Futboll Seria A Sport

ETHET E DERBIT TË MILANOS/ Diego Milito jep leksione dhe tregon si mund të fitohet

Gjashtë ditë nga derbi, që parashikohen shumë të gjata, mbi të gjitha për ata që do përjetojnë për herë të parë si protagonistë sfidën brenda Milanos. Derbi është gjithmonë derbi, një ndeshje “që duhet fituar dhe pikë”, siç do thoshte Diego Milito. “Princi” është gjithmonë referenca e duhur për çfarëdolloj rasti. Gjatë karrierës së tij tek Interi, Milito ka shënuar edhe një rekord që i përket pikërisht derbit të Milanos: argjentinasi, në fakt, është lojtari i vetëm nga viti 2000 deri më sot që ka debutuar në sfidën më të shumëpritur me një gol e një asist.

 

 

Ishte 29 gushti i vitit 2009, java e dytë e atij kampionati (i mbyllur me tripletën) që në fund do hynte në legjendën e klubit zikaltër. Njëkohësisht, edhe ndeshja e parë tek Interi për Uezli Shnejder, i porsatransferuar nga Reali i Madridit, ku holandezi fitoi zemrat e “San Siro”-s me një paraqitje fenomenale, pavarësisht ditëve të pakta të stërvitjes me skuadrën. Milito e Shnajder ishin heronjtë e asaj sfide të fituar 4-0, hapi i parë përkrah i një rrugëtimi që më pas hyri në histori.

 

 

SHEMBULLI KANDREVA – Më 21 tetor, diçka më shumë se nëntë vite më pas, Interi kërkon protagonistë të rinj në prag të derbit të radhës. Dhe me shumë mundësi do jetë ndeshja e parë (gjithmonë nëse do zbresin në fushë) për së paku pesë lojtarë të Spaletit. E vështirë, në fakt, të mendohet për një Inter që zbret në fushë pa De Vraj e Azamoahn në mbrojtje, Naingolanin e Politanon në mesfushë. E kushedi nëse edhe Vrsaliko (aktualisht në balotazh me D’Ambrozion), Keita e Lautaro do mund të gjejnë hapësirë nga 1’ apo si zëvendësues.

Për të gjithë, megjithatë, ka një model për t’u ndjekur: Antonio Kandreva është i fundit që “ia ka dalë”, por edhe i vetmi në skuadrën aktuale që ka shënuar në derbin e parë, thuajse dy vite më parë: ishte 20 nëntori i vitit 2016, sfida përfundoi 2-2 dhe italiani gjeti golin e parë të barazimit, përpara se Perisiç të shënonte të dytin. Në tetëmbëdhjetë sezonet e fundit të Serisë A, vetëm tetë lojtarë zikaltër kanë gjetur golin në përballjen e parë me Milanin. Përveç Kandrevës e Militos, lista përfshin emra prestigjiozë si Ibrahimoviç e Krespo apo heronj të tripletës si Stankoviç, Tiago Mota apo Pandev. Por, edhe “surprizën” Ezekiel Skeloto. Pra, për çmimin “Mbret për një natë” mund të konkurrojnë të gjithë. “Në fushë duhet dhënë gjithçka: grinta, vendosmëria dhe dëshira për të fituar. Sepse derbi është një ndeshje që thjesht luhet”. Është kjo “receta” e Militos.

PRECEDENTË – Edhe një asist është gjithmonë i mirëpritur: në këtë aspekt, përveç Militos, ndodhen Maikon e Galjardini. Kushedi, ndoshta të dielën “skena” do jetë për Politanon, autorin e dy pasimeve-gol gjatë tetë javëve të para të kampionatit. Gjatë karrierës sulmuesi derbe ka përjetuar vetëm në kohën kur luante për moshat e Romës, duke rezultuar vendimtar në disa prej tyre. Një protagonist i papritur? “Kujdes” Azamoahn: 7 derbe me Torinon (4 si titullar), me një bilanc prej 5 fitoresh e dy barazimesh. Por, mbi të gjitha, Milani është kundërshtari me të cilën ganezi është përballur më shpesh në Itali, përfshi Kupën: 16 ndeshje, 11 fitore dhe vetëm 2 humbje. Thjesht statistika, por në një botë ku besëtytnitë duan pjesën e tyre, është e pamundur të mos u hidhet një sy.

Related posts

Liverpool 3:0 Bournemouth, notat e lojtarëve

Sadik.Autor

Atletico Madrid, zëvendësuesi i Griezmann do të jetë francez…

Sadik.Autor

RAMOS NIS SULMIN PËR NEYMAR/ Deklaratë e papritur për brazilianin

F.autor

Leave a Comment