Futboll Sport

CARLETTO MAZZONE/ Trajneri që fitoi gjënë më të shtrenjtë: dashurinë e popullit!

Askoli Piçeno. Dimri sapo ka hyrë, por dielli është ende një mik i ngushtë, deri në “tradhëtinë” e radhës. Nga një shëtitje në tjetrën, ndoshta do të kesh fat të takosh një njeri që bëri gjithë italianët ta dashuronin, për një profesion të ushtruar 30 vjet me pastërti, sinqeritet, pasion dhe impenjim deri në vetëmohim.

Në karrierën e tij nuk ka fituar asgjë, përveç se një Kupë Lige, por nëse dhoma e trofeve të tij është bosh, ai vazhdon të mbushë zemrën dhe kujtesën e atyre që e kanë njohur, ish-futbollist të mëdhenj, disa prej tyre sot drejtues dhe trajnerë, të tjerë që janë shkëputur nga futbolli. I quan ende “djemtë e mi”…

Carlo Mazzone. I ulur në kolltukun e shtëpisë, çdo të shtunë dhe të dielë, ai ndjek të gjitha ndeshjet, nga Serie A te Serie B, për të vijuar me Premier League dhe kur ka mundësi Champions e kombëtaret. Bën tifo për ish-lojtarët e tij.

Akrepat e orës kanë ecur shumë shpejt, aq sa Carletto e gjen veten stërgjysh, gjysh, baba dhe bashkëshort. Sepse, gruaja e tij Pia, e cila ka qenë krahu i djathtë për të dhe ajo që ka thithur negativitetin që transmetonte ndonjëherë fusha e blertë, i ndodhet pranë.

Pleqëria – Eshtë 81 vjeç Mazzone, pasi gjysmën e jetës ia ka dedikuar pankinës, duke stërvitur dhe duke mos u kursyer. Punë dhe vetëm punë. Sepse, ashtu si thotë Carletto, “teknika është buka e të pasurve, taktika është buka e të varfërve”…

Futbollit i ka dhënë gjithçka, por nuk është se ka marrë po aq shumë. Tani ka një tjetër objektiv, të rrisë nipërit e tij, ashtu “sikurse bëra me futbollistët, me djemtë e mi”. Pasditeve e gjen duke luajtur letra me miqtë e tij, ndërsa ka edhe një nip që luan me të rinjtë e Ascolit, por nuk shkon kurrë ta shohë në stërvitje apo ndeshje sepse “nuk dua të mendojnë se po ndërhyj për karrierën e tij”. Kështu është i gatuar Mazzone, një baba për shumë futbollistë. Trajneri i periferive, i popullit. Atij që nuk i pëlqente të bënte gëzuar me një gotë shampanjë, por mjaftonte një gotë verë ose qoftë edhe një teke raki.

Sot trajton nipërit e tij si edhe futbollistët dikur, duke “i mësuar edukatën dhe sidomos kulturën e punës dhe respektin”. Futbollistët e kanë shijuar prej vitesh, nga 1968 (debutimi në Ascoli) në vitin 2006 (ulet sipari në Livorno). Tani i takon nipërve të tij. Mazzone endet mes Ascolit dhe San Benedettos, në ditët e nxehta të vitit.

Driblon intervistat, sepse “nuk dua t’i bëj nder dikujt dhe dikujt tjetri jo. Pastaj, nuk dua t’iu marr më kohë, mjaft e kam bërë dikur”.

Telefonata e Pep – Një trajner atipik, njeri i drejtpërdrejtë, i ndershëm, impulsiv dhe bujar. Nuk mban celular me vete, sepse nuk i pëlqen. Nëse dëshiron t’i shkuajë “djemve të tij”, Tottit, Baggios e kështu me radhë, përdor telefonin e gruas. Ata që kanë numrin e tij të shtëpisë, e marrin aty.

Si një farë Pep Guardiola, përpara finales së Champions League 2009, në Romë, Manchester-Barcellona. “Alo, jam Pep Guardiola, mund të më thërrisni pak mister Mazzonen?!”. I biri i Carlettos shtanget dhe i thotë të atit se e kërkon Guardiola, pikërisht ai ish-futbollist që u rrit nën hijen e Mazzones te Brescia. Carletto nuk beson, mendon se është shaka e miqve të tij dhe e pyet: “Kush je?!”. Guardiola përgjigjet “Jam Pep”. Ish-trajneri ia kthen nga ana tjetër e telefonit… “Unë jam Garibaldi!”. Mes shakasë dhe të qeshurave, trajneri spanjoll i konfirmon.

“Pep, ke një finale pas katër ditësh dhe çfarë bën, më merr mua në telefon?”. “Po, mister, sepse po ju ftoj të vini në “Olimpico” për të ndjekur finalen. Do të isha shumë i kënaqur”… “Shkova atë ndeshje dhe fitoi Barcellona e djalit tim, Pep!”.

Totti & Co – Bën shaka Carletto, kur thotë se “edhe Tottin e kam si një djalë. Ajo që ka shkruar në librin e tij më bëri të qaj. M’u futën të dridhurat. Baggio ishte si Francesco: njeri i madh brenda dhe jashtë fushe. Nëse do të kisha pasur mundësi t’i hidhja të dy në fushë njëkohësisht, ndoshta do të më kishin rënë më pak flokë”.

Shndërrimi i Pirlos – Kjo është një histori futbolli dhe ndjenjash të mira, vlerash antike dhe intuitash taktike. “Në stërvitje pashë Pirlon që mund të shfaqte teknikën e tij duke luajtur shumë më mbrapa në pozicion. Nga aty, intuita që gjeneroi një kampion të madh”.

Vrapimi i çmendur – Emocionohet, kur sheh mesazhet nga ata që ai i quan ende “djemtë e tij”, edhe pse janë 40 vjeç e sipër. Impulsiv aq sa në derbin e famshëm Brescia-Atalanta do të ndodhte e paimagjinueshmja.

Atë ditë, veshët e tij dëgjuan më shumë nga sa një arbitër mund të dëgjojë në një sfidë me kartonë, penallti dhe episode të dyshimta. Atë ditë, Carlo Mazzone, një trajner me eksperiencë dhe i nderuar e respektuar, u prek në personalitetin e tij, teksa në fushë, Brescia dhe Atalanta zhvillonin derbin. Ishte 30 shtatori i vitit 2001 dhe atë datë ai s’do ta harrojë kurrë, sepse ndoshta rrezikoi që zemra t’i ndalej në fushë, nga ai vrapim që edhe Bolt do ta shihte me admirim.

Brescia kishte kaluar në avantazh me Baggion, por Atalanta kishte përmbysur në 3-1. Por, “dallëndyshet” rihapin gjithçka në 3-2 dhe në atë moment, Carleto Mazzone i kthehet tifozëve të Atalantas që e shanin “roman m…” por sidomos pasi “gjatë gjithë ndeshjes më shanin nga nëna ime, e cila më kishte vdekur në krahë teksa isha i vogël.

Një dhimbje të cilën me mbajta gjithë jetën mbi supet e mia dhe brenda zemrës time. Në atë moment, teksa Baggio shënoi 3-2, në trupin tim adrenalina ishte ndezur. i afrohem gjyqtarit të katërt dhe i them mbaj shënim çdo gjë që do të ndodhë nga tani e tutje, nëse barazojmë. Pa mbaruar fjalët teksa kisha kërcënuar tifozët e Atalantas se do t’i shkoja aty nëse bënim 3-3, në goditje dënimi, Baggio e kthen realitet atë që për mua ishte më shumë se një dëshirë, ishte një revansh i madh.

Nuk përmbahem më dhe i shkoj drejt. Nuk më interesonte asgjë edhe pse më mbanin. E kisha pranuar “roman m…” por “bir k…” s’mund ta pranoja, për atë që kisha kaluar në jetën time”, do të rrëfejë Mazzone, teksa përkrah tij vraponte Menechini, pikërisht ndihmësi dhe pak vite më vonë trajneri i Tiranës,  në Shqipëri.

Anekdota “Carboni”  – Një tjetër histori është ajo që ka të bëjë me mbrojtësin e Romas, Amedeo Carboni. I pëlqente të dilte në sulm, duke qenë në krah. Në një ndeshje të sezonit 1994-1995 e bëri shpesh dhe Mazzone shpërthehu: “Amede, sa ndeshje ke luajtur?”. “350, mister!”. “Dhe sa gola?”, “4, mister”. “Atëherë, ku dreqin shkon!!!”.

Provinca – Mazzone stërviste në provincë kur për skuadrat e mëdha fjala “provincë” donte të thoshte lodhje, djersë, rreng dhe ndoshta humbje (Ascoli-Juve 1-0 nel 1981-82, Leçe-Napoli 1-0 nel 1988-89, Bologna-Inter 2-0 nel 1998-99 dhe shumë të tjera).

Zemra e madhe – Nuk ka kupa në dhomën e tij, vetëm tre ngjitje në kategori. Por, shumë mbijetesa, disa mrekulli dhe trofeu më i bukur: dashuria dhe vlerësimi karshi tij nga futbollistët, si një figurë tepër e rëndësishme në formimet e tyre: Totti, Guardiola, Baggio.

Në Brescia, Robby vendosi një klauzolë në kontratë: “Nëse ikën Mazzola, ika dhe unë”. Kur kishte ekipe të dobëta, i bënte të luftonin. Kur kishte ekip me pak nivel, luanin futboll. Hyri në historinë e futbollit në mënyrën e tij dhe jo sepse në një pankinë Serie A është ulur 792 herë.

120 vjetori i Ascolit – Por, aventura te Ascoli është zanafilla e gjithë historisë së mrekullueshme të Carletto Mazzones. Aty ku nisi karriera si trajner në futboll dhe ku, pak ditë më parë, për 120 vjetorin e themelimit të klubit, i ftuar ishte edhe ai, në stadiumin “Del Duca”…

Shumë ish-futbollistë bardhezi, por edhe një publik i jashtëzakonshëm. Lotët nuk i përmban dot, sidomos kur sheh dashurinë që askolezët i dhurojnë. E mori skuadrën në Serie C dhe e ngjiti në Serie A. Sepse, Carletto, trajneri i periferive, nuk frikësohej përpara asgjëje..

Related posts

Kush e kishte menduar, a është vërtetë Shkëlzen Gashi ky?! (VIDEO)

Sadik.Autor

(FOTO) Real Sociedad – Barcelona, ja formacionet e mundshme

Q.Autor

FINALJA CHAMPIONS/ Liverpool “hipotekon” fitoren, ja goli në minutat e fundit (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment