Futboll Shqipëri Sport

SUPERLIGA/ Kukësi për maksimumin në Laç, sfidë mbijetesë në Fushë Krujë

Java e 10 e Superiores propozon sfida mes kundërshtarëve që në fazën e parë kanë patur thuajse të njëjtën ecuri, çka e tregon edhe renditje e përgjithshme. Këtë të diel, në orën 14:00, luhen dy takimet e radhës, Laçi-Kukësi dhe Kastrioti-Luftëtari, ku objektivi mbetet i njëjtë, në rastin e parë qëndrimi mes skuadrave kryesuese dhe në të dytin mbijetesa.

Laçi-Kukësi vitet e fundit, për shkak dhe të pozitave të dobëta të Vllaznisë dhe rënies së fundmi të saj në Kategorinë e Parë ka fituar dhe të drejtën për t’u quajtur derbi i veriut dhe jo thjesht për shkak të pozitave gjeografike të dy qyteteve që përfaqësojnë, por dhe për faktin se kanë një kontigjent konkurrues, janë protagonistë absolutë në Superiore dhe mbi të gjitha janë pjesëmarrës të rregullt në Europë çdo sezon.

Përpos kësaj dhe vetë ndeshja ka qenë vitet e fundit e karakterizuar dhe nga një tension tipik i një derbi, mes dy skuadrave që kërkojnë patjetër rezultatin ndaj njëra-tjetrës, pavarësisht se fitorja ndaj rivalit nuk mund të konsiderohet kurrsesi si pika më e lartë e sezonit. Sfida e radhës për më tepër i vendos ekipet përballë në pozita të barabarta, me njërën prej tyre që mund të humbasë terren me kreun e renditjes. Laçi, përpara humbjes me Teutën, ishte i vetmi ekip që nuk njihte disfatë në Superiore dhe tashmë te kurbinasit ekziston dëshira për t’u kthyer sërish te rezultatet pozitive, ndërkohë që Kukësi pas dy humbjeve pati frymëmarrje falë suksesit me Kastriotin.

Ekuilibri ka qenë kaq i plotë mes dy formacioneve, sa katër takimet e fundit mes tyre kanë përfunduar në barazim, ndërsa kurbinasit nuk arrijnë të mposhtin Kukësin prej 8 shkurtit të 2015-tës. Një kohë e gjatë, që bardhezinjtë kërkojnë t’i japin fund, edhe pse Kukësi e di mirë se një rrëshqitje në këto momente mund të jetë e pariparueshme sa i përket objektivit titull.

Kastrioti – Luftëtari është një sfidë shumë e rëndësishme, madje, nëse do të heqim një paralelizëm, ka të njëjtën peshë si ajo e të hënës midis Partizanit dhe Skënderbeut. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për cilësinë e skuadrave dhe lojën që mund të prodhojnë, por ashtu si ajo e “Selman Stërmasit” mbetet një sfidë direkte për objektivin final, që është mbijetesa. Krutanët vijnë nga humbja me Kukësin, ku zhvilluan një lojë shumë të mirë, e cila u shqoërua me dorëheqjen e ish-trajnerit Elvis Plori.

Drejtimin e Kastriotit e ka marrë Stavri Nica, megjithatë debutimi i tij në krye të skuadrës mund të shtyhet për shkak të dënimit që trajneri durrsak ka marrë nga Komisioni i Disiplinës në kohën kur drejtonte Burrelin. Në dispozicion të Nicës ka qenë i tërë grupi futbollistëve, që shpreson te rikthimi i fitores. Në krahun tjetër, Luftëtari udhëton me mungesën e mbrojtësit të djathtë Lejdi Liçaj, i cili është pezulluar për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Trajneri Gentian Mezani ka marrë lajmin e mirë të boshatisjes së infermierisë. Janicic, Aleksi, Rroca dhe Shkurtaj janë të gatshëm për timonierin vlonjat. Dueli i fazës së parë, i luajtur në Gjirokastër, u mbyll me fitoren surprizë të Kastriotit, ndërkohë që shqetësuese për të dyja skuadrat pritet të jetë terreni i fushës, për më tepër që një ditë përpara ishte programuar për t’u luajtur në “Redi Maloku” sfida e Kategorisë së Parë mes Ilirisë së Fushë Krujës dhe Dinamos.

Related posts

E pranon gjyqtari Ovrebo: Bëra shumë gabime në ndeshjen Chelsea – Barcelona

Q.Autor

Rudi Voller: Napoli ka shfaqur interes për portierin e Bayer Leverkusen

Sadik.Autor

Skandal në merkato/ Kryebashkiaku i Liverpool akuzon Chelsean për mashtrim

Q.Autor

Leave a Comment