Futboll Seria A Sport

INTERI NUK VDES KURRË/ Zikaltrit më shumë gola se të gjithë në 15 minutat finale

Fitorja e katërt radhazi në kampionat mbajti pa dyshim firmën e tij: pas “perlës” me Totenhemin dhe dinakërisë kundër PSV-së, Mauro Ikardi u zhbllokua përfundimisht edhe në kampionat ku, përpara sfidës me Spalin, kishte shënuar vetëm një gol me Fiorentinën. Një statistikë e dobët për një sulmues të kalibrit të argjentinasit.

Dy golat kundër Spalit, pra, dhe paraqitja e radhës prej lideri ngjitën Interin sërish në vendin e tretë të klasifikimit, tashmë me 16 pikë, dy më pak se Napoli i Ançelotit (Juvja megjithatë mbetet larg: +8).

ASISTET E PERISIÇIT – Ikardi, që është lojtari me më shumë rrjeta të shënuara në transfertë (plot 10) në vitin diellor 2018 të Serisë A, arriti Bobo Vierin në vendin e shtatë të golashënuesve më të mirë të historisë së Interit në kategorinë superiore me 103 të shënuar. Nuk duhet harruar, megjithatë, puna e Ivan Perisiçit, vendimtar edhe kur nuk shënon: kundër emilianëve kapiteni u shërbye fillimisht nga kroati tjetër Vrsaliko, por asisti i sulmuesit ishte i 16-ti në total nga momenti që ka veshur fanellën zikaltër; si konfirmim i raportit të shkëlqyer që është formuar mes dyshesh.

Por, vendimtar rezulton gjithmonë Mauro, me gola gjithmonë e më të bukur e vendimtarë: në katër ndeshjet ku 25-vjeçari ka gjetur rrugën e rrjetës gjatë këtij sezoni (me Fiorentinën e Spalin në kampionat, Totenhemin e PSV-në në Champions), zikaltrit kanë marrë gjithmonë tri pikët.

PESHË DHE PERSONALITET – Duke analizuar sfidën kundër skuadrës së Sempliçit, megjithatë, duhet thënë që Interi zhvilloi një ndeshje mediokre, shpesh e vendosur në vështirësi nga kundërsulmet e vendësve. Në mesfushë, pa Brozoviçin, Borha Valero u përpoq të mbante ritmin, por doli në pah problemi i zakonshëm i konsistencës së zikaltërve, ku në repart mungon një lojtar i fortë, me peshë dhe personalitet. Karakteristika që, megjithatë, nuk duket t’i mungojnë skuadrës së Spaletit.

Interi i këtij viti, në fakt, kur pëson nuk shpërqendrohet: përmbysja kundër Totenhemit është kujtimi më i fundit dhe portretizimi konkret i fjalës përmbysje, megjithëse arritën të rimarrin në dorë situatën edhe kundër PSV-së. Por, edhe kundër Spalit e Fiorentinës në kampionat, pasi është barazuar, ekipi zikaltër ka qenë në gjendje të rigjejë avantazhin pa pësuar rënien psikologjike. Dhe tani është mësuar të shënojë në çdo moment të ndeshjes.

GJITHMONË TË KUJDESSHËM – Sipas statistikave, është Napoli në fakt skuadra që në Serinë A ka realizuar më shumë gola në 15 minutat e para të lojës. Plot katër herë, përfshi rrjetën e Ouna kundër Sasuolos, “axurrët” kanë mposhtur portierin kundërshtar që në vrullin e parë. Menjëherë pas skuadrës së Ançelotit, megjithatë, qëndron Interi: i ndalur në kuotën 3, përfshi këtu golin e parë të Mauro Ikardit në “Mazza di Ferrara”.

Për më shumë: argjentinasi realizoi golin e katërt të zikaltërve për këtë edicion të lindur nga një krosim (flitet gjithmonë për atë ku u shërbye nga Sime Vrsaliko), më mirë se çdo skuadër tjetër e Serisë A në këtë edicion. Interi është gjithashtu skuadra që ka shënuar më shumë në 15′ e fundit të lojës: plot 6 gola.

Pra, “kooperativa” e Spaletit tregohet e kujdesshme jo vetëm në fillim, por veçanërisht kur situata ndërlikohet. Simptomë besimi, agresiviteti dhe, normalisht, e një forme të mirë fizike. Dhe dora e trajnerit ndihet, mbi të gjitha falë zëvendësimeve të qëlluara. Tani është radha e pauzës, më pas vjen derbi…

Related posts

CONTE E KËRKON ME ÇDO KUSHT/ Ja oferta e fundit të Inter për sulmuesin Dzeko

Delo.autor

ZYRTARE/ Joao Cancelo firmos me Manchester Cityn

F.autor

REALIZOI ËNDRRËN PËR TË LUAJTUR TEK BARCELONA/ Por mbrojtësi Emerson tregon arsyen pse klubi e largoi

Delo.autor

Leave a Comment