Bundesliga Futboll Sport

ANALIZA/ ROBBEN e RIBERY drejt “skadencës”, ja arsyet e krizës te BAYERNI

Me humbjen në shtëpi 0-3 ndaj Gladbahut situata te skuadra e Bajernit ka prekur fundin. Katër ndeshje rresht pa fitore dhe vetëm dy gola të shënuar. Kështu, bavarezët renditen tani vetëm në vendin e pestë të renditjes. Gabimet individuale që kanë ndodhur në skuadrën kampione të Gjermanisë kanë çuar në këtë gjendje të skuadrës. I këtij mendimi ishte edhe Lotar Mateus, një ish-lojtar i kësaj skuadre tani një analist te “Sky”. “Të mos harrojmë merkaton e dobët të Bajernit. Ata vendosën të luanin një sezon të gjatë, duke u bazuar tek yjet e plakur të skuadrës”, u shpreh Mateus.

E thënë troç gabimi është i drejtuesve që vendosën të rinovonin edhe për një sezon kontratat e Roben dhe Riberi. Sigurisht që këtu nuk duhet të harrojmë edhe dëmtimet që skuadra ka pësuar në këto shtatë javë të kampionatit. Kingslei Koman ishte viktima e parë, francezi që ishte në fakt kandidati kryesor për të luajtur në këtë sezon nga minuta e parë u dëmtua në ndeshjen e parë me Hofenhaimin. Gnabri dhe Riberi nuk e kanë zëvendësuar në mënyrën më të mirë të mundshme lojtarin dhe në ndeshjen e fundit Kovaç vendosi në atë pozicion Hames Rodrigez që edhe pse ka luajtur më parë në atë pozicion nuk është i duhuri.

Roben dhe Riberi drejt skadencës

Pas dëmtimeve dhe një tjetër arsye për këtë situatë jo të mirë të Bajernit janë edhe dy lojtarët e krahut, një armë që në të kaluarën ka qenë çelësi i suksesit te gjermanët. Nuk ka asnjë dyshim që të dy lojtarët kanë cilësi të larta teknike, por kundërshtarët njohin mirë lëvizjet e tyre dhe tani dinë si t’i ndalojnë ata. Që Roben pëlqen të shkojë nga e majta në qendër dhe të godasë, kjo njihet nga e gjithë Bundesliga, edhe pse ai ka rritur ta bëjë këtë gjë me sukses në të kaluarën, duke pasur edhe një shpejtësi dhe freski më të madhe se ditët e sotme. Gjithashtu, edhe francezi ka humbur shkëlqimin dhe finesën që ka pasur dikur.

Shumë pasime të gabuara dhe dyluftime të humbura

Goli i parë erdhi nga një pasim i gabuar i Tiagos që kishte një detyrë shumë të lehtë. Por, spanjolli katandisi gjithçka, duke i dhuruar topin kundërshtarit, i cili shfrytëzoi në maksimum këtë gabim. Një tjetër shqetësim mbeten edhe dyluftimet e pakta të fituara. Edhe pse Arjen Roben është munduar të përplaset me kundërshtarin, pjesa tjetër e skuadrës është shumë pasive.

Mungesë alternativash

Trajnerit Niko Kovaç i mungojnë alternativat për të zëvendësuar Roben dhe Riberi. Feliks Magat, një ish-trajner i bavarezëve, ka kritikuar politikën e drejtuesve në merkaton e verës. “Nuk e kuptoj, përse Bajerni vendosi t’u besojë krahët e sulmit dy lojtarëve që me gjithë respektin që kam, janë jashtë forme. Mendoj që Bajerni do të kishte qenë një skuadër më e rrezikshme, nëse në sulm do të kishte gjak të ri. Fakti që në merkato nuk u bë asnjë lëvizje, më habit shumë”.

Skuadra ende një kantier ndërtimi

Po t’i hedhësh një sy organikës së skuadrës, mund të mendosh që titulli në këtë sezon do të shkojë sërish në Mynih. Dhe në fakt, ashtu u duk në pesë javët e para. Por, tani bavarezët po përballen me një realitet ndryshe. Bajerni nuk ka qenë asnjëherë i njëjtë në dy ndeshje rresht. Kjo tregon se trajneri Kovaç ende nuk është i qartë për lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës. Rrotacion edhe kur nuk ka qenë i nevojshëm dhe shumë ndërrime të pozicioneve të lojtarëve kanë krijuar përshtypjen se skuadra është ende në ndërtim dhe për të arritur perfeksionin do të duhet edhe pak kohë, kohë që po kushton shumë pikë të lëna në shtëpi.

Related posts

FORMACIONET ZYRTARE/ Çelsi është “macja e zezë” e Guardiolës, shikoni si rreshtohen skuadrat

Delo.autor

PRAPASKENAT E MERKATOS/ Interi i ofron Dibalës shumën e majme

Delo.autor

PANUCCI PËRPLASET KEQ ME GAZETARIN: Pyet PALAÇOT pse humbëm, unë prap do e marr…(VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment