Artë”!”

Sadik.Autor

Tërbimi i ultrasve të PSG: “Madrid K…a!”

Q.Autor

Mbrojtësi i INTERIT injoron RONALDON: Më i forti që kam hasur është ky sulmues

Isa.Autor

Leave a Comment