Futboll Premier League Sport

DERBI I ZJARRT/ Man City-Man United: Guardiola kundër Mourinhos, spektakli i garantuar

Shtatë muaj pas përmbysjes epike të edicionit të kaluar “djajtë e kuq”, rekordmenët e kampionatit anglez, rikthehen në Etihad për derbin e Manchester-it, ndaj City-t. Armata e Guardiolës vazhdon të bëjë përpara duke ofruar përvec rekordeve edhe një futboll të shkëlqyer, falë të cilit “sky blues” nuk e patën të vështirë për të rimarrë kreun në Premier League. Gjashtë gola ndaj Southampton-it dhe gjashtë të tjerë ndaj Shakhtar-it në harkun e vetëm katër ditëve tregojnë qartë forcën e “citizens”, që natyrisht i kanë që të gjitha mundësitë për të mbrojtur me sukses titullin e sezonit të kaluar në Premiership. Duke përfshirë edhe ndeshjen me Fulham-in në Kupën e Ligës ky është takimi i katërt rresht që City luan në shtëpi, vend ku ekipi i Guardiolës ka shënuar plot 49 gola në 15 ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2018 në Premier League. Me 1,4 miliardë stërlina të shpenzuara gjatë dekadës së fundit nga Sheiku Mansur, që është njëherësh edhe bosi i Kompanisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe “Abu Dhabi United Group” “qytetarët” duket se më në fund e kanë përmbushur objektivin e tyre për të dominuar futbollin anglez.

Në krahun tjetër “djajtë e kuq” prej vitesh e kanë humbur këtë status dhe pavarësisht përpjekjeve të shumta sezonet e fundit United vazhdon të jetojë me lavdinë e dikurshme. Edicionin e kaluar tifozët vendas u bënë gati për të festuar titullin pikërisht në derbin me “red devils”, megjithatë 20 herë kampionët e Anglisë shpërthyen plot krenari, duke përmbysur plot zemërim në vetëm cerek ore lojë disavantazhin e dy golave të pjesës së parë. Për hir të së vërtetës derbi mbetet derbi dhe është fakt që derbi i Manchester-it është ngjitur në një tjetër dimension, sidomos pas mbërritjes së dyshes Guardiola-Mourinho, sidoqoftë fitorja 3-2 e 7 prillit përbën një ndër rastet e pakta të këtij viti për të festuar dicka, për mbështetësit e shumtë të Manchester United. Ndonëse pak vetë ia vunë veshin fjalëve të tij trajneri portugez kishte të drejtë në fillim të sezonit kur uli ndjeshëm stekën, duke kërkuar përforcimin e ekipit në mbrojtje. Është fakt që suksesi i skuadrave të drejtuara nga trajneri luzitan fillon pikërisht nga prapavija, gjithsesi statistikat tregojnë më së miri se këtë herë United ka pësuar plot 18 gola në harkun e vetëm 11 javëve. Një kuotë të tillë golash në Premiership skuadra e 55-vjecarit nga Setubali e kishte deri në mesin e muajit shkurt, pra goxha diferencë, duke patur parasysh që “red devils” edicionin e kaluar u shpallën nënkampionë të Anglisë, ndonëse sic dihet me plot 19 pikë diferencë. Gjërat kanë ndryshuar disi dhe kjo gjë përkon me përmirësimin e marrëdhënieve të dyshes Mourinho-Pogba, sepse pas përmbysjes me Neëcastle-n United përmbysi gjithashtu Bournemouth-in, Juventusin dhe i shkoi shumë pranë edhe kthimit të rezultatit në Stamford Bridge me Chelsea-n.

Në kampionat “djajtë e kuq” praktikisht nuk janë ndëshkuar vetëm nga Burnley dhe në Premier League janë vetëm pesë skuadrat që kanë pësuar më shumë gola se sa ekipi i Mourinho-s, për më tepër City në krahun tjetër ka mbrojtjen më të mirë. Tre nga katër golat e pësuar nga Citizens janë shënuar nga mbrojtësit kundërshtarë, ndërsa tjetri është realizuar nga pika e bardhë e 11-metërshit. Miqtë kanë treguar në disa raste se gëzojnë një formë të shkëlqyer fizike, duke shënuar shumë gola në minutat e fundit të ndeshjeve, gjithsesi më parë mbrojtja e United duhet t’i rezistojë furisë së ekipit vendas. City nuk do të ketë De Bruyne-n, ndërsa te United me shumë gjasa do të mungojë Lukaku, prandaj ashtu si edhe në Torino strategu portugez pritet të prezantohet përpara me një ndër treshet sulmuese më shtatshkurtëra në karrierë. Në Allianz Stadium ndaj një prej skuadrave më të forta në glob një zgjedhje e tillë funksionoi, pavarësisht se dy golat erdhën si rezultat i goditjeve standarte, sidoqoftë Martial duket në formë, teksa ka shënuar radhazi në katër ndeshjet e fundit në kampionat, në një kohë kur në krahun tjetër golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni Sergio Aguero krenohet me 17 gola dhe 5 asiste të realizuar në 13 ndeshjet e fundit të Premier League-s në Etihad. Sfidë më vete sigurisht ajo e dy trajnerëve. Bilanci i tyre që kur drejtojnë në Manchester është krejtësisht i barabartë me nga 2 fitore dhe një barazim, e vlen të theksohet fakti që Guardiola nuk e ka thyer kurrë Mourinho-n në Etihad. Drejtimi i këtij takimi i është besuar pikërisht 40-vjecarit nga Manchesteri Anthony Taylor.

Related posts

ELIMINIMI I MAJLINDA KELMENDIT NË RAUNDIN E PARË/ Reagon trajneri Kuka: Je krenaria e veprimtarisë time

Delo.autor

E BUJSHME/ “Der Spiegel” zbulon SHKELJEN E RËNDË të RAMOSIT në çështjen e anti-dopingut

Isa.Autor

MORI “KALIN” NË VALIXHE/ Shpresa e Shqipërisë për medalje olimpike nuk pret të hapet palestra në Tokio (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment