Futboll Kategoria Superiore La Liga Sport

RRËFIMI PËR MEDIAT SPANJOLLE/ Gallego: Te Kastrioti më thanë që do luftonim për Europën, mbeta i habitur ku imami…

Pablo Gallego është i vetmi lojtar spanjoll që aktualisht luan në Kategorinë Superiore dhe i dyti në histori, si “iberik” që luan në vendin tonë. Pablo, i lindur në tetor të 1993-shit, arriti verën e kaluar të bëhej pjesë e Kastriotit të sapongjitur në Superiore. Mesfushori, në një rrëfim për mediat spanjolle, tregon sesi përfundoi në Krujë, teksa jep edhe përshtypjet e tij për Shqipërinë, qytetin, futbollin këtu, por edhe bën një krahasim që, sipas tij, Superliga Shqiptare është në nivelin e Ligës së Dytë spanjolle. “Panorama Sport” ju sjell një pjesë nga kjo intervistë e mesfushorit spanjoll të Kastriotit.

Fillimet

“Fillimet e mia janë në ekipet e Aragonit, në Ligën e Dytë, deri në sezonin 2016-2017. Nga janari u bëra pjesë e Superligës Greke me ekipin e Larisës. Më pas në 2018-ën, kam luajtur në Superligën e Nikaraguas me ekipin Real Esteli, ku humbëm titullin në minutën e fundit. Këtë verë kam ardhur në Shqipëri te Kastrioti, ekip që këtë sezon u ngjit në Superligën e Shqipërisë. Në familjen time gjithmonë më kanë përkrahur të luaj futboll. Aktualisht, po mbaroj kursin si trajner, që shpresoj të më shërbejë në të ardhmen”.

Si përfundoi në Shqipëri…

“E vërteta është se unë isha në Greqi me Aiginiakosin. Bëra të gjithë fazën përgatitore me ta. Problemet ndodhën dy ditë para mbylljes së merkatos. Nuk arrita dot të federohesha në kohë, duke humbur ekipin tim. Më pas, një mik më sugjeroi Kastriotin, kështu që vendosa që të vija në Shqipëri”.

Përshtypjet për vendin

“Njerëzit këtu janë shumë të pasionuar për futbollin. Ka disa skuadra që kanë tifozëri të shumtë në numër dhe kur luhet klasikja shqiptare. (derbi) midis Tiranës dhe Partizanit, qyteti është i paralizuar. Është si një miting madhështor. Sa i takon lojës, është shumë më ndryshe nga futbolli që luhet në Spanjë, Greqi, madje edhe nga Nikaragua. Këtu loja është më shumë fizike dhe më pak taktike. Për mua, ka qenë pak e vështirë për t’u përshtatur në fillim”.

Jetesa për një spanjoll

“E vërteta është se është një jetë shumë e thjeshtë. Ka shumë pak gjëra që të shpërqendrojnë. Dhe për këtë arsye, mund të përqendrohem te futbolli dhe kjo është ajo që po kërkoj. Shqipëria është një vend në zhvillim, nevojat themelore mbulohen, por është ende e dukshme që vendi do kohë që të jetë si pjesa tjetër e Europës.

Kruja është qyteti i skuadrës. Një vend i rrallë. Një qytet, i cili është ndërtuar buzë malit, me shumë shpate piktoreske dhe me një kështjellë të bukur. Përveç kësaj, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka jetuar këtu, legjendat dhe historitë e tij janë të lidhura me Krujën. Për më tepër, ekipi quhet Kastrioti, pjesë e emrit të heroit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Niveli i Superiores

“Siç thashë më lart, këtu është një futboll shumë i ndryshëm me futbollin që luhet në Spanjë. Taktikisht, do ta krahasoja me Ligën e Dytë spanjolle, por fizikisht, është superior. Punohet mjaft mirë në aspektin fizik. Edhe arbitrat janë deri diku të pranueshëm. Futbolli shqiptar ka më shumë cilësi dhe vlerë sesa mendoni ju kur dëgjoni për Shqipërinë”.

Objektivi i Kastriotit?

“Kampionati i Shqipërisë përbëhet nga 10 ekipe. Luhen 36 ndeshje të shpërndara në katër faza. Kampioni shkon në raundet kualifikuese të Champions-it. Vendi 2 dhe 3 shkojnë në Europa League dhe do të shoqërohen nga fituesi i Kupës Shqiptare. Përveç kësaj, dy të fundit në renditje zbresin. Kur unë arrita në Krujë, më thanë se qëllimi ishte lufta për në Europë. Por, pas 8 javëve të luajtura, duket se ne do të luftojmë për qëndrimin në kategori”.

E ardhmja?

“Është e qartë që tani jam përqendruar te Kastrioti. Por më vonë nuk i dihet. Mbase, pas aventurës këtu, mund të rikthehem tek ekipi që jam formuar si futbollist. Por, më pëlqen edhe Real Esteli, klubi më i madh në Nikaragua. Pasi ta mbyll këtu, do të doja të rikthehesha dhe të merrja një rol të mirë në atë skuadër. Duhet ta theksoj, për momentin mendoj vetëm për Kastriotin. Për të tjerat do të flasim në të ardhmen”.

Të veçantat

Spanjë, Greqi, Nikaragua apo tani në Shqipëri? “Besimi fetar është shumë i veçantë në ato vende, veçanërisht për dikë që vjen nga Spanja, ku është çështje më individuale. Në Greqi, kur luaja te Larisa, shkonim në një dhomë private para çdo ndeshjeje.

Në Nikaragua, luteshim gjithmonë para stërvitjeve ose ndeshjeve. Këtu, në Shqipëri, populli është në shumicë myslimane dhe mbeta i habitur kur imami lutej dhe fjalët e tij dëgjoheshin nga altoparlantët në qytet. Janë gjëra të ndryshme, të çuditshme, për dikë që jeton në Spanjë”, përfundoi mesfushori spanjoll.

Related posts

SFIDA QË U PËRGJAK/ Deklarata bombë e Prokurorisë Publike: Ja çfarë duhej bërë në ndeshjen Inter – Napoli

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ UEFA cakton një gjyqtar të RREPTË për Qarabak-Kukësi

Isa.Autor

PAS KONSULTIMIT ME VAR/ “Kuqezinjtë” përmbysin në 6 minuta, Genoa me 10 lojtarë (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment