Të shumta janë aludimet e kohëve të fundit mbi një rikthim të Neymar te Barcelona, të cilën e la kur u transferua në verën e vitit 2017 te PSG për shumën rekord të € 222 milionë. Ndonëse erdhi në Francë me të tjera qëllime, duket se eksperienca e deritanishme e brazilianit në tokën e shikut të Katarit ka qenë zhgënjyese. Tani edhe Barcelona duket gati për të mirëpritur rikthimin e Neymar, djaloshit rebel. Mësohet se presidenti Bartomeu ka informuar senatorët e ekipit për këtë shans dhe opinioni i marrë nga dhomat e zhveshjes së ekipit blaugrana ka qenë ekstremist pozitiv.
Gjithmonë e më shumë vizitat e Neymar në “Ciutat Esportiva” në Barcelonë kanë qenë të shpeshta gjatë muajve të fundit, ku ai ka ende shumë miq si ter Stegen, Rakitic, Rafinha, Suarez dhe Messi, përveç bashkëkombasve Coutinho, Arthur dhe Malcom. Por Neymar nuk është i vetmi rikthim i pritshëm.
Pas 4 vitesh të kaluara te PSG, 2 te Manchester United dhe 1 sezon e gjysmë në MLS me Los Angeles Galaxy, Ibrahimovic mund të rikthehet te Milan. Me kuqezinjtë ai ka luajtur gjatë viteve 2010-2012, duke fituar titullin kampion në Seria A, që në sezonin e tij të parë. Për merkaton e janarit, ose atë të verës, Gattuso do të dëshironte vërtetë shumë të kishte nën urdhrat e tij ish-shokun e ekipit, për t’i dhënë skuadrës eksperiencën e duhur mes djemve të rinj.
Si Neymar, ashtu edhe Ibra, nuk do të bënin tjetër veçse të ndiqnin hapat e rikthimit më të bujshëm të viteve të fundit, Leonardo Bonucci, që pas 7 vitesh te Juventus, duke fituar 6 tituj kampion të njëpasnjëshëm në Serie A, vendosi të largohej nga Torino për tu bashkuar me MIlan. Por vetëm pas një viti me kuqezinjtë, aty ku madje u emërua kapiten i skuadrës, ai vendosi të bëjë rikthimin e bujshëm. Bonucci i kërkoi Milan që të shitej dhe pranoi rikthimin te Juventus.