Formula 1 Sport

Surprizon Bottas/ Fiton “pole position” në Sochi, ndjekin Hamilton e Vettel

Valtteri Bottas ka surprizuar të gjithë në pistën e Sochi, duke siguruar “pole position” në garën e Çmimit të Madh të Rusisë. Piloti finlandez dha kohën 1’31”387, kohë rekord për këtë pistë, duke lënë pas me 4 të mijëtat shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton. Pra, vija e parë e nisjes është tërësisht e Mercedes, më e shpejtë se makinat e tjera. Dy makinat Ferrari u renditën në vendet 3-4, me Sebastian Vettel që la pas shokun e tij të skuadrës Kimi Raikkonen, por dy “kokëkuqet” ishin gati gjysmë sekondi më të avashta.

Rezultati i Bottas ishte vërtet një surprizë, pasi pritej që Hamilton të ishte më i shpejti, duke qenë se i dominoi dy sesionet e para. Por finlandezi bëri një xhiro të përkryer, duke mposhtur shokun e skuadrës. Ferrari me probleme, më e avashtë se Mercedes, madje mund ta kishte nisur edhe më pas garën nesër nëse Red Bull nuk do të ishte penalizuar për ndërrimin e motorëve. Në “top-10” u klasifikuan edhe Magnussen (Haas), Ocon (Force India), Leclerc (Sauber), Perez (Force India), Grosjean (Haas) dhe Ericsson (Sauber) .

Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare u eliminuan Hartley (Toro Rosso), Alonso (McLaren), Sirotkin (Williams), Vandoorne (McLaren) dhe Stroll (Williams), ndërkohë që kohën më të shpejtë e regjistroi Hamilton me Mercedes. Ndërsa në përfundim të sesionit të dytë u eliminuan dy pilotët e Red Bull, Verstappen e Ricciardo (që janë penalizuar për ndryshimin e motorit dhe do ta nisin garën nga fundi), Gasly (Toro Roso), Sainz (Renault) dhe Hulkenberg (Renault).

Related posts

JUVENTUSI E BAYERN HIPOTEKOJNË 1/8 E CHAMPIONS/ Fitojnë Barcelona e Chelsea ndërsa United përmbys Atalantën

Delo.autor

Liverpooli dhe Atletico Madrid shfaqin interes për sulmuesin e Juventusit!

Sadik.Autor

Martinez: Tek BAYERN ka vend vetëm për MESSIN, sepse është më i miri në botë

Isa.Autor

Leave a Comment